Upload
others
View
2
Download
0
Embed Size (px)
Citation preview
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian
Dokument parlamentar
PROCESVERBAL
Data 17.02.2016, ora 09:30-11:00
Drejton mbledhjen:
Majlinda Bregu – kryetare e Këshillit
Rendi i ditës:
Informim nga ministrja e Integrimit Europian, zonja Klajda Gjosha, rreth ecurisë së
zbatimit të pesë prioriteteve, hapa kyçë për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë
në Bashkimin Europian.
Marrin pjesë:
Majlinda Bregu, Taulant Balla, Aldo Bumçi, Oerd Bylykbashi, Eduard Shalsi, Alfred
Peza, Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Odeta Barbullushi, Eralda Çani, Enio Haxhimihali
(anëtar zëvendësues), Esmeralda Shkjau, Gramoz Ruçi, Fatmir Mediu, Gledis Gjipali, Gjergji
Vurmo, Ilva Tare, Kol Nikollaj, Lorena Pullumbi (anëtare zëvendësuese), Zana Vokopola,
Nikolin Jaka, Arben Shkodra, Evgjeni Bashuri (anëtare zëvendësuese), Pranvera Strakosha,
Irma Baraku, Besnik Dervishi dhe Claudia Vollmer.
Mungojnë:
Genc Pollo, Edi Paloka, Flamur Noka, Ridvan Bode, Fatmir Xhafaj, Spartak Braho,
Arta Dade, Shpëtim Idrizi, Erion Braçe, Genc Ruli, Klodjan Seferaj, Klodiana Spahiu, Ilda
Zhulali, Igli Totozani, Monika Kryemadhi, Alba Çela, Shkëlqim Ganaj, Edith Harxhi, Vasil S.
Tole, Elton Rukaj, Dhori Kule, Anila Basha, Adriatik Llalla dhe zëvendëskryetari i Këshillit
të Lartë të Drejtësisë.
I ftuar:
Gentjan Elezi – zëvendësministër i Integrimit Europian
1
HAPET MBLEDHJA
Majlinda Bregu – Të nderuar anëtarë, fillojmë mbledhjen në pritje që edhe kolegët
e tjerë, sapo t’u dalë gjumi, të pinë kafen, të na bashkëngjiten, sepse takimi ishte në orën
09:30!
Megjithatë, mirëmëngjesi dhe faleminderit të gjithëve që keni ardhur, për më tepër të
gjithë atyre që erdhën në orar!
Mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, në fakt, ka si
qëllim kryesor shqyrtimin dhe diskutimin e planit të veprimit apo të dokumenteve që qeveria
shqiptare ka përgatitur ose po përgatit për hapjen e negociatave.
Ndërkohë, para se të fillojmë me pjesën thelbësore të takimit, në dosje të gjithë
anëtarët e këshillit kanë planin e punës për vitin 2016, të përgatitur tashmë për Këshillin
Kombëtar për Integrimin Europian.
Do t’ju lutesha t’i hidhnit një sy brenda kësaj jave, për të na përcjellë propozimet ose
vërejtjet tuaja, në rast se keni. Bashkëlidhur tij keni një listë aktivitetesh, të cilat do të jenë
pjesë e strategjisë së komunikimit të të gjitha aktiviteteve, të cilat do të jenë publike për vitin
2016, duke mirëpritur, njëkohësisht edhe për këtë dokument, propozimet tuaja, për të cilat,
personalisht dhe jo vetëm, besoj se shpreh mendimin e të gjithë kolegëve, do të preferonim të
kishim një angazhim më të madh dhe propozime edhe nga shoqëria civile, e cila është anëtare
me të drejta të plota, si dhe të gjithë kolegët e tjerë në këtë Këshill Kombëtar.
Por për të mbërritur deri tek aktivitetet e tjera besoj se ka nevojë për të rifreskuar pak
ose për t’i dhënë një dinamikë tjetër mundësisë dhe përfshirjes së tyre në këtë Këshill
Kombëtar. Prandaj do të ishte mirë dhe do t’ju sugjeroja që brenda kësaj jave të kishit një
listë me propozime, të cilat do të na bëjnë të mundur, duke filluar nga muaji mars, aktivitetet
e mëtejshme të Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian.
Në rast se nuk ka ndonjë gjë për dy pikat e para, kalojmë në pjesën kryesore të
takimit.
E para, vitin e kaluar është miratuar në parlament një ligj, i cili shton rolin
kontrollues të parlamentit në procesin e integrimit ndaj qeverisë. Ligji, në fakt, ka qenë një
propozim imi dhe i zotit Balla. Ka disa detyrime konkrete, të cilat nuk janë respektuar dhe që
kanë afate kohore, për të cilat, ndër të parët për t’i zbatuar duhet të ishte qeveria, Ministria e
Integrimit në këtë rast dhe jo vetëm. Por Ministria e Integrimit Europian, duke qenë se është
koordinatore e procesit, përcjell mendimin dhe punën e të gjithë kolegëve të qeverisë.
2
E para, në bazë të këtij ligji, dhe do ta nis me këtë, për të mbërritur pastaj te
dokumenti i planit të veprimit, ne duhet të kishim listën e përditësuar të projektakteve, të cilat
vijnë deri në datën 31 janar të vitit 2016. Pra, një listë për të gjitha aktet ligjore, projektligje
të cilat do të propozohen brenda një viti.
Jemi në mes të shkurtit dhe nuk ka mbërritur asgjë në parlament, në Komisionin e
Integrimit Europian, sigurisht që jo e jo, asnjë informacion, por ndërkohë janë edhe një sërë
detyrimesh të tjera, të cilat kanë të bëjnë me raportimet dhe konsultimin e dokumenteve të
rëndësishme bazë për këtë proces.
Nisur nga procesi i konsultimit, i gjithëpërfshirjes dhe i bashkëveprimit, në të njëjtën
linjë, përpara se t’ia kaloj fjalën ministres, qëndron edhe dokumenti i përgatitur ose më saktë
dy dokumente, të cilat qeveria i ka përgatitur për t’u bërë gati për procesin e hapjes së
negociatave.
Më lejoni, meqenëse mbrëmë ka pasur një diskutim në Parlamentin Europian të
rezolutës për Shqipërinë, të përgatitur dhe të propozuar nga Raporteri për Shqipërinë, zoti
Flekenshtajn, edhe në emrin tuaj ta përshëndes këtë rezolutë dhe diskutimin që është zhvilluar
në Parlamentin Europian.
Por, sigurisht, do të ishte shumë mirë që edhe parlamenti shqiptar të përfshihej dhe të
dilte, edhe në respektim të ligjit që ju përmenda pak më lart, në një rezolutë, e cila të
ripërsërisë dhe të forcojë angazhimin e të gjithëve ne për ta marrë seriozisht këtë proces, i
cili, më vjen keq që duhet ta them publikisht, më duket më tepër se po ngelet peng i masave
teknike dhe pa frymëzim politik, sepse dokumentet e prodhuara së fundi, në rast se do të ishin
konsultuar më parë me të gjithë, do të kishte qenë shumë mirë të kishim shmangur një tufë
me gabime dhe qëndrime jokorrekte.
