Upload
others
View
2
Download
0
Embed Size (px)
1
KOMITETI SHQIPTAR I HELSINKIT
RAPORT MONITORIMI
MBI SITUATËN E RESPEKTIMIT TË TË DREJTAVE DHE LIRIVE TË
PERSONAVE TË SHOQËRUAR, NDALUAR DHE ARRESTUAR NË
KOMISARIATET E POLICISË
Referuar gjetjeve të monitorimeve të kryera gjatë periudhës Shkurt –Qershor 2018
Shkurt, 2019
2
Ky raport është përgatitur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në kuadër të mbështetjes
institucionale të Fondacionit për Promovimin e Shoqërisë së Hapur (FPOS). Përmbajtja e
këtij raporti është përgjegjësi e plotë e KShH-së dhe nuk reflekton domosdoshmërisht
qëndrimin e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Përgatiti:
1. Znj. Borana Nazifi, Asistente Projekti/Juriste, KShH
2. Znj. Alketa Vushaj, Eksperte Paraligjore, KShH
Rishikoi:
1. Z. Niazi Jaho, Këshilltar Ligjor i KShH-së
2. Av. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e KShH-së
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara për subjektin autor. Asnjë pjesë e këtij botimi nuk
mund të riprodhohet pa lejen dhe citimin e tij.
Autor: ©Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Rr. Brigada e VIII-te, Pallati “Tekno Projekt”
Shk 2 Ap 10, Tirana-Albania
Kutia Postare nr.1752
Tel: 04 2233671
Cel: 0694075732
E-mail: [email protected];
Web site:[email protected]
3
1. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE
Në përmbushje të misionit të tij, KShH ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme respektimin e të
drejtave dhe lirive të personave të shoqëruar, të ndaluar dhe të arrestuar që mbahen në ambientet
e Policisë së Shtetit.
Ky raport përmbledh gjetjet dhe konkluzionet më të rëndësishme të misioneve të monitorimit që
KShH ka kryer gjatë periudhës Shkurt - Qershor 2018 në ambientet e drejtorive dhe komisariateve
të policisë në disa qytete të vendit, ku mbahen personat e privuar nga liria. Monitorimi i KShH-së
është shtrirë në 28 Komisariate të Policisë së Shtetit, përkatësisht në Komisariatet e policisë nr.1,
nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 në Tiranë, Komisariati i Policisë Vorë, Kavajë, Durrës, Fushë-Krujë,
Krujë, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Elbasan,
Përrenjas, Librazhd, Korҫë, Ersekë, Pogradec, Berat, Dibër dhe Kukës.
Para se të publikohej, drafti i këtij raporti i është dërguar përmendim Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sugjerimet dhe komentet e përcjella nga kjo Drejtori janë
konfrontuar sërish me gjetjet e secilit raport monitorimi dhe në përfundim, janë reflektuar
në këtë raport ato sugjerime që janë vlerësuar relevante.
Qëllimi i monitorimit të KShH-së ishte vëzhgimi i respektimit të situatës së të drejtave dhe lirive
të njeriut, të personave të shoqëruar, të ndaluar dhe të arrestuar në flagrancë, duke përfshirë këtu
kushtet infrastrukturore, respektimit të të drejtave dhe garancive procedurale të tyre të parashikuara
në Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Policinë e Shtetit, ofrimin e shërbimit shëndetësor,
verifikimin e rasteve të pretenduara për ushtrim dhune, etj.
Aksesi i vëzhguesve të KShH-së gjatë këtyre monitorimeve kryesisht nuk ka shfaqur
probleme apo vonesa nga personeli përgjegjës i këtyre institucioneve. Në tërësi, është
vërejtur se institucionet e monitoruara e kanë respektuar marrëveshjen e bashkëpunimit
mes KShH-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me përjashtim të
monitorimit të kryer në Drejtorinë e Policisë Durrës, ku vëzhguesve nuk ju dha akses i
menjëhershëm për të monitoruar me arsyetimin se kishte kaluar orari zyrtar.
Nga informacionet e marra gjatë monitorimit rezultoi se natyra e veprave penale ndryshon nga
qarku në qark. Veprat penale më të përhapura në të gjitha qarqet ishin ato kundër jetës dhe
shëndetit, dhuna në familje, veprat penale kundër pasurisë, kultivimi dhe shitja e lëndëve
narkotike. Megjithatë, rezultojnë edhe raste kur personat shoqërohen, ndalohen ose
arrestohen edhe për vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore sikurse ishte rasti i disa
grave të minoritetit Rom, të shoqëruar në Komisariatin. nr. 4 në Tiranë për lidhje të
paligjshme të energjisë elektrike. KShH kontaktoi me fëmijët e mitur të këtyre dy shtetasve, të
cilët ishin të pashoqëruar nga të rritur dhe kishin përshkuar të vetëm dhe në këmbë rrugën e largët
nga banesa e tyre, në Komisariatin e Policisë, ku mbaheshin nënat e tyre.
Asnjë nga personat e kontaktuar nga KShH gjatë monitorimeve të planifikuara nuk pati
ankesa nga personat që ndodheshin në institucionet e policisë së shtetit, sa i takon ushtrimit
të dhunës ose keqtrajtimit nga punonjësit e policisë së shtetit. Megjithatë, gjatë periudhës
Janar – Korrik 2018, KShH ka marrë ankesa në rrugë telefonike, me letër apo gjatë vizitës
4
në sistemin e burgjeve, nga persona të cilët pretendojnë se është ushtruar dhunë ndaj tyre
nga forcat e policisë, gjatë kohës së shoqërimit dhe qëndrimit të tyre në komisariatet e
policisë. Raportimi i dhunës në këtë rast është bërë disa ditë apo edhe javë më pas, teksa ata
ekzekutonin vendimin penal në sistemin e burgjeve.
Një aspekt që vështirëson verifikimin e këtyre pretendimeve është mungesa e infrastrukturës së
nevojshme për regjistrimin audioviziv të marrjes së tyre në pyetje, mos ekzaminimi mjekësor në
kohë apo mos dokumentimi i tij si dhe fakti që në disa raste dhuna e ushtruar pretendohet se është
bërë gjatë kohës së transportimit të këtyre shtetasve në ambientet e policisë, sikurse ishte rasti i të
dënuarit Luan Taipi i cili pretendon se është dhunuar nga forcat policore në furgon gjatë shoqërimit
nga vendi i arrestimit për në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Nga korrespondenca që KShH ka pasur me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe
Ankesat si dhe me Prokurorinë, për ankesat e ardhura lidhur me rastet e ushtrimit të dhunës
ka rezultuar që prokuroria ka vendosur pushim të çështjes penale. Gjithashtu, është vërejtur
se mungon qasja për një hetim të plotë, objektiv dhe të thellë nga organi i prokurorisë, çka
cenon nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që kërkon një hetim efektiv të
këtyre rasteve. Madje, në ndonjë rast kur personi pretendon se është dhunuar, prokuroria ka
regjistruar ndaj tyre procedim penal me akuzën e “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë
shtetërore ose një shërbim publik”. Ndërkohë që në asnjë rast, Shërbimi për Çështjet e Brendshme
dhe Ankesat nuk ka pranuar se ndaj shtetasve të ketë rezultuar se është ushtruar dhunë.