Megjithatë, për këdo që nga ju e ka parë planin e veprimit, besoj se do të ketë pyetje
gjatë këtij diskutimi të sotëm. Nuk do të jemi të hapur gjithë kohën për medien, për faktin se
ky është një takim pune, ndaj nuk do të doja që në këtë forum ne të përsërisim dhe të
konsiderohet vetëm si pjesë e qëndrimeve të caktuara politike. Bëhet fjalë për të përmirësuar
ato dokumente zyrtare dhe ato masa të nevojshme që duhen për çeljen e negociatave, por, nga
ana tjetër, sigurisht, besoj se është në interesin e të gjithëve për të kuptuar se ku është puna
deri sot.
Atëherë, zonja Ministre, unë kam një pyetje, e cila, besoj se do t’ju japë mundësinë
juve të shpreheni dhe pastaj kolegëve për të vijuar me diskutimet e tjera: a ka sot qeveria
shqiptare një dokument zyrtar të mirëfilltë, i cili të parashikojë masat e nevojshme për çeljen
e negociatave, për sa kohë deklaratat politike të nivelit të lartë, në të gjitha takimet me
3
zyrtarët e lartë dhe me partnerët tanë, flasin për një proces të mundshëm pritshmërie nga pala
shqiptare brenda vitit 2016? Të paktën, nëse flitet për propozimin nga Komisioni për çeljen e
negociatave, edhe pse unë nuk pres që kjo të ndodhë para vitit 2017, por, gjithsesi, duke pasur
parasysh edhe eksperiencën e vendeve të tjera, të cilat një vit para procesit të çeljes së
negociatave kanë përgatitur dokumentet strategjike, të cilët kanë qenë bazë për këtë proces,
pra kanë ngritur grupin e punës për të hartuar një strategji kombëtare, e cila të ketë parasysh
dhe të përcaktojë prioritet kombëtare për procesin e negociatave, të identifikojë trupën e
ardhshme të negociatorëve (kështu ka ndodhur me të gjitha vendet që janë anëtarësuar së
fundi, të paktën një vit më parë); të caktojë një qasje strategjike në një dokument strategjik
për interesat kombëtare; t’i japë mundësi administratës shqiptare, e cila do të përfshihet në
procesin e negociatave të trajnohet apo të riaftësohet edhe për këtë, që është faza më e
vështirë e këtij procesi; të bëjë një analizë të të gjitha strukturave institucionale që janë në
fuqi e të tjera. Të gjitha këto, në fakt, ose jemi vonë, sepse do të duhet të kishin qenë të
përgatitura në një dokument i cili duhet të ishte jo vetëm i konsultuar me ne, pra me Këshillin
Kombëtar, por sigurisht edhe në publik për të gjithë aktorët e tjerë. A kemi sot një dokument
zyrtar të përgatitur nga qeveria? Nëse po, kush e ka miratuar? Sa gjithëpërfshirës ka qenë?
Çfarë kontributi ka nga aktorët e tjerë për të siguruar gjithëpërfshirje?
Klajda Gjosha – Faleminderit, zonja kryetare!
Si gjithmonë këto takime nisin me kritika, në fakt, disa prej tyre edhe të pabaza, për
arsye se unë kam bindjen që qeveria shqiptare, por edhe Ministria e Integrimit Europian, ka
qenë shumë e hapur për të ndarë me ju të gjitha dokumentet që ne kemi punuar, sidomos ato
që kanë të bëjnë me pesë prioritetet kyçe, përmbushjen e rekomandimeve që kanë ardhur nga
Komisioni Europian dhe vendet anëtare, sepse, në fakt, këto janë edhe prioritetet që do ta
çojnë Shqipërinë drejt hapjes së negociatave.
Të gjitha dokumentet, në fakt, janë ndarë me ju. Plani Kombëtar i Integrimit
Europian, edhe në qoftë se nuk është ndarë tashmë, do të jetë me ju brenda pak ditësh, pasi
vetëm para një jave është miratuar në qeveri. Kështu që do të ndahet edhe me Komisionin e
Integrimit Europian, me këshillin dhe të gjithë aktorët përkatës. Në fakt, ai ka qenë edhe një
dokument i diskutuar dhe i shpërndarë më parë edhe pranë shoqërisë civile për të marrë
mendimet e tyre, disa prej tyre edhe të reflektuara. Patjetër që mendimet e tjera janë pjesë dhe
do të bëhen pjesë e grupeve ndërinstitucionale të punës, të cilat në vazhdimësi mblidhen dhe
diskutojnë për planin kombëtar të veprimit, për përditësimin e tij dhe për risitë që ai duhet të
sjellë apo edhe me legjislacionin, i cili duhet të përafrohet me Bashkimin Europian.
4
Për sa i përket dokumentit strategjik, të cilin nuk është hera e parë, në fakt, që ju e
përmendni, është një punë që ka nisur në Ministrinë e Integrimit Europian, por do të
diskutohet me të gjithë aktorët, do të ndahet edhe me KKIE-në, pra nuk do të ketë miratim pa
u ndarë edhe me Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian.
Ky do të jetë një dokument, në fakt, nuk është shumë e maturuar nga ana jonë nëse ky
dokument do të bëhej publik në momentet që flasim, sepse do të dukej edhe si një presion i
hapur ndaj vendeve anëtare, të cilat ende presin një rekomandim nga Komisioni Europian për
hapjen e negociatave dhe jo më ne të marrim hapa të mëtejshëm, duke bërë një strategji të
mirëfilltë për anëtarësim.
Pra, hapat duhet t’i marrim një nga një dhe jo të gjitha përnjëherësh, sado dëshirë të
madhe të kemi ne të jemi pjesë e Europës së Bashkuar. Të gjitha gjërat do të bëhen në kohën
e duhur, në momentin e duhur atëherë edhe kur klima, në fakt, të jetë më e mirë edhe për
Bashkimin Europian, edhe për vendet anëtare që të pranojnë vende si Shqipëria, si dhe vendet
e tjera që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian.
Siç e dini, qeveria shqiptare ka disa dokumente mbi të cilat punon dhe monitoron
procesin. Një prej tyre dhe më kryesori patjetër që është edhe Udhërrëfyesi i Pesë
Prioriteteve, i cili ndiqet dhe monitorohet ngushtësisht nga Ministria e Integrimit Europian
dhe raportohet për të në mënyrë periodike edhe pranë Komisionit Europian për plotësimin e
pesë prioriteteve.
Pas progresraportit të vitit 2015, ne punuam për një dokument, i cili përfshin edhe
rekomandimet e reja, në fakt, që kishte progresraporti dhe ky është plani i veprimit, të cilin ne
e kemi ndarë me ju paraprakisht për ta parë atë dhe në bazë të këtij planveprimi që qeveria ka
ngritur dhe bordi që do ta shoqërojë monitorimin e këtij plani deri në hapjen e negociatave që
drejtohet edhe nga Kryeministri i vendit me pjesëmarrjen e ministrave kyçë dhe përgjegjës
për pesë prioritetet. Bordi mblidhet një herë në dy javë.
Pra, siç e shikoni, monitorimi është realisht shumë i ngushtë dhe është parë me shumë
kujdes që asnjë nga afatet, sepse i gjithë plani është i kalendarizuar dhe i kostuar, në fakt, për
t’u dhënë edhe prioritet më të madh të gjitha masave që ministritë përkatëse dhe institucionet
e linjës i kanë vendosur vetë në këtë plan masash.