Gjithashtu, dëshirojmë të veçojmë këtu ankesën e familjarëve të të ndjerit, Enea Ftoi, i cili
pretendohet se humbi jetën për shkak të dhunës së ushtruar nga punonjësit e policisë. Vëzhguesve
të KShH-së nuk ju dha akses i menjëhershëm në aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të trupit të
viktimës ndërkohë që referuar njoftimeve të medias, Prokuroria e Korçës ka pushuar çështjen ndaj
të ndjerit, duke dalë në konkluzionin se policia nuk ka ushtruar dhunë, por i ndjeri vuante nga një
sëmundje në mushkëri.1
Verifikimet e kryera nga vëzhguesit e KShH-së në dokumentacionin e mbajtur nga stafi i
institucioneve të monitoruara evidentoi se jo gjithmonë përmbushet menjëherë detyrimi
ligjor për ti komunikuar personave arsyen e shoqërimit, ndalimit ose të arrestimit që në
momentet e para të kontaktit që personi ka me personelin përgjegjës të policisë. Kjo problematikë
ka rezultuar në verifikimin e realizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë si dhe në
komisariatin nr. 3 për protestuesit e rrugës së kombit.
Të shoqëruarit, të ndaluarit dhe të arrestuarit nuk pajisen gjithmonë me kopjen e deklaratës
së të drejtave që gëzojnë. Kjo problematike është evidentuar në monitorimin e realizuar në
Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në Komisariatin nr. 3 për protestuesit e rrugës së kombit,
apo në Komisariatin nr. 2, ku të drejtat ju komunikoheshin verbalisht dhe nuk ju jepej një kopje e
deklaratës. Është pozitiv fakti se njoftimi i familjarëve bëhet rregullisht kur personat madhorë e
dëshirojnë dhe e kërkojnë një gjë të tillë, ndërkohë që për të miturit njoftimi bëhet në çdo rast, në
përputhje me ligjin.
1 https://balkanweb.com/vdiq-nga-problemet-ne-mushkeri-pushohet-ceshtja-per-enea-ftoin/
5
Nga monitorimi rezultoi se përgjithësisht personave i garantohet e drejta e tyre për të
njoftuar familjarët si dhe e drejta për tu mbrojtur. E drejta për t’u mbrojtur me avokat zbatohej
nga një pjesë e mirë e komisariateve. por mbetet shqetësues fakti se në disa komisariate (në
komisariatin nr. 1 dhe nr. 4 në Tiranë si dhe në komisariatin e Krujës, Fushë Krujës, Fierit,
Kavajës, Librazhdit, Elbasanit) afatet e arrestimit në flagrancë llogariteshin gabim. Ky afat
llogaritej pasi shtetasit kishin hyrë në ambientet e komisariatit dhe jo në momentin e arrestimit në
flagrancë. Personave i caktohej një avokat kryesisht nga lista e avokatëve, kur nuk kishin mundësi
financiare të merrnin një avokat të zgjedhur prej tyre. Në komisariatet e Policisë Ersekë, Pogradec,
Korçë mungonte lista e afishuar e avokatëve kryesisht, madje konstatuam se personeli i këtyre
komisariateve nuk kishte koncepte të qarta për avokatin kryesisht.
Problematik paraqitet fenomeni i mbivendosjes së pozicioneve të juristit dhe atij të
psikologut, në strukturat vendore të policisë, funksione të cilat mbuloheshin nga 1person i
vetëm. Pra nëpunësi ishte psikolog dhe nuk kishte kryer studime për drejtësi, ose anasjelltas sipas
rasteve. Ky fenomen cënon një nga garancitë ligjore bazë të ofrimit të shërbimit psikologjik,
sidomos në rastet e të miturve, të personave më aftësi mendore të kufizuara, ose të viktimave të
krimeve të rënda, kur ligji parashikon ndërmjetësimin e psikologut gjatë komunikimit me ta. Po
ashtu, në disa raste, ka rezultuar mungesë e dhomave të veçanta për mbajtjen e të miturve, të grave
dhe vajzave. (Sikurse është konstatuar në komisariatet nr. 2, 4 dhe nr. 6 në Tiranë, Tepelenës,
Malësisë së Madhe, Krujës, Fushë Krujës, Librazhd, Pogradec, Sarandë, Ersekë)
Shërbimi mjekësor në përgjithësi ofrohet nga mjekët e Drejtorive Vendore të Policisë që janë në
varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë si dhe nga Spitalet Rajonale. Është konstatuar se
disa nga organikat e komisariateve e parashikojnë pozicionin e mjekut dhe disa jo. Vëzhguesit e
KShH-së vërejtën se nuk kishte mjek në Komisariatin Nr. 2 dhe 6, Fushë-Krujë, Krujë,
Elbasan, Librazhd. Gjithashtu, ka rezultuar se disa nga komisariatet kanë të parashikuar
në organikë vetëm ndihmës-mjek dhe jo mjek (si p.sh. në Kukës, Dibër, Përrenjas).
Gjithashtu, në shumë komisariate mbetet ende problem mungesa e medikamenteve
mjekësore, apo e pajisjeve të nevojshme për kryerjen e këtij shërbimi.
Mekanizmi i kërkesë-ankesës së personave të shoqëruar, ndaluar dhe arrestuar nuk është
një mekanizëm që garanton trajtimin efektiv të kërkesave dhe ankesave nga personeli
përgjegjës i Komisariateve/Drejtorive të Policisë si dhe supervizimin nga mekanizma në
hierarki më të lartë brenda policisë së shtetit apo edhe nga monitorime që kryhen nga
Avokati i Popullit dhe organizata të të drejtave të njeriut. Të shoqëruarit, të ndaluarit dhe të
arrestuarit, në shumicën e rasteve, i adresonin kërkesë-ankesat e tyre verbalisht tek punonjësit e
dhomave të sigurisë, të cilat nuk dokumentoheshin dhe po ashtu nuk dokumentohej as procedura
e ndjekur nga Komisariati për trajtimin dhe zgjidhjen e tyre. Në Komisariatin Nr.6 Tiranë,
Komisariatin e Policisë Pogradec u konstatua se nuk kishte një regjistër të kërkesë-ankesave.
Në Stacionin e Policisë Përrenjas, Komisariatin e Policisë Elbasan, Komisariatin e Policisë
Librazhd, Komisariatin e Policisë Fushë-Krujë, Krujë, Dibër, Kukës, Sarandë u vu re se në
regjistrin e kërkesë-ankesave nuk ishte shënuar asnjë ankesë, pavarësisht se ekzistonin
rubrikat përkatëse, në to efektivisht mungonin shënime për kërkesë-ankesat. Lidhur me këtë,
personeli u shpreh se kërkesë ankesat e mundshme i shënonin në regjistrin e hyrjeve-daljeve.
Objekti i kërkesave më së shumti konsistonte në kërkimin e takimit me avokatët mbrojtës.
6
Vijon të mbetet problematik transferimi i vonuar dhe tej afateve ligjore i personave, që kanë
marrë masën e sigurimit ose personave të dënuar me burg, pranë Institucioneve të
Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) përkatëse. Periudha e qëndrimit mesatar të kësaj
kategorie shtetasish në komisariate varion në afate relativisht të gjata, 6-7 ditë, ndërkohë që një
pjesë e këtyre komisariateve nuk kanë kushtet minimale të akomodimit të këtyre shtetasve qoftë
edhe për pak ditë.
Pavarësisht përmirësimeve që ka pësuar në dekadën e fundit infrastruktura e ambienteve të
ndalimit dhe të arrestimit në Institucionet e Policisë së Shtetit, sërish në një pjesë të
Komisariateve/Drejtorive të vizituara vlerësojmë se kushtet fizike kanë elementë të trajtimit
ç’njerëzor dhe degradues, referuar këtu edhe standardeve të elaboruara në jurisprudencën e
Gjykatës së Strasburgut. Vëzhguesit e KShH-së kanë konstatuar raste kur personat flenë në
dysheme qoftë për shkak të mbipopullimit sikurse është konstatuar në rastin e protestuesve për
rrugën e kombit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë si dhe në Komisariatin nr.3 në Tiranë,
po gjithashtu edhe për shkak të mungesës së krevateve, si p.sh. në Komisariatin nr. .1, nr. 3 dhe
nr. 5 në Tiranë si dhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër. Një pjesë e dhomave në këto
institucione jashtë standardeve dhe duhet të mbyllen.
Monitorimi i KShH-së evidentoi mungesë të kushteve të higjienës në disa prej ambienteve të
shoqërimit, ndalimit/arrestimit, si dhe në ambientet e dusheve dhe tualeteve (Komisariati i
Policisë Dibër, Tepelenë, Gjirokastër, Malësi e Madhe, Krujë, Fushë-Krujë, Shkodër, Lezhë). Në
disa raste, kushtet e këtyre ambienteve ishin në gjendje të mjerueshme, për shkak të mungesës së
ndriçimit natyral apo artificial, mungesës së ajrimit i cili ishte i rëndë dhe prezencës së lagështirës,
mungesës së mirëmbajtjes së mureve të cilat ishin të palyera apo edhe të pa-meremetuara,
mungesës së dritareve çka i vendoste personat në pothuajse të njëjtat kushte atmosferike si në
ambientet jashtë, mungesës së sistemit të ngrohjes/ftohjes, etj.
Problematike rezulton mungesa e ambienteve të posaçme për ajrimin e personave të arrestuar në
flagrancë/ndaluar. Në pjesën dërrmuese të komisariateve personat lihen të lirë për disa minuta për
të bërë të mundur ajrimin në korridorin midis dhomave, duke i nxjerrë me turne personat në rast
se ka mbipopullim.
2. RESPEKTIMI I TË DREJTAVE DHE GARANCIVE PROCEDURALE TË
PERSONAVE TË SHOQËRUAR, NDALUAR DHE ARRESTUAR NË
FLAGRANCË
2.1 E drejta për tu informuar për shkakun e shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit
Çdo individi të cilit i privohet liria, për arsye të parashikuara në ligj ka të drejtë të informohet mbi
arsyet e shoqërimit/ndalimit/arrestimit, që në momentin e parë të privimit të lirisë sikurse
parashikohet në ligjin “Për policinë e shtetit”, në nenin 109 pika 3 si dhe në nenin 34/a pika a
K.Pr.P.
Në përgjithësi, nga monitorimet e kryera, ka rezultuar se e drejta për tu informuar për shkakun e
shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit është respektuar. Megjithatë ka pasur raste kur kjo e drejtë nuk
7
është respektuar nga policia e shtetit, sikurse ka qenë rasti i shoqërimit dhe ndalimit të disa prej
protestuesve të kombit. Sipas tyre, nuk ju është bërë e ditur arsyeja e shoqërimit dhe ndalimit që
në momentin e parë të privimit të lirisë. Nga korrespondenca e shkëmbyer me Drejtorinë e
Përgjithshme të Shtetit, pretendohet se Strukturat vendore të D.V.P Kukës kanë përmbushur të
drejtën për njoftimin e shkakut të shoqërimit të shtetasve pas ngjarjes së ndodhur në Tunelin
Kalimash, Kukës gjatë protestës së zhvilluar në Rrugën e Kombit, pasi kanë qenë dhe kanë zbatuar
urdhrat e ndalimit të nxjerrë nga organi i prokurorisë.
2.2 E drejta per tu informuar me të drejtat që gëzon personi gjatë shoqërimit, ndalimit
dhe arrestimit
Sikurse është e parashikuar tek ligji “Për policinë e shtetit” në nenin 109 pika 3 dhe tek neni 34/a
i K.Pr.Penale, shtetasit kanë të drejtën e informimit për të drejtat që ata gëzojnë. Të
ndaluarit/arrestuarit duhet t’i jepet dhe të mbajë me vete një kopje të procesverbalit të
ndalimit/arrestimit të kontrollit personal dhe kopje të deklaratës për njohjen me të drejtat e tij.
Në disa raste, vëzhguesit e KShH-së kanë konstatuar se shtetasve të ndaluar dhe të arrestuar nuk i
janë komunikuar të drejtat e tyre që në momentin e pare të kufizimit të lirisë. Kjo është konstatuar
në Komisariatin Nr. 1, 3,6 në Tiranë, në Korçë, Vorë, Kavajë dhe në Komisariatin e Policisë Lezhë.
Lidhur me këtë konstatim të KShH-së nga korrespondenca e shkëmbyer me Drejtorinë e
Përgjithshme të Shtetit, pretendohet se të gjithë personat e që ndalohen dhe arrestohen, që në
momentin e parë të kësaj mase vihen në dijeni duke ju komunikuar të drejtat që kanë në këtë fazë,
si dhe u jepet për njohje, nënshkrim dhe mbajtje me vete një kopje e Deklaratës së të Drejtave të
tyre.
2.3 Respektimi i afateve të shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit ne flagrance
Referuar Ligjit Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” konkretisht në Nenin 109, thuhet se afati i
shoqërimit për arsyet e parashikuara në ligj është jo më shumë se 10 orë. Nga këqyrja e regjistrave
të të shoqëruarve dhe regjistrat e të ndaluarve/ arrestuarve ka rezultuar se këto afate janë
respektuar, përveçse në Komisariatin e Fushë Krujës, Krujës, Vlorës dhe Kavajës ku është vërejtur
se ka pasur tejkalim të këtyre afateve, madje në disa raste rezultonte të ishin mbajtur nga 12 deri
në 15 orë në komisariat. Përpos kësaj, në disa raste janë konstatuar edhe korrigjime tek rubrika e
orareve në regjistër, çka mund të jetë tregues që në mungesë të respektimit të afateve ligjore,
personeli mund të ketë bërë korrigjimet më pas. Gjithashtu nga verifikimi i kryer për protestuesit
e rrugës së Kombit në Drejtorinë e Policisë Tiranë si dhe në Komisariatin nr. 3 në Tiranë ka
rezultuar se shtetasit janë mbajtur për më shumë se 15 orë si pasojë e transferimit të tyre nga Kukësi
në Tiranë. Lidhur me këto konstatime, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë me anë të është
komunikatës së saj në të cilën përcjell mendime dhe komente mbi këtë draft-raport shprehet se do
kryen verifikimet e nevojshme lidhur me tejkalimin e afateve të qëndrimit si i shoqëruar.