Përveç pjesës së pesë prioriteteve, tek të cilat do të futem pak më në thellësi për të
treguar edhe punën që është bërë dhe të gjitha masat, si dhe sa kemi arritur ne deri në këto
momente, unë do të thosha që dy pika janë kyçe, në fakt deri në hapjen e negociatave:
reforma në drejtësi, për të cilën ne kemi diskutuar kaq shumë tashmë. Ne mund të bëjmë çdo
gjë në planin teknik, mund t’i përmbahemi çdo afati, por ai çka është kryesor është dialogu
5
politik për të ndërmarrë një reformë, që realisht do t’u kthejë besimin qytetarëve shqiptarë në
sistemin e drejtësisë.
Kjo është ajo çka ka kërkuar edhe Flekenshtajni në rezolutën e tij; kjo është ajo çka
kërkon Komisioni Europian dhe vendet anëtare nga ne. Kështu që maturia e politikës
shqiptare, në fakt, duhet të jetë edhe më e madhe sesa ç’kemi treguar deri sot për të pasur me
konsensus një reformë që do ta çojë përpara Shqipërinë.
Pjesa e dytë është patjetër reforma zgjedhore, për të cilën tashmë ka një komision të
posaçëm të ngritur pranë Kuvendit, ku do të diskutohet për ta çuar këtë reformë deri në
miratim. Edhe kjo reformë është kyçe për të parë ecurinë e saj, procesin, miratimin, për t’i
dhënë vendit mundësinë e kalimit në hapin tjetër, atë të hapjes së negociatave.
Për sa u përket pesë prioriteteve kyçe, unë do të ndalem kryesisht në ecurinë që ne
kemi pasur, duke qenë se kjo është edhe një pikë e rendit të ditës.
Do ta filloja diskutimin me reformën në administratën publike, e cila ka qenë edhe
prioriteti më i vlerësuar nga Komisioni Europian për punën e bërë dhe, në fakt, për nivelin e
arritur deri tani. Kjo reformë ka bërë të mundur krijimin e një strategjie dhe një plani veprimi,
dokumente të cilat kanë shërbyer si bazë për mbështetjen buxhetore të këtij sektori.
Bashkëpunimi i ngushtë me SIGMA-n dhe përkushtimi i institucioneve zbatuese e
kanë forcuar punën dhe zbatimin e reformës në administratën publike.
Mekanizmi i krijuar për monitorimin e zbatimit të ligjit të shërbimit civil vazhdon
raportimi në rregull, sidomos në lidhje me rekrutimet dhe largimet e nëpunësve civilë.
Për të përmirësuar procedurat e rekrutimit për pozicionet e shërbimit civil dhe për të
siguruar transparencë Departamenti i Administratës Publike ka ngritur një sistem inovativ, i
cili automatikisht gjeneron pyetje sipas kritereve specifike të pozicioneve të lira dhe fushave
përkatëse të njohurive të kërkuara.
Sistemi i menaxhimit të burimeve njerëzore, një bazë elektronike të dhënash, i cili
menaxhon informacionin për burimet njerëzore, është shtrirë në të gjitha ministritë e linjës,
po punohet për të përfshirë të gjitha institucionet vartëse dhe do të vazhdojë më tej në
përfshirjen e njësive të qeverisjes vendore.
Strategjia ndërsektoriale e reformës në administratën publike është miratuar dhe
aktivitetet e para të kësaj strategjie kanë filluar të zbatohen.
Ministria e Drejtësisë, gjithashtu, është duke marrë masat e nevojshme për të
siguruar zbatimin e duhur të Kodit të ri të Procedurës Administrative, duke rishikuar
legjislacionin që duhet të jetë në linjë me Kodin, si dhe hartimin e një shpjegimi, udhëzimi i
cili detajon më tej zbatimin e duhur të këtij Kodi.
6
Për sa i përket prioritetit numër dy, edhe ky ka, në fakt, një lidhje të drejtpërdrejtë
edhe me reformën në drejtësi. Tashmë ne kemi edhe rezultatet e para të të gjithë ekspertizës
së marrë për këtë reformë. Jemi në pritje të shpjegimeve të fundit edhe nga Komisioni i
Venecias për të hapur më pas dialogun politik dhe për ta çuar këtë reformë më tej për t’u
miratuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Për sa i përket prioritetit numër tre dhe përpjekjeve të mëtejshme që po bëhen në
luftën kundër korrupsionit, ky është një nga prioritetet kyçe, në fakt, të qeverisë shqiptare dhe
politikat e antikorrupsionit synojnë reduktimin e tij, si dhe rritjen e integritetit të
institucioneve. Miratimi i strategjisë kombëtare kundër korrupsionit 2015-2020 dhe plani
përkatës i veprimit, si dhe ngritja e Rrjetit të Koordinatorëve të Pikave të Kontaktit kanë bërë
që, në fakt, lufta kundër korrupsionit të kanalizohet në forcimin e institucioneve të pavarura
dhe që luftojnë korrupsionin.
Në vijim të rekomandimeve të progresraportit të vitit 2015 për zhvillimin e një
historiku veprimesh, ndjekjesh dhe dënimesh për zyrtarët e lartë, është ngritur sistemi
elektronik i regjistrimit dhe i gjurmimit të të dhënave për rastet e korrupsionit dhe statistikave
të harmonizuara. Sistemi do të mbledhë të dhëna për rastet e korrupsionit në tri faza: të dhëna
nga referimet e autoriteteve publike në prokurori, të dhëna për hetimet kriminale të
prokurorisë dhe veprime procedurale të marra nga gjykatat deri te vendimi final i Gjykatës së
Apelit. Janë nënshkruar, patjetër, edhe disa marrëveshje bashkëpunimi midis institucioneve
për të lehtësuar marrjen e të dhënave.
Unë kam ndarë me ju edhe dokumentin e sotëm me disa shifra. Nuk dua të zgjatem
shumë, në fakt, sepse do të ishte mirë që ne të kishim edhe një diskutim dhe për t’i lejuar
ndoshta edhe më shumë kohë edhe shoqërisë civile. Ndaj, do të vazhdoja me prioritetin
numër katër, që është lufta kundër krimit të organizuar. Këtu kemi shumë përpjekje serioze,
që ishin shprehur edhe në rezolutën e zotit Flekenshtajn të ditës së djeshme, dhe janë bërë për
plotësimin e track record-it për zbulimin e rasteve penale, krimeve të trafikimit, bimëve
narkotike, për zbatimin e strategjive kryesore në luftën kundër krimit të organizuar, ku
përfshihet edhe lufta kundër trafiqeve të paligjshme, si dhe rritja në zbulimin e krimeve
financiare.
Kemi patjetër bashkëpunimin ndërkombëtar, ku gjatë vitit 2015 INTERPOL-i dhe
EUROPOL-i mbeten burimet e shkëmbimit të shumicës së informacionit. Është intensifikuar
bashkëpunimi me SELEC, si dhe bashkëpunimi dypalësh me të gjitha shtetet fqinje dhe
shtetet anëtare të BE-së. Edhe këtu, në fakt, unë kam renditur një sërë të dhënash, dokument
sërish i ndarë me ju.
7
Më lejoni të them që të dyja këto prioritete, si lufta kundër korrupsionit, ashtu edhe
kjo e krimit të organizuar, në fakt, kanë një varësi direkte nga reforma në drejtësi, në mënyrë
që të krijohet edhe historiku i të dhënave, aq shumë i kërkuar nga vetë Bashkimi Europian.