Lidhur me respektimin e afateve të ndalimit dhe të arrestimit, KShH ka vërejtur se në përgjithësi
këto afate janë respektuar. Megjithatë, është vërejtur se organet e policisë nuk kanë një kuptim të
drejtë të gjendjes së flagrancës sipas nenit 252 të K.Pr. Penale, çka ndikon në zgjatjen e afateve të
parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Kështu, në disa Komisariate si p.sh. në komisariatin
8
nr. 4 dhe nr. 1 në Tiranë si dhe në Komisariatin e Dibrës, Fushë Krujës, Krujës, Kavajës, arrestimi
në flagrancë bëhej pasi shtetasi shoqërohej në ambientet e policisë dhe jo në vendin ku kapet nga
policia. Personat dërgoheshin si të shoqëruar në Komisariate, dhe më pas, kur ata intervistoheshin
nga oficerët e policisë gjyqësore, kur ndërkohë kishin kaluar disa orë nga privimi i lirisë, bëhej
arrestimi i tyre në flagrancë. Kjo gjendje përveçse ndikon në zgjatjen e afateve nuk përputhet
me institutin procedural të arrestit në flagrancë dhe të konceptit që parashikon Kodi i
Procedurës Penale për « arrestin në flagrancë ». Nga korrespondenca e shkëmbyer me
Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, pretendohet se në periudhën e ndalimit dhe e arrestimit
është llogaritur edhe koha që personi është shoqëruar dhe ka qëndruar i shoqëruar në ambientet
e policisë, ku në procesverbalin e ndalimit apo arrestimit në flagrancë është pasqyruar si kohë e
ndalimit/arrestimit ora faktike e heqjes së lirisë, kohë kur personi është kapur në rrugë, banesë,
apo shoqëruar.
2.4 Pajisja e personave me procesverbalin e ndalimit/arrestimit
Në nenet 34/b. pika 2 dhe 251 të K.Pr.P parashikohet se të ndaluarit/arrestuarit duhet t’i jepet dhe
të mbajë me vete një kopje të procesverbalit të ndalimit/arrestimit.
Në pjesën më të madhe të komisariateve të monitoruara rezultoi se ndaj personave të shoqëruar
nga punonjësi i policisë mbahej një procesverbal tip i emërtuar “Formulari i raportit të Shoqërimit
ose Ndalimit/Arrestimit”. Megjithatë u vërejt me mangësi dhe gabime materiale në pasqyrimin
dhe korrigjimin e të dhënave në këtë formular, përkatësisht në Komisariatin Nr.2, Komisariatin
Nr.5 në Tiranë dhe në Komisariatet e Krujës dhe të Lezhës.
2.5 E drejta për të njoftuar familjarët
E drejta për të njoftuar familjarët e personave të ndaluar dhe të arrestuar në flagrancë parashikohet
në nenin 34/b pika 1/c të K.Pr. Penale. Gjatë monitorimeve u evidentua se njoftimi i familjarëve
përgjithësisht realizohej në momentet e para të ndalimit/arrestimit nga punonjësit e policisë
(zakonisht nga oficeri i informacionit), sidomos në rastet kur i ndaluari/shoqëruari është i mitur ku
njoftimi është i detyrueshëm.
KShH ka konstatuar me shqetësim, duke reaguar publikisht për mos njoftimin e familjarëve të
shtetasit të ndaluar, të ndjerit Enea Ftoi, i cili humbi jetën gjatë qëndrimit në Komisariatin e
Korçës. Nga këqyrja e regjistrit rezultoi se familjarët nuk ishin vënë në dijeni për ngjarjen e
ndodhur, ndërkohë që u përballën me këtë fakt tronditës në seancën gjyqësore ku do të
vleftësohej ndalimi dhe ishte kërkuar caktimi i masës së sigurimit ndaj tij.
2.6 Respektimi i të drejtës për të komunikuar menjëherë me avokatin dhe për tu
mbrojtur gjatë procedurave të marrjes në pyetje
Kodi i Procedurës Penale në nenet 34/a, gërma “c” dhe 34/b gërma “a” si dhe Ligji për policinë e
shtetit në pikën 3 të nenit 109 parashikon se çdo shtetas ka të drejtë të komunikojë menjëherë me
avokatin mbrojtës. Gjatë verifikimeve në regjistrat “Takime me avokatin” si dhe nga takimet e
zhvilluara me personat e ndaluar dhe të arrestuar, vëzhguesit e KShH-së konstatuan se kjo e drejtë
9
është respektuar. Këta persona kanë pasur në përgjithësi menjëherë akses në ndihmën ligjore të
ofruar nga avokati, pasi kanë kërkuar avokatin.
Vlen për tu theksuar se jo të gjithë komisariatet dhe stacionet e policisë ishin të pajisura me listat
e avokatëve nga Dhomat e Avokatisë në rrethe, për të asistuar personat të cilët nuk kishin mundësi
të paguanin një avokat privat. Në Komisariatet e Policisë Ersekë, Korçë dhe Pogradec punonjësit
e policisë nuk ishin në dijeni se mund të ofrohej një avokat kryesisht për shtetasit të cilët nuk kanë
mundësi financiare për të marrë një avokat privat.
2.7 E drejta e ajrimit
Konventa për Parandalimin e Torturës, Trajtimeve Çnjerëzore e Degraduese të KE-së parashikon
se ndaj personave të ndaluar dhe arrestuar në ambientet e policisë duhet të ofrohet e drejta për
ajrim. Përsa i përket kubaturave dhe ajrimit jo të përshtatshëm (që është konsideruar si një formë
torture), sqarojmë se jo të gjitha komisariatet janë ri-konstruktuar dhe për rrjedhojë në ato ambiente
sigurie që nuk plotësojnë kushtet për ajrim e ndriçim të plotë natyral sipas mundësive është e
nevojshme që të krijohen mundësi për ajrim për jo më pak se dy orë në ditë.
Nga monitorimet ka rezultuar se në mjaft raste ambientet e policisë nuk kanë infrastrukturën e
përshtatshëm për të mundësuar ushtrimin e kësaj të drejte, si p.sh. në Komisariatet nr.4, 5, në
Tiranë si dhe në Komisariatet e Lezhës, Elbasanit, dhe të Shkodrës. Në këto komisariate ajrimi
bëhej në korridore. Nga korrespondenca e shkëmbyer me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë,
pretendohet se personat e ndaluar/arrestuar mbahen në ambiente që janë ri konstruktuar dhe
ndërtuar sipas parametrave të përcaktuara në Konventën për Parandalimin e Torturës Trajtimeve
Çnjerëzore e Degraduese.