Për sa i përket prioritetit numër pesë “Marrja e masave efektive për forcimin e
mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, në fakt, kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
është gjerësisht në përputhje me standardet europiane. Punë e vazhdueshme po bëhet për
vënien në zbatim të këtij kuadri ligjor.
Pas një pune të konsiderueshme, në dhjetor të vitit 2015 u miratua në parlament edhe
Kodi i Punës. Kemi një sërë arritjesh, në fakt, për mbrojtjen e fëmijëve, për barazinë gjinore,
për funksionimin e një sistemi kombëtar elektronik për regjistrimin e rasteve të dhunës në
familje e kështu me radhë. Dokumenti është sërish me ju.
Në lidhje me të drejtat e pronësisë, gjatë vitit 2015, pas përfundimit të rishikimit të
plotë të legjislacionit dhe një sërë konsultimesh me grupe të ndryshme interesi, institucionet e
përfshira dhe ekspertët nga Banka Botërore, Këshilli i Europës, Ministria e Drejtësisë
vazhduan me hartimin e një ligji të ri të propozuar, i cili është miratuar në parlamentin
shqiptar më 2 dhjetor të vitit 2015. Ligji u përgatit, në fakt, duke marrë si pilotë reference
vendimin dhe praktikat e Gjykatës Ndërkombëtare.
Si vijon, është formula efektive dhe reale për kompensimin e pronarëve dhe periudha
kohore e arsyeshme për realizimin e të gjithë procesit.
Përveç pjesës së pesë prioriteteve, patjetër që Ministria e Integrimit Europian vijon
punën me një sërë dokumentesh dhe ky është Plani Kombëtar i Integrimit Europian, që unë e
thashë pak më parë, është miratuar vetëm para një jave në qeveri. Ndërkohë, vazhdon puna
për nëntë komitetet për të gjithë kapitujt. Monitorimi i tyre dhe bashkëpunimi tepër i ngushtë
që ne kemi me Komisionin Europian për të gjitha rekomandimet dhe plotësimin e kushteve
për të gjithë kapitujt, në fund të muajit mars ne do të vazhdojmë dhe do të kryejmë takimin e
radhës të dialogut të nivelit të lartë, ku komisioneri Hahn do të jetë i pranishëm në Shqipëri
për të bërë edhe monitorimin e ecurisë së pesë prioriteteve.
Në fakt, ky këshill është formati më i mirë, ku të dyja palët janë në të njëjtën tryezë si
opozita, ashtu edhe qeveria, për t’u përballur me ecurinë e procesit për pesë prioritetet.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zonja Ministre!
Më lejoni të ndaj jo një shqetësim, por të biem dakord për një mënyrë komunikimi.
Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian nuk është komision parlamentar. Qëllimi
ynë, as i pari dhe as i fundit, nuk është të bëjmë seanca dëgjimore dhe sigurisht të vëmë në
8
siklet apo të shfaqim këtë llogaridhënie, e cila mund të jetë prezente edhe në komisionet
parlamentare.
Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian është një trupë konsultative, dhe besoj se
me këtë ton janë zhvilluar mbledhjet deri sot, ku ne diskutojmë dhe i japim procesit atë që
duhet të ketë: mendimin, kontributin, komentet, propozimet sesi ky proces, i cili është
kombëtar, të ketë me të vërtetë aq sa mundemi edhe prej këtu, prej Këshillit Kombëtar, këtë
gjithëpërfshirje.
Në rast se ju pyeta: “Cili është dokumenti zyrtar që ka qeveria shqiptare për hapjen e
negociatave?” dhe jua përmenda pak më parë eksperiencën e vendeve të tjera, të cilat janë
anëtarësuar para nesh, duke ju thënë se nuk kemi një dokument, i cili të quhet një strategji
kombëtare, ku të përgatisë në një dokument të tërë, jua thashë pak më parë, prioritetet tona
kombëtare, të përcaktojë detyrat institucionale, të kemi identifikimin e saktë të atyre që do të
jenë negociatorët e nesër.
Mendoni, në korrik të vitit të kaluar, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kur keni
raportuar për planin e veprimit keni deklaruar se 90% e masave janë të gjitha të realizuara, që
do thotë se sot për 10% e masave diskutimi juaj mund të kishte qenë shumë më i shkurtër; do
të thotë se për pjesën e realizimit të detyrave nga ana e qeverisë shqiptare, sikur zilja nga
Komisioni Europian dhe vendet anëtare të bjerë nesër për hapjen e negociatave, ne të jemi të
gjithë gati.
Unë them se nuk jemi sot në këtë fazë dhe, pavarësisht vendimmarrjes që do të bëhet
nga vendet anëtare për procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë, ku rolin kryesor,
detyrën e parë e kemi ne, pala shqiptare, për plotësimin e prioriteteve, të detyrimeve tona,
është e rëndësishme që gjërat të organizohen në kohë. Pra, ky proces të ketë një organizim në
kohë dhe jo dokumente me rekomandime afatshkurtra.
Ju pyeta për dokumentin zyrtar, për çeljen e negociatave, e ripërsëris, jo për Planin
Kombëtar të Integrimit Europian. Megjithatë, janë dy ose më saktë tre dokumente që
qarkullojnë sot: Plani Kombëtar për Integrimin Europian, i cili nuk është plani për hapjen e
negociatave; plani i veprimit, të cilin e keni hartuar ju dhe një plan veprimi, roadmap ose
udhërrëfyes, i cili ishte gati dhe që do të duhej vetëm ta rifreskonit për masat e tjera, të cilat
do të vazhdonin.
Tani, për të mos e lënë këtë proces, sepse ndoshta bëhet i vështirë edhe për medien, e
cila në përgjithësi kërkon vetëm lajmin politik, plani i veprimit, të cilin ne ua kemi përcjellë
vetëm para dy ditësh anëtarëve të Këshillit Kombëtar, pasi as ne, Këshilli Kombëtar, nuk jemi
konsultuar, e kam thënë ditën e parë që është mbledhur ky Këshill: nuk mundet as me Bordin
9
e Integrimit, që keni ngritur në qeveri, as sikur të ekzistonte Këshilli Ndërministror i
Integrimit, të miratonte dokumente pa u konsultuar edhe me Këshillin Kombëtar të Integrimit
Europian. Pra, jo do t’jua sjellim dhe do të mbërrijë pas disa ditësh, por duhet konsultuar para
se të miratohet, sepse çdo dokument duhet të ketë një vulë dhe, kur flas për strategji
kombëtare për integrimin, duhet të ketë një vulë kombëtare, pra të jetë kontributi i të gjithëve.
Nuk flas për bërje me dijeni: “Ju përcjellim dokumentet në komision dhe ia
përcjellim edhe Këshillit, po të doni”, flas për përfshirje në hartimin e dokumenteve
strategjike, të cilat, e përsëris, na mungojnë.
Në rast se flasim për planin e veprimit, të cilit ju referuat, zonja Ministre, tani me
shumë dëshirë të mirë për ta bërë këtë punë të mirë dhe kontribut të të gjithëve, nuk mund të
jetë plani i veprimit një plan veprimi, në të cilin ju as arrini dot të identifikoni prioritetet
kryesore.
Keni një prioritet në planin e veprimit që e quani “Sistemi gjyqësor”.