2.8 E drejta për ushqim
Me vendimin Nr. 189, datë 15.03.2017 “Për trajtimin me ushqim të punonjësve, të studentëve dhe
të kursantëve në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit, si dhe të shtetasve të ndaluar dhe
arrestuar deri në sqarimin e pozitës së tyre”, parashikohet se të dënuarve dhe të arrestuarve duhet
t’ju sigurohen 3 vakte ushqim falas në ditë.
Sa i takon shërbimit të furnizimit me ushqim, një zgjidhje e mirë ishte përdorimi i shërbimit
katering, i cili ofrohej me kontraktim nga kompanitë private tri herë në ditë. Në të gjitha
komisariatet e monitoruara rezultoi se ky shërbim ofrohej me katering përveçse në Komisariatin e
Beratit dhe të Sarandës, të cilat, të ndodhura afër Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve
Penale përkatëse, merrnin ushqimet nga kuzhinat e këtyre institucioneve. Përgjithësisht cilësia e
ushqimit u vlerësua e mirë nga personat e ndaluar/arrestuar.
2.9 E drejta për shërbim shëndetësor
Midis të drejtave kryesore të shtetasve të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Konventa
ndërkombëtare të zbatueshme në Republikën e Shqipërisë si dhe në Ligjin për Policinë e Shtetit
(neni 89) është edhe e drejta për të gëzuar nga shteti, në mënyrë të barabartë, të drejtën për kujdes
mjekësor, si dhe sigurim shëndetësor.
10
Përgjithësisht, nga monitorimet e realizuara ka rezultuar se drejtoritë e policisë kanë personel
mjekësor (mjek dhe ndihmës mjek), të cilët mbulojnë me shërbim mjekësor të gjitha komisariatet
e policisë në varësi, në sajë të marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet civile. Megjithatë,
vëzhguesit e KShH-së konstatuan mungesën e mjekut në komisariatet e policisë, përkatësisht në
Komisariatet nr.2 dhe nr.6 në Tiranë, Fushë-Krujë, Krujë, Elbasan dhe Librazhd. Shërbimi
mjekësor për të ndaluarit/arrestuarit në Komisariatin e Elbasanit e ofronte Drejtoria Vendore e
Policisë Elbasan, ndërsa për të ndaluarit apo arrestuarit në Komisariatet e policisë nr.2 dhe 6 në
Tiranë, ofrohet nga personeli mjekësor i D.V.P Tiranë. Lidhur me këtë konstatim të KShH-së,
Drejtoria e Përgjithshme të Policisë, është shprehur se faktet e konstatuara nga ana jonë
qëndrojnë, duke referuar konkretisht se mjeku është i parashikuar në organikën e Drejtorive
Vendore të policisë dhe jo në organikën e Komisariateve. Sa i përket Komisariateve Librazhd,
Krujë, dhe stacionit të policisë Fushë-Krujë, D.P.SH shprehet se në këto stacione policore nuk
mbahen të ndaluar/arrestuar, pasi për këta persona menjëherë pas caktimit të masës si sigurimit
ata transferohen në Komisariatin e Policisë Durrës, pasi dhomat e sigurisë të Komisariatit të
Policisë Fushë-Krujë janë mbyllur dhe nuk përdorën më për mbajtjen e personave të
ndaluar/arrestuar. D.P.SH shprehet se mungesat e personelit mjekësor në organikën e Drejtorive
Vendore të Policisë lidhet me ndryshimin e funksionit të personelit mjekësor nga ai i mesëm (krye-
infermier) në specialist mjek dhe akoma nuk është bërë zëvendësimi i tyre pasi janë në pritje të
përfundimit të procedurave nga Drejtoria e Administratës Publike për emërimin e këtyre
punonjësve.
Mungesat në organikë apo mosplotësimi i tyre privon personat e shoqëruar, të ndaluar dhe të
arrestuar në aksesin e menjëhershëm në një mjek, çka bie ndesh edhe me standardet e Komitetit të
Parandalimit të Torturës (KPT), ku shtetit Shqiptar i është tërhequr vëmendje lidhur me këtë gjë.
KPT, në raportet periodike për Shqipërinë ka rekomanduar që dhënia e ndihmës mjekësore të jetë
e menjëhershme që të mund të identifikohen edhe rastet e mundshme të ushtrimit të dhunës.
Gjithashtu, si pasojë e mungesës së mjekut në organikën e komisariatit ka rezultuar se në të
shumtën e rasteve vizitat mjekësore nuk evidentohen rregullisht në regjistrin e vizitave mjekësore.
Ndërkohë që vëzhguesit e KShH-së kanë kontaktuar me persona të ndaluar dhe të arrestuar që
vuajnë nga sëmundje të ndryshme që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm mjekësor si sëmundjet e
tensionit, të zemrës, të diabetit, etj. Kjo situatë u konstatua në Komisariatin e Policisë Korҫë, Vorë,
Kavajë.
Vëzhguesit e KShH-së, duke marrë shkas nga ankesat e të familjarëve të të ndjerit, Enea Ftoi, i cili
humbi jetën gjatë qëndrimit të tij në Komisariatin e Policisë Korçë në datën 17 Maj 2018, po në të
njëjtën datë realizuan një monitorim në ambientet e këtij Komisariati. Nga kontakti i marrë me
kryeinfermierin e Komisariatit rezulton se sipas thënieve të tij, i ndjeri ka marrë mjekim dhe është
kontrolluar nga ai çdo ditë, ndërkohë që vëzhguesit e KShH-së konstatuan se për të ndjerin është
dokumentuar në regjistrat përkatës se është kontrolluar vetëm në datën 15 Maj, ora 15:00. Vizitat
mjekësore nuk janë bërë nga një mjek për shkak të mungesës së një pozicioni të tillë në organikën
e personelit. Gjithashtu, vëzhguesit e KShH-së vunë re se, ditën kur i ndjeri kishte ndërruar jetë,
kishte një mospërputhje mes Regjistrit të Dorëzimit të Shërbimit dhe shkresës përcjellëse drejtuar
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë. Konkretisht, në Regjistrin e Dorëzimit të Shërbimit, të dt.17
Maj, nga ora 6:00 deri në 7:45 (të mëngjesit) rezulton se kur ishte bërë ndërrimi i turneve, gjendja
11
e të gjithë të ndaluarve dhe arrestuarve paraqitej normale dhe pa probleme. Ndërkohë në shkresën
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, nga ky Komisariat është bërë me dije se shtetasi Enea Ftoi ka
ndërruar jetë në orën 07:30, të datës 17 Maj 2018. Gjithashtu, punonjësit e kontaktuar nuk ishin në
gjendje të jepnin një informacion për kushtet dhe rrethanat në të cilat kishte ndodhur vdekja e këtij
shtetasi.