Prioritetin e quani sistemi gjyqësor, ndërkohë që ju kërkohet miratimi i reformës në
drejtësi, ndërkohë për sistemin gjyqësor ju vini si masë reformën në drejtësi. Ky nuk mund të
jetë plani i veprimit! E kuptoni se çfarë diference të madhe ka? Prioriteti ka një emër, që
është reforma në drejtësi, kurse ju thoni: “Është sistemi gjyqësor dhe pastaj do të bëjmë
reformën në drejtësi”. Pra, ka një sërë gjërash të cilat mund të ishin shmangur në rast se do të
kishim pasur një kontribut të përbashkët.
E përsëris, shqetësimi jo vetëm imi, por besoj i të gjithëve ne sot, është sa jemi
kontributorë në hartimin e dokumenteve të rëndësishëm. Ndaj, do t’ju lutesha ta merrni me
seriozitet.
E kam thënë këtë gjë edhe pak më parë, për fatin tim të keq, e njoh këtë proces
ndoshta pak më shumë se të tjerët. Merreni me seriozitet përgatitjen e një strategjie apo të një
dokumenti zyrtar para çeljes së negociatave!
Nuk ka pasur vetëm një dokument kombëtar në vendet e tjera, në rast se do t’i
qasemi vetëm përvojës së tyre, por ka pasur edhe dokumente ekonomike që kanë përcaktuar
detyrimet për të rritur konkurrueshmërinë, për ta përballuar atë, për të ruajtur stabilitetin
makroekonomik të vendit para çeljes së negociatave, që do të thotë se sikur negociatat të
çelen në vitin 2017, qoftë edhe me të gjithë pritshmërinë tuaj në fund të vitit 2016, sot ne
duhet të kishim listën e negociatorëve; sot ne duhet të kishim nisur procesin e trajnimit të
tyre; sot ne duhet të kishim gati prioritetet kombëtare me çfarë do të hyjmë nesër në procesin
e hapjes së negociatave.
10
Pavarësisht atmosferës në Bashkimin Europian, pavarësisht skepticizmit, pavarësisht
teknikaliteteve dhe burokracisë, pavarësisht mungesës së dinamikës në Bashkimin Europian,
detyrimet tona nuk bëhen dot vetëm duke thënë se në vëmendjen e tyre nuk është zgjerimi.
Është problem i madh, sepse kanë hallet e tyre, kjo është e qartë. Ne, ne çfarë po bëjmë?
Këtë dokument, e përsëris, ne sot nuk e kemi! Jemi me vonesë. Dokumenti për çeljen
e negociatave nuk është as Plani Kombëtar i Integrimit Europian, as plani i veprimit.
Po, zoti Balla.
Taulant Balla – Faleminderit!
Në fakt, unë do të kërkoja që në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, për
formatin që është krijuar, të jetë një frymë më bashkëpunuese.
Gjithçka që u tha këtu, edhe nga raportimi nga ana e ministres, por edhe nga fjala që
mbajti kryetarja është që ne të gjithë duhet të jemi në të njëjtën frymë për të përgatitur të
gjitha hapat dhe dokumentet e nevojshëm që jo vetëm i paraprijnë procesit të hapjes së
negociatave, por edhe e bashkëshoqërojnë atë.
Mua më vjen keq që po të dëgjoje mbrëmë në Parlamentin Europian diskutimet e të
gjithë krahëve politikë ishin shumë mbështetës ndaj Shqipërisë, qoftë e djathta, e majta apo
liberalët. Në fakt, ai që do të ishte konkluzioni, të paktën i pjesës së parë të diskutimeve të
kësaj mbledhjeje të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian është: po, është e
domosdoshme që ky këshill, për shkak të mënyrës si është formatuar, t’i propozojë Kuvendit
të Shqipërisë një projektrezolutë, ku të përfshihen edhe rekomandimet që parashtroi kryetarja
e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, pra për të gjithë axhendën e hapave konkretë që
ne duhet të ndërmarrim, sepse është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë të jetë i
pari që të zbatojë ligjet e tij.
Kemi një ligj “Për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian”
dhe e dimë që çdo vit, brenda muajit shkurt, Kuvendi zhvillon një debat dhe miraton
rezolutën për ecurinë e procesit. Po ashtu dua të them se raportimi i zonjës Ministre ishte
shumë i mirë për minutazhin që i dhamë në dispozicion. Nëse do t’i kishim lënë dy orë, do të
kishte raportuar të gjitha hapat konkretë, por kjo pjesë, sigurisht, do të bëhet në pjesën pa
medie.
Ndërkohë, meqenëse e mora fjalën, do të doja të shprehja mbështetjen për
amendamentin e propozuar nga raporteri për Shqipërinë, zoti Flekenshtajn, në
projektrezolutë, sepse mendoj se është shumë e rëndësishme që një mision vëzhgues i
Komisionit Europian të ndjekë procesin e miratimit dhe të zbatimit të reformës në drejtësi, jo
sepse Shqipëria është një vend, ku klasa politike e ka të pamundur të gjejë gjuhën dhe
11
konsensusin për reforma të rëndësishme, por sepse ky do të ishte edhe një mekanizëm më i
shpejtë monitorues që mundëson se detyrën e shtëpisë më të rëndësishme që kemi përgjatë
këtij viti dhe jo vetëm, miratimin e reformës në drejtësi dhe implementimin e saj, ta
raportojmë sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që kushtin që kemi për hapjen e
negociatave ta tejkalojmë sa më shpejt.
Për këtë qëllim, edhe në raportimin e ministres u tha qartë se kur flasim për
prioritetin që lidhet me sistemin gjyqësor, është tërësisht normale dhe e gjithëkuptuar që po
nuk bëmë reformën në drejtësi, ky prioritet nuk realizohet dhe nuk skontohet në numrin e
detyrave të shtëpisë.
Bie dakord që pas miratimit të reformës në drejtësi duhet që Ministria e Drejtësisë,
Ministria e Integrimit Europian dhe Ministria e Brendshme të kenë një plan masash shumë
konkrete për çështjet që lidhen me implementimin e kësaj reforme. Por sot që flasim, ne, si
Kuvend i Shqipërisë, për shkak se ky Këshill Kombëtar funksionon në kuadër të Kuvendit të
Shqipërisë, por që na mundëson të kemi përballë dhe në krah përfaqësues edhe të shoqërisë
civile, të sipërmarrjes dhe institucioneve të tjera kushtetuese, të dimë me hapa konkretë se
çfarë do të bëjmë.
Kështu që do ta mbyllja këtë ndërhyrje timen me propozimin që këshilli dhe
sekretariati i tij të draftojnë sa më shpejt një projektrezolutë.
Për fat të mirë, kemi këtu kryetarët e grupeve parlamentare, të cilët më pas na japin
dakordësinë që këtë projektrezolutë ta kalojmë në procedurën normale parlamentare, ku
grupet parlamentare ta shqyrtojnë, ta miratojmë dhe projektrezoluta të mos jetë thjesht dhe
vetëm një shprehje gatishmërie, por ashtu siç janë projektrezolutat model, si ajo e Parlamentit
Europian mbrëmë, të ketë hapa konkretë dhe detyra konkrete për çdo institucion, edhe për
pjesën e parapërgatitjes së negociatave.
Për sa u përket rasteve të vendeve që kanë kaluar në këtë proces, dhe unë do të doja të
citoja rastin e Rumanisë apo të Kroacisë, është që nëse ne presim të hapim negociatat në
fundin e vitit 2016, atëherë duhet që përgatitja e kapaciteteve për negocimin të fillojë që tani.
Madje duhet të kemi një shkollë për trajnimin e negociatorëve, sepse është procesi më i
rëndësishëm që ka një vend në marrëdhënien kontraktuale me Bashkimin Europian.
Nëse bëhen gabime në procesin e negociatave, është tërësisht e vështirë më pas që ato
çështje të riparohen pasi të kesh mbyllur procesin e negociatave. Kështu që duhen njerëz
ekspertë, shumë të mirë dhe të fushave të ndryshme, por edhe ekspertë që të përshpejtojnë
procesin.
12
Ka pasur vende të tjera që kanë hyrë në këtë proces, por për shkak të negociatorëve e
kanë vonuar shumë procesin e negociatave.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Për saktësi të të gjithëve, po ju lexoj nenin 18 të ligjit “Për rolin e
Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”:
“Neni 18
Raportimi në Kuvend
1. Këshilli i Ministrave, deri më 31 janar të çdo viti, paraqet në Kuvend një raport të
detajuar mbi zbatimin e detyrimeve, sipas Planit Kombëtar për Integrimin Europian, ecurinë e
procesit të bisedimeve për anëtarësim dhe menaxhimin e fondeve nga Bashkimi Europian dhe
donatorë të tjerë, për vitin paraardhës. Raporti shqyrtohet në seancë plenare, në përfundim të
së cilës Kuvendi miraton rezolutën përkatëse.”
Meqenëse sot jemi në datën 17 dhe plani që duhet të paraqesë Këshilli i Ministrave
nuk ka mbërritur, atëherë, zonja Ministre, për këtë kohë që ju ka mbetur nga muajit shkurt,
megjithëse në shkelje e në shkelje të ligjit jemi, në rast se do të sillni dokumentin, miratimin
dhe raportimin tuaj, ne do të bëjmë gati rezolutën, e cila besoj se nuk do ta ketë dakordësinë e
të gjitha grupeve parlamentare, sikurse...
Taulant Balla – Dokumenti ka ardhur.
Majlinda Bregu – Nuk...
Klajda Gjosha – Ju lutem, nuk do të lejoja...!
Majlinda Bregu – Një sekondë, zonja Ministre...!
Klajda Gjosha – Jo, ju lutem!
Majlinda Bregu – ...mbledhjen e drejtoj unë
Klajda Gjosha – Unë e di që këtu ka medie, por kjo nuk është normale, sepse
dokumenti ka ardhur nga Kryeministria, nga Këshilli i Ministrave brenda datës 31 dhjetor.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Mbledhjen po e drejtoj unë.
Atëherë, flas për raportin e detajuar, jo për Planin Kombëtar.
Juve nuk ju lejohet të ngatërroni dokumentet me të cilat punoni çdo ditë. Unë flas për
një raport të detajuar. Në raport ju përfshini planin kombëtar, planin e veprimit, e përcillni atë
me komentet tuaja, e përcillni me bazën ligjore që doni të kaloni për vitin 2016. Ky raport në
Kuvendin e Shqipërisë nuk ka ardhur dhe nuk është prodhuar nga ju.
Flas për raport, jo për copa dokumentesh të veçanta. Sapo të përcillni raportin e
plotë, duke e ripërsëritur, jo vetëm planin kombëtar, planin e veprimit, bazën ligjore, pra
13
inventarin e ligjeve që doni të kaloni, sikurse i parashikon ligji të gjitha në një dokument, pra
një raport nga Këshilli i Ministrave, atëherë sigurisht që nuk ka asnjë problem që ne të gjithë
bashkë të mbërrijmë pastaj në një rezolutë e cila shpreh vullnetin e të gjitha palëve.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Një sekondë, të lutem!
Do t’ju lutesha që të më bënit me dije kush e do fjalën ose nëpërmjet emrave, sepse e
kam të pamundur t’ju kontrolloj të gjithëve me sy.
Fjalën e kanë kërkuar zoti Shalsi (i pari për procedurë), zoti Vurmo, nga shoqëria
civile, zoti Bylykbashi, zonja Vokshi dhe pastaj zonja Çani.
Eduard Shalsi – Faleminderit!
Në fakt, është një forum, të themi, një këshill, ku të paktën t’u kursejmë medies dhe
shqiptarëve, atyre që po na ndjekin, skenarët e ditës së enjte.
Ju sapo thatë që ligji përcakton se brenda datës 31 janar dorëzohen disa dokumente,
të cilat qeveria nuk i paska dorëzuar. Unë do të doja shumë shkurtimisht...
Majlinda Bregu – Raport, jo dokument.
Eduard Shalsi – Raport, pra.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Po, por të lutem shumë, sepse këtu nuk jemi mes nesh, siç mund të ndodhë në
parlament, ku mund të themi çfarë të duam. Për seriozitet, mua të paktën më duhet të kuptoj
nëse kanë ardhur ose jo; kanë ardhur të plota apo të veçanta. Të paktën këtë gjë mund ta
sqarojmë tani, sepse nëse nuk ka ndodhur një gjë e tillë, është e rëndë. Por nëse ka ndodhur,
atëherë përse ngrihet? Jeni të painformuar? Ka diçka që nuk shkon në mënyrën si qarkullon
informacioni? Pra, do t’ju lutesha të informoheshim në lidhje me këtë informacion.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Atëherë, zoti Shalsi, ministrja përcjell në Kuvend, ne jemi pritësit.
Në Kuvend unë jam kryetare e Komisionit për Integrimin Europian, zoti Balla është
zëvendëskryetar i Komisionit për Integrimin Europian; e njëjta dyshe edhe në Këshillin
Kombëtar për Integrimin Europian.
Po e ripërsëris: në bazë të detyrimit ligjor, Këshilli i Ministrave paraqet një raport të
detajuar mbi zbatimin e detyrimeve në Kuvend.
Atëherë, me atë që e nisa këtë takim dhe për të mos e lënë peng vetëm të gjuhës sonë
teknike, nuk ka një raport të detajuar, i cili të përfshijë të gjitha ato që ju përmenda pak më
lart, që do të thotë se brenda muajit dhjetor ne duhet të kishim inventarin e projektligjeve që
14
qeveria mendon t’i përcjellë Kuvendit dhe që sigurisht do të kalojë edhe në Komisionin për
Integrimin Europian dhe që kanë lidhje me Acquis Communautaire.
Nuk është! Kemi Planin Kombëtar për Integrimin Europian, i përcjellë së fundi në
komision, por nuk është plani kombëtar dokumenti i vetëm i një raporti. Raporti përfshin
planin kombëtar; përfshin ecurinë e bisedimeve për anëtarësim; përfshin administrimin e
fondeve nga BE-ja dhe donatorët e tjerë, si dhe inventarin e ligjeve. Ky është raport që, sipas
ligjit, pret Kuvendi që të ketë.
Fjalën e ka zoti Vurmo për t’ua kaluar kolegëve të tjerë.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Të lutem, zoti Balla!
Gjergji Vurmo – Faleminderit, zonja kryetare!
Së pari, një sugjerim: nuk besoj se ka arsye pse media duhet të lërë mbledhjen. Për
aq kohë sa ka interes, bujrum, mund të qëndrojë!
Megjithatë, ky është një vendim që ndoshta duhet marrë bashkërisht, të paktën ne, si
anëtarë të shoqërisë civile, nuk e dimë ende se cilës bazë ligjore.
Kishim dakordësuar që të diskutonim bashkë me kolegun tim, Gledis Gjipali, por për
arsye kohe po i përmbledh unë të gjitha.