2.10 E drejta për të paraqitur kërkesa dhe ankesa
Në nenin 115 të Ligjit “Për Policinë e Shtetit” parashikohet shprehimisht e drejta për kërkesa dhe
ankesa të personave të privuar nga liria në ambientet e policisë, ku thuhet se “Çdo person i
shoqëruar, i ndaluar apo i arrestuar në ambientet e policisë, si dhe çdo shtetas tjetër, ndaj të
cilit punonjësit e policisë kryejnë veprime sipas dispozitave të këtij ligji ose që cënohen gjatë
kryerjes së këtyre veprimeve, ka të drejtë t’u paraqesë kërkesë/ankesë me gojë ose me
shkrim drejtuesve të policisë apo institucioneve të tjera shtetërore..... “.
Vëzhguesit e KShH-së konstatuan se personeli i institucioneve të monitoruara nuk mbante apo
dokumentonte në mënyrë të rregullt dokumentacionin që evidenton natyrën e kërkesë-ankesave të
këtyre personave. Gjithashtu është konstatuar se për pjesën dërrmuese të kërkesë ankesave nuk
dokumentohej mënyra e trajtimit dhe e zgjidhjes së tyre. Shtetasit e ndaluar dhe të arrestuar nuk
ishin të ndërgjegjësuar sa duhet për këtë të drejtë dhe pjesa më e madhe e kërkesë ankesave, sipas
personelit paraqitej verbalisht tek punonjësit e dhomave të sigurisë.
Në Komisariatin nr. 6 në Tiranë dhe në Komisariatin e Policisë Pogradec nuk kishte një regjistër
të kërkesë-ankesave. Në Stacionin e Policisë Përrenjas, Komisariatin e Policisë Elbasan,
Komisariatin e Policisë Librazhd, Komisariatin e Policisë Fushë-Krujë, Krujë, Dibër, Kukës,
Sarandë u vu re se në regjistrin e kërkesë-ankesave nuk ishte shënuar asnjë ankesë, pavarësisht se
ekzistonin rubrikat përkatëse në to, çka vë në pikëpyetje efikasitetin e funksionimit të këtij
mekanizmit. Në disa raste, në regjistrat e kërkesë-ankesave vërehej me sy të lirë se në këtë rubrikë
shënohej se “nuk ka ankesa” me të njëjtin shkrim dhe jo të individualizuar për çdo person, duke
krijuar dyshime për plotësimin formal të regjistrit nga ana e punonjësve të policisë. Në
Komisariatin e Policisë Ersekë rezultoi se regjistri i evidentimit dhe trajtimit të kërkesë-ankesave
për personat e privuar nga liria, pavarësisht se ishte protokolluar që në vitin 2012 nuk ishte
plotësuar asnjëherë.
3. RASTET E USHTRIMIT TË DHUNËS
Gjatë periudhës së realizimit të monitorimeve, vëzhguesit e KShH-së kanë kontaktuar me një
numër të vogël personash të shoqëruar, ndaluar ose arrestuar. Kjo pasi jo në çdo kohë kur realizohet
monitorimi, në ambientet e policisë ka persona të tillë. Asnjë nga personat e kontaktuar nga KShH
gjatë monitorimeve të planifikuara nuk pati ankesa sa i takon ushtrimit të dhunës ose keqtrajtimit
nga punonjësit e policisë së shtetit.
Megjithatë, gjatë periudhës Janar-Korrik 2018, KShH ka marrë ankesa në rrugë telefonike, me
letra apo forma të tjera nga persona të privuar nga liria në institucionet e paraburgimit dhe burgje,
të cilët pretendojnë se gjatë kohës së shoqërimit dhe qëndrimit të tyre në komisariatet e policisë
12
është ushtruar dhunë ndaj tyre. Për arsye se këto ankesa kanë ardhur mbas një kohe relativisht të
gjatë nga dita e transferimit të tyre nga komisariati në paraburgim ose në burg, KShH e ka pasur
të pamundur verifikimin e tyre.
Disa nga arsyet që vështirësojnë verifikimin e pretendimeve për ushtrim dhune të këtyre shtetasve
janë si vijon:
a) mos ushtrimi i kontrollit mjekësor menjëherë pas vendosjes së tyre në ambientet e policisë;
b) mos mbajtja e rregullt e dokumentacionit mjekësor për vizitat që i janë kryer këtyre
personave gjatë qëndrimit në polici ose;
c) mos-ekzaminimi i menjëhershëm apo problemet e dokumentimit të ekzaminimit mjekësor
menjëherë pas transferimit të personave ndaj të cilëve caktohet masa e sigurimit “arrest në
burg” në sistemin e burgjeve,
d) Mungesa e sistemit të kamerave në të gjithë hapësirat e ambienteve të komisariateve si dhe
kohëzgjatja relativisht e ulët e ruajtjes së regjistrimeve të videos në këto kamera;
Gjithashtu, një aspekt që vështirëson verifikimin e këtyre pretendimeve është mungesa e
infrastrukturës së nevojshme për regjistrimin audioviziv të marrjes së tyre në pyetje apo të faktit
që në disa raste dhuna e ushtruar pretendohet se është bërë gjatë kohës së transportimit të këtyre
shtetasve në ambientet e policisë, sikurse ishte rasti i të dënuarit Luan Taipi i cili pretendon se
është dhunuar nga forcat policore në furgon gjatë shoqërimit nga vendi i arrestimit për në
Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Bazuar në të dhënat e publikuara në media, KShH kreu një monitorim të veçantë për rastin e
shtetasit Egjiptian E.F, për të cilin familjarët pretenduan se ndaj tij ishte ushtruar dhunë fizike, me
pasojë vdekjen e tij në ambientet e Komisariatit të Korçës. Pretendimet e familjarëve nuk arritën
të verifikohen pasi vëzhguesit e KShH-së nuk patën akses në dokumentacionin e ekspertimit.
KShH ka reaguar me deklaratë publike edhe në raste të tjera, ku mund të përmendim pretendimet
për ushtrim dhune nga policia ndaj protestuesve së Rrugës së Kombit.
Çdo rast i pretendimit të ushtrimit të dhunës kërkon një hetim të plotë, të shpejtë dhe të gjithanshëm
nga organi i prokurorisë. Nga korrespondenca që KShH ka pasur me Shërbimin për Çështjet e
Brendshme dhe Ankesat si dhe me Prokurorinë, për ankesat e ardhura nga shtetasit lidhur me këto
raste ka rezultuar që prokuroria ka vendosur pushim të çështjes penale. Gjithashtu, është vërejtur
se mungon qasja për një hetim të plotë, objektiv dhe të thellë. Madje, për disa nga personat të cilët
kanë pretenduar se janë dhunuar, prokuroria ka regjistruar ndaj tyre procedim penal me akuzën e
“Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”. Ndërkohë që
në asnjë rast, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nuk ka pranuar se ndaj shtetasve të
ketë rezultuar se është ushtruar dhunë. Në bazë të korrespondencës së shkëmbyer me Drejtorinë e
Përgjithshme të Policisë, është pretenduar dhe kërkuar që të jepen raste konkrete të ushtrimit të
dhunës nga personeli policor. Ndërkohë në raport janë të pasqyruara rastet konkrete.
4. KUSHTET E AMBIENTEVE KU MBAHEN PERSONAT E SHOQËRUAR
NDALUAR DHE TË ARRESTUAR
13
Monitorimi i KShH-së evidenton se në shumicën e Komisariateve, kushtet infrastrukturore nuk
plotësojnë kërkesat minimale dhe standardet që kërkojnë respektimin e dinjitetit të personave të
shoqëruar, ndaluar dhe arrestuar. Sikurse do të përmendet në vijim, në disa prej këtyre
Komisariateve gjendja e infrastrukturës ishte tepër e rëndë dhe i vendoste personat në kushtet e
trajtimit ç’njerëzor dhe degradues.
Në disa prej komisariateve të ri konstruktuara rishtazi, në dhomat e sigurisë me kapacitet për një
person, gjendej më shumë se një i/e ndaluar/arrestuar. Kjo situatë u konstatua në Komisariatet Nr.
1, 2, 3 dhe 5 në Tiranë. Sipas standardeve të përcaktuar nga Komiteti për Parandalimin e Torturës,
parametrat e dëshirueshme të sipërfaqes së mjedisit për një person që qëndron në një dhomë sigurie
në ambientet e policisë për disa orë, duhet të jenë rreth 6 m2, me distancë ndërmjet mureve 2 metra,
ose më shumë dhe ndërmjet dyshemesë dhe tavanit 2.5 metra. Në mjaft raste dhomat e sigurisë
dhe të shoqërimit nuk i plotësonin standardet ligjore të hapësirës për një person. Në disa
Komisariate (nr.1, 3, 5, 6 në Tiranë) kishte dhoma me sipërfaqe gati 4m2, ku ishin vendosur në
dysheme 2 dyshekë, të cilët shërbenin për të fjetur personat e ndaluar apo të arrestuar, duke zënë
kështu të gjithë sipërfaqen e lirë të dhomës. Në Komisariatet e Sarandës, Fushë Krujës, Malësisë
së Madhe, Librazhdit, Elbasanit, Pogradecit, Ersekës, Komisariatin nr.4 dhe nr.6 në Tiranë
mungonin dhomat e posaçme të shoqërimit. Në këto komisariate veprimet verifikuese me të
shoqëruarit bëhen në zyrat e administratës ose në korridorin e dhomave të sigurisë. Lidhur me këtë
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit referon se për sa kohë qëndrimi i personave të
shoqëruar është 10 orë, atëherë nuk është e nevojshme vendosja në këto ambiente e
shtretërve/krevateve për fjetje apo pushim.
Pjesa më e madhe e komisariateve të monitoruara nuk dispononin një dhomë të posaçme sigurie
për të miturit, ose një dhomë për personat e gjinisë femër sikurse u konstatua në komisariatin e
policisë nr. 1, nr. 4 në Tiranë, në komisariatin e Malësisë së Madhe, Ersekës, Librazhdit, Krujës,
Beratit, Elbasanit, Pogradecit, Sarandës. Në disa raste kishte vetëm një dhomë për të dy këto
kategori dhe në disa raste nuk kishin asnjë dhomë të tillë.
Në pjesën më të madhe të institucioneve të monitoruara rezultoi se kushtet e jetesës në dhomat e
shoqërimit dhe në dhomat e sigurisë ishin teje të amortizuara dhe në gjendje tepër të rëndë. Një
nga arsyet kryesore ka të bëjë me faktin se godinat ku janë vendosur Komisariatet janë të vjetra
dhe të pa-ri konstruktuara si p.sh. Komisariati i Policisë nr. 1, 2, 3, 5, në Tiranë, Komisariati i
Ersekës, Shkodrës, Malësisë së Madhe, Elbasanit, Kavajës, Beratit, Krujës, Fushë Krujës. Disa
nga problemet e konstatuara lidhur me këto kushte ishin prezenca e theksuar e lagështirës,
mosmirëmbajtja e mureve, të cilat ishin të palyera dhe me suva të dëmtuar, mungesa e ndriçimit
natyral dhe ndriçim i dobët artificial (Komisariatet nr. 3, 5 në Tiranë, Krujë, Lezhë, Sarandë, Dibër,
Tepelenë, Gjirokastër, Ersekë, Malësi e Madhe).
Dhomat e shoqërimit ishin kryesisht të dëmtuara, pasi aty mbaheshin edhe persona të cilët mund
të ishin në efektin e pijeve alkoolike apo lëndëve narkotike, të cilët ishin vendosur në këto ambiente
për shkak të rrezikut që i kishin kanosur sigurisë dhe rendit publik. Në këto dhoma, kushtet linin
për të dëshiruar dhe mungonin kushtet minimale për të qëndruar apo për tu shtrirë për disa orë.
Kryesisht në këto dhoma kishte stola metalik të fiksuar në dysheme.
14
Gjithashtu ka rezultuar se mjetet e transportit të Komisariateve (Gjirokastër, Tepelenë, Lezhë,
Malësi e Madhe, Dibër) janë tepër të vjetra dhe të amortizuara, çka cenon mbarëvajtjen normale
të punës, veçanërisht për Komisariatin e Policisë në Ersekë ku transporti realizohet me kafshë.
Në disa nga institucionet e sipërpërmendura higjiena linte për të dëshiruar, për shkak të mungesës
së sanitares, pozicioni i së cilës nuk ishte parashikuar në organikë. Për shkak të kësaj mungese,
shërbimet sanitare realizoheshin nga oficerët e shërbimit. U vu re mungesë detergjentesh, të cilët
shpesh herë bliheshin nga vetë punonjësit e policisë. Tualetet ose dushet ishin në kushte të
mjerueshme, si nga pikëpamja e higjienës, mungesës së ndriçimit dhe amortizimit të lartë të
pajisjeve të tyre, përkatësisht në Komisariatet Nr. 1, 2, 4 dhe 5 Tiranë, Krujë, Tepelenë, Dibër,
Gjirokastër.
5. KRIMINALITETI
Në fokus të monitorimit ka qenë edhe gjendja e kriminalitetit dhe marrja e informacionit nga
personeli por edhe personat se për cilat kategori të veprave penale ishin ndaluar apo arrestuar nga
organet e policisë. Nga informacionet e marra rezultoi se natyra e veprave penale ndryshon nga
qarku në qark. Veprat penale më të përhapura në të gjitha qarqet ishin ato kundër jetës dhe
shëndetit, dhuna në familje, veprat penale kundër pasurisë, kultivimi dhe shitja e lëndëve
narkotike.
Megjithatë, rezultojnë edhe raste kur personat shoqërohen, ndalohen ose arrestohen edhe për vepra
penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore sikurse ishte rasti i disa grave të minoritetit rom, të
shoqëruar në Komisariatin. nr. 4 në Tiranë. Gratë ishin shoqëruar për shkak se dyshohej se kishin
bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesat e tyre. Gjatë monitorimit, KShH
kontaktoi me fëmijët e mitur të këtyre dy shtetasve, të cilët ishin të pashoqëruar nga të rritur dhe
kishin përshkuar të vetëm dhe në këmbë rrugën e largët nga banesa e tyre, në Komisariatin e
Policisë.