Ne nuk kemi ende informacion nëse rregullorja e këtij këshilli është miratuar.
Vitin e kaluar na keni kërkuar të japim komente. Si shoqëri civile kemi dhënë
komente dhe më pas nuk jemi informuar më.
Rregullorja e kësaj strukture është shumë e rëndësishme, jo vetëm për vetë
funksionimin e saj, por edhe për të futur në një kuadër më të qartë edhe rolin tonë si shoqëri
civile. Ne jemi këtu, pavarësisht çdo lloj kostoje, nuk presim asgjë nga kjo. Duam thjesht të
kontribuojmë në kuadër të procesit të integrimit europian. Konkluzioni për sa i përket
rregullores mendoj se është një nga çështjet e tjera që është, po ashtu, e pafalshme.
Së dyti, është shumë i rëndësishëm dakordësimi i axhendës dhe kalendarit të punës
së vetë këshillit. Për këtë duhet, po ashtu, që si anëtarë të plotë të shoqërisë civile të keni edhe
sugjerimet tona. As për këtë çështje nuk jemi ftuar të diskutojmë.
Së treti, nuk besoj se mbi atë çfarë raportoi ministrja, të paktën ne si anëtarë të
shoqërisë civile mund të diskutojmë më në përmbajtje, sepse nuk e kemi materialin. Nuk e
kemi marrë. Dëgjuam thjesht ministren dhe do të doja që kjo në të ardhmen të shmanget. Ne
nuk mund të vijmë këtu dhe të dëgjojmë çfarë ka ndërmend të prezantojë njëri apo tjetri, apo
cilat mund të jenë debatet politike të radhës. Nuk duam të bëhemi pjesë e këtij show medietik
apo edhe politik, por jemi këtu për të ofruar diçka në përmbajtje.
15
Së katërti, Plani Kombëtar i Integrimit Europian, zonja Ministre, është miratuar para
tri javësh, jo para një jave, në mbledhjen e qeverisë.
Ajo për të cilën mua më vjen shumë keq lidhur me Planin Kombëtar të Integrimit
Europian është që keni kërkuar, pra na keni lënë si shoqëri civile tre ditë kohë të lexojmë një
material prej 1000 faqesh. Shumë prej nesh nuk e kanë bërë, por ka disa të tjerë që e kanë
bërë. Sigurisht, pa pritur asgjë në këmbim të kësaj, e kemi bërë sepse jemi të investuar te ky
proces. Kemi marrë mundimin të dërgojmë komente.
Në fund, unë dje kam gjetur të miratuar në Fletoren Zyrtare Planin Kombëtar. Dua të
theksoj që nuk është reflektuar asnjë nga komentet, të paktën nga ato komente që Instituti për
Demokraci ka nisur te Ministria e Integrimit Europian. Nuk them që ne kemi të vërtetën
absolute dhe ekspertizën më të lartë në vend, por nuk ka mundësi që kur një “iks” ose
“ipsilon” numër organizatash të shoqërisë civile ofrojnë, të paktën IDM-ja ka dërguar rreth 15
sugjerime apo komente për Planin Kombëtar të Integrimit Europian, të mos ketë vend për
reflektim të asnjërës prej tyre.
Së pesti, në kuadër të po këtij plani, roli i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian
është lënë jashtë. Kemi të bëjmë me Planin Kombëtar të Integrimit Europian dhe në qoftë se
ka prapashtesën apo karakterizohet si plan kombëtar, ky këshill nuk mund të lihet jashtë
procesit të menaxhimit të integrimit europian për shumë arsye, ndër të tjera, edhe sepse është
gjykuar nga struktura e këtij këshilli, i cili mbledh aktorë jo vetëm shtetërorë, por edhe
joshtetëror, madje mbledh edhe një nivel të caktuar ekspertize mbi këtë, Këshilli Kombëtar i
Integrimit Europian nuk mund të lihet jashtë strukturës ose Planit Kombëtar të Integrimit
Europian.
Meqenëse jemi te rekomandimet edhe për çështje të ndryshme të axhendës së punës
ose të kalendarit të punës së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, një nga çështjet që do
të doja të shihja në të ardhmen të diskutohet nga Këshilli është edhe Fondi i Ballkanit
Perëndimor. Në mos gaboj është një nismë, e cila para tre-katër javësh është raportuar nga
ministri i Jashtëm në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ka kaluar në parlament?
Fondi ka si synim, ndër të tjera, edhe të nxisë bashkëpunimin e shoqërisë civile.
Shoqëria civile nuk është pyetur fare dhe jo vetëm në Shqipëri, por as në vendet e tjera të
Ballkanit Perëndimor. Nuk është pyetur fare: Ore, dale, cilat janë prioritet tuaja? Ne duam të
ngremë këtë Fond, por ku doni ju të fokusohemi në prioritete programatike?
16
Nëpërmjet Rrjetit Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile ne i kemi dërguar dy
herë kërkesë, të paktën Ministrisë sonë të Jashtme, për të marrë një informacion më të saktë,
por nuk e kemi marrë këtë informacion për prioritetet programatike, objektivat, qëllimet,
strukturën e Fondit, mënyra sesi do të përfshihet shoqëria civile, se cilat do të jenë rezultatet
afatmesme ose afatgjata të pritshme. Pra, do të doja të diskutonim, gjithashtu, rreth këtyre
çështjeve.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zoti Vurmo!
Më lejoni t’ju jap një përgjigje fare të shkurtër, sepse nuk dua të marr kohën e
kolegëve për dy çështje: ka pasur një problem me website-in e parlamentit, e cila është
rifreskuar apo është rindërtuar nga e para. Ky problem ka kohë që është edhe për të gjitha
email-et tona.
Në website-in e parlamentit, Rregullorja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, me
vërejtjet dhe sugjerimet e përcjella nga shoqëria civile, është e miratuar.
Si çdo rregullore tjetër, ajo nuk është një dokument i vdekur. Në rast se keni
propozime të tjera për t’i atashuar, do t’ju lutesha t’i përcillnit, sikurse ju thashë edhe në
fillim të këtij takimi, në dosje keni të gjithë planin e punës së Këshillit Kombëtar të
Integrimit.
Do ta vlerësoja shumë, nëse brenda 1 jave do të mund të na përcillnit propozimet
tuaja, ku përsëri ju thashë se do të doja që shoqëria civile të kishte një rol më aktiv. Kjo për
sa u përket pjesës së dokumenteve dhe çështjeve që ngritët.
Për shqetësimet e tjera, që kanë të bëjnë me Fondin e Ballkanit Perëndimor, mund të
diskutojmë përsëri.
Më lejoni t’ia kaloj fjalën zonjës Vokshi dhe zotit Bylykbashi. Do t’ju lutesha të mos
zgjateni shumë. Mos harroni se ka një mbledhje qeverie në orën 11:00 dhe ministrja duhet të
largohet në orën 10:45.
(Ndërhyrje pa mikrofon).
Zoti Shalsi, unë e kuptoj që e keni shumë merak, por sapo ia përcolla edhe zotit
Balla memon nga këshilltarët e komisionit dhe nga ata të këshillit. Të njëjtën gjë jua thashë
edhe më parë: në Kuvend jemi ne që presim. Për një raport që vjen, unë jam personi
përgjegjës për t’ju thënë nëse ka mbërritur, apo jo.