6. PERSONELI NË DREJTORITË/ KOMISARIATET E POLICISË
Sikurse është përmendur më herët në këtë raport, vëzhguesit kanë vërejtur mungesa në stafin
mjekësor, mungesa të psikologut ose të juristit si dhe mungesa në stafin sanitar. Sa i përket
mungesave në stafin mjekësor apo mungesën e juristit dhe psikologut, Drejtoria e Përgjithshme e
Policisë së Shtetit shprehet se me urdhrin nr.177, datë 13.03.2018. “Për miratimin e strukturës
dhe organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit” është përcaktuar se funksionet:
psikolog, jurist, specialist mjek janë të ndara nga njëra tjetra dhe do emërohen sipas arsimit dhe
profilit përkatës.
Sa i takon raportit meshkuj dhe femra, KShH vlerëson si pozitiv shtimin e punonjësve femra
me uniformë në radhët e personelit të institucioneve të monitoruara. Numri i punonjësve
femra në institucion varionte nga 2 deri 30 punonjëse femra, në varësi edhe të numrit total
të personelit apo madhësisë së Komisariatit/Drejtorisë së Policisë. Megjithatë, për disa nga
Komisariatet mbetet shqetësuese fakti se në organikën e institucionit nuk ka punonjëse femra
(Komisariatet nr. 5, Tiranë, Fushë-Krujë, Tepelenë, Gjirokastër). Kjo situatë është shqetësuese për
15
shoqërimet, ndalimet apo arrestimet e personave të gjinisë femër, gjatë kontrollit të tyre fizik por
gjithashtu edhe gjatë kohës që ato qëndrojnë në ambientet e policisë dhe përdorimit prej tyre të
tualeteve. Lidhur me këtë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit pretendon se në organikë
e këtyre komisariateve dhe stacioneve të policisë ka punonjëse femra të cilat janë në shërbim të
patrullës së përgjithshme, ndihmës specialist për policimin në komunitet dhe strukturat e policisë
kriminale.
7. REKOMANDIME
A. KShH sugjeron marrjen e masave për dokumentimin e marrjes, trajtimit dhe zgjidhjes së
të gjitha kërkesë – ankesave të personave të shoqëruar, ndaluar dhe arrestuar. Gjithashtu,
rekomandojmë mbajtjen dhe plotësimin e rregullt të Regjistrit të Kërkesë-Ankesave në çdo
Stacion, Komisariat/Drejtori Policie.
B. KShH rekomandon rishikimin e organikës së komisariateve të policisë me qëllim krijimin
e mundësisë për shtimin e pozicionit të mjekut, juristit, psikologut si dhe rekrutimin e të paktën
një personeli femër në secilin Komisariat.
C. KShH rekomandon që për çdo person të ndaluar dhe të arrestuar në flagrancë, ti nënshtrohet
menjëherë kontrollit mjekësor dhe rezultatet e këtij kontrolli të dokumentohen në kartelën
mjekësore të personit. Edhe gjatë qëndrimit të këtyre shtetasve në Komisariate, ata duhet të
vizitohen në mënyrë të rregullt dhe periodike nga një personel mjekësor dhe këto vizita të
dokumentohen në kartelën mjekësore.
D. I rekomandojmë Prokurorisë të kryejë një hetim të plotë, objektiv dhe të gjithanshëm të
çdo rasti të pretendimeve për ushtrim dhune nga forcat e policisë ndaj personave të shoqëruar,
ndaluar dhe arrestuar. Gjithashtu, i sugjerojmë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat
të kryejë një hetim sa më objektiv dhe të paanshëm të këtyre rasteve dhe të forcohet sistemi i
sanksioneve për shkeljet e konstatuara.
E. I rekomandojmë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të forcojë masat për referimin dhe
evidentimin e rasteve të dhunës ndaj personave të shoqëruar, ndaluar dhe arrestuar, duke parë
mundësinë e shtimit të kamerave të sigurisë dhe prezencës së tyre në ambientet e marrjes në pyetje
të këtyre shtetasve.
F. KShH sugjeron se krahas rritjes së kontrollit dhe ndëshkimit të rasteve të keqtrajtimeve, të
vijojë me trajnimin e vazhdueshëm të personelit me uniformë në Policinë e Shtetit si dhe
përditësimin apo pasurimin e kurrikulave të trajnimit me raste nga jurisprudenca e Gjykatës së
Strasburgut.
G. KShH i rekomandon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve evitimin e vonesave në
lëshimin e urdhrave të transferimit për personat e dënuar në mungesë, të cilët pasi kapen nga
policia qëndrojnë në ambientet e Komisariateve deri në 6-7 ditë. Gjithashtu i rekomandojmë
Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit një koordinim më të mirë me Drejtorinë e
Përgjithshme të Burgjeve për të gjetur një zgjidhje sa më efektive që adreson këtë problematikë.
16
H. Lidhur me trajtimin e grupeve të veçanta, si të miturit, grate, të sëmurët mendore, personat
që i përkasin minoriteteve, Komunitetit LGBTI apo përdoruesit e lëndëve narkotike etj., KShH
sugjeron trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të punonjësve të Policisë së Shtetit me qëllim
ndërgjegjësimin e këtyre punonjësve për të drejtat që gëzojnë shtetasit në konflikt me ligjin, duke
pasur parasysh mos diskriminimin dhe trajtimin human në respektim të legjislacionit kombëtar
dhe atij ndërkombëtar në këtë fushë.
I. I sugjerojmë të gjitha Komisariateve të shmangin praktikën e arrestimit në flagrancë të
shtetasve në ambientet e Komisariatit, shtetas të cilët fillimisht shoqërohen gjatë kapjes së tyre në
mjediset jashtë Komisariatit, çka ndikon në zgjatjen e pajustifikuar të afateve si dhe në
mosrespektimin e gjendjes së flagrancës konform Kodit të Procedurës Penale.
J. KShH sugjeron rishikimin e mundësisë për rrethimin e tualeteve dhe dusheve në
Komisariatin e Gjirokastrës, Lezhës, me qëllim që të respektohet për aq sa është e mundur
privatësia e personave gjatë qëndrimit të tyre në tualet dhe të mos jenë plotësisht dhe lehtësisht
aksesueshme nga ana e personelit.
K. Rekomandojmë që për komisariatet të cilat kanë kushte jo të mira infrastrukturore tu vihen
në dispozicion fonde për mundësimin e realizimit të disa rregullimeve të domosdoshme si lyerje,
meremetim, mirëmbajtje, sigurimi i ndriçimit të mjaftueshëm elektrik, pajisja me krevate dhe
shtroje, pajisja me sistem ngrohje/ftohje, instalimi i dritareve dhe rrjetave kundër insekteve, etj.
L. Rekomandohet pajisja me mjete të reja të transportit të Komisariateve (Gjirokastër,
Tepelenë, Lezhë, Malësi e Madhe, Dibër që garantojnë mbarëvajtjen normale të punës, veçanërisht
për Komisariatin e Policisë në Ersekë ku transporti realizohet me kafshë.