Eduard Shalsi – Do të ishte me interes nëse do ta dëgjonim edhe nga ata, nëse e
kanë përgatitur, apo jo, sepse mesa kuptoj, ministrja kërkon të shpjegojë diçka.
17
Majlinda Bregu – Zoti Shalsi, ia kam dhënë fjalën zonjës Vokshi dhe më pas do të
rikthehemi përsëri.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Oerd Bylykbashi – Faleminderit!
Zonja kryetare, duke parë planin e masave të paraqitura nga qeveria, sigurisht më
bënë përshtypje disa elemente. Po ndalem në një apo në dy prej tyre dhe nuk po hyj në detaje.
Në lidhje me çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shoh se
ka një objektiv për një rritje prej rreth 5% të referimeve, që do të bëhen në prokurori, në
lidhje me çështjet e korrupsionit apo ato të krimit të organizuar, pastrimin e parave.
Unë besoj se situata në të cilën jemi, duke përfshirë një situatë, ku rreth 47% e
prokurimeve janë prokurime të drejtpërdrejta dhe incidenca korruptive në këtë rast është
skandaloze, është shumë e lartë, unë besoj që shifra 5% është qesharak. Ndaj unë sugjeroj,
nisur edhe nga praktika ime e mëparshme e punës, që ta merrni edhe një herë në konsideratë
këtë, sepse është diçka që kushdo që do ta lexojë, do të çuditet.
Edhe në lidhje me çështjen e pronësisë, besoj se debati do të jetë i gjatë. Keni
miratuar një ligj, i cili ende nuk e ka marrë aprovimin nga Strasburgu, për sa i përket
përputhshmërisë me atë që kërkon Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ne e kemi bërë
të qartë që ai ligj do të shfuqizohet sapo të vijë. Për rrjedhojë, kjo do të thotë se keni bërë një
zgjidhje jo të qëndrueshme në kohë, për një problem shumë të madh, sepse është shumë e
thjeshtë. Ky ligj i shpronëson edhe një herë ish-pronarët, ku pa ua dhënë ende fizikisht
pronën, po ua rimerrni edhe një herë atë që u keni dhënë me një copë letër.
Tani unë po i lë këto 2 komente dhe po shkoj te dy çështje të rëndësishme. Viti që
shkoi u përmbyll me miratimin e ligjit “Për dekriminalizimin”, një nga ligjet e fundit që u
miratuan, ndërkohë që një shqetësim shumë i madh politik mori edhe mbështetjen e
Parlamentit Europian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; janë konfirmimet e fundit
tregojnë për këtë mbështetje.
Unë doja të dija, duke qenë se ligji është në fuqi dhe duke qenë se zbatimi i tij është
realisht një prioritet: Çfarë plani masash konkrete ka parashikuar qeveria për një veprim
aktiv, në lidhje me zbatimin e këtij ligji?
Ky nuk është një ligj që ne të dukemi bukur në të ardhmen. Fakt është që këtë ligj e
kemi, sepse dukemi shëmtuar për shkak të kriminalizimit të sferës publike në vend.
Meqenëse nuk ju kërkoj dot një plan masash lidhur me funksione të zgjedhura, siç
është parlamenti, por duke ditur se një numër shumë i madh denoncimesh vijnë për
administratën publike, a keni parashikuar masa, të cilat do të çonin në një veprim aktiv në
18
nxjerrjen e të dhënave dhe më pas në marrjen e masave për të pastruar administratën nga
individët me rekorde kriminale?
T’i bëj të dyja pyetjet, apo të marr një herë përgjigjen dhe pastaj të bëj pyetjen
tjetër?
(Ndërhyrje pa mikrofon).
Dakord, të dyja.
Pyetja e dytë është në lidhje me reformën zgjedhore. Ju e përmendët që po fillon.
Përveçse Republika e Shqipërisë ka një detyrim për shkak të Samitit të Stambollit të vitit
1999, për të zbatuar menjëherë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe që nga viti 2013 deri
tani, qeveria dhe autoritetet shqiptare nuk kanë bërë asgjë për të zbatuar rekomandimin e vitit
2013. Pra, jeni në shkelje në këtë aspekt. Besoj se duhet të shohim disa elemente më të
rëndësishme:
a. Ç’plan masash keni ju jo vetëm për të forcuar dhe për të shëndoshur financimin e
jetës politike dhe në mënyrë të posaçme, të periudhës zgjedhore, në mënyrë që të shmangim
maksimalisht paranë e pistë, që penetron? Ju keni parashikuar 5% referime për pastrimin e
parave, por unë besoj se kjo është e pamjaftueshme.
b. A keni parashikuar masa për të realizuar ndarjen e shtetit, zonja Ministre, nga
politika në mënyrë specifike, nëpërmjet shkëputjes definitive të përdorimit të burimeve
njerëzore dhe të aseteve shtetërore, në favor të partive të maxhorancës? Ju e keni parasysh që
ODIHR-i kritikon shumë rëndë faktin se ministrat, madje edhe vetë Kryeministri shkonin në
aktivitete deri edhe në shpërndarjen e certifikatave të legalizimit.
Një pyetje më e rëndësishme, se këto që bëra deri tani:
c. Çfarë plani masash keni ju për të rritur luftën kundër blerjes së votës nëpërmjet
përdorimit të parave kriminale?
d. Çfarë po bën Policia e Shtetit, që të marrë masat për të ndjekur dhe për të
gjurmuar me ashpërsinë më të madhe dhe të vërë para drejtësisë të gjithë personat, edhe ata
që janë nga maxhoranca, pavarësisht se paratë mund të jenë nga korrupsioni i ministrave apo
nga krimi i organizuar, i lidhur eventualisht me ministrat?
e. Çfarë masash po merren që ky problem, i cili po formësohet si problemi më i
madh i zgjedhjeve, të mos na dalë në të njëjtën formë në vitin 2017?
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Albana, besoj se ju duhet të keni edhe shqetësime të tjera.
Atëherë, i japim fjalën zonjës ministre dhe më pas të vijojmë me pyetjet.
19
Klajda Gjosha– Nëse janë çështje të tjera, unë do të preferoja të merrte fjalën
Eralda, për të sqaruar ato që kemi lënë pezull.
Majlinda Bregu – Urdhëroni zonja Çani, si përfaqësuese e Këshillit të Ministrave.
Eralda Çani - Faleminderit!
Unë jam përfaqësuese e Kryeministrit.
Ju përmendët një raport, i cili nuk është paraqitur pranë Kuvendit. Në fakt, më duhet
t’ju them se raporti ka ardhur brenda dhjetorit 2015. Për hir të së vërtetës, neni të cilit iu
referuat kërkon depozitimin e 2 raporteve.
I pari, është i lidhur me Planin Kombëtar të Integrimit dhe tjetri është i lidhur me atë
që quhej progres-raport e që tani quhet raport. Po, pika 1 e nenit 18 kërkon depozitimin e një
raporti të lidhur me Planin Kombëtar të Integrimit, me masat dhe me gjithçka që ju detajuat,
kurse pika 2 e po këtij neni kërkon depozitimin e një raporti, i cili duhet të reflektojë mbi
rekomandimet që i janë paraqitur shtetit shqiptar nga raporti i BE-së dhe i KE-së.
Në lidhje me të dytën, ju është depozituar brenda dhjetorit të vitit 2015 një raport i
hollësishëm, i cili, sipas kërkesave të ligjit, kërkon të pasqyrojë gjetjet e raportit, situatën
aktuale dhe planin për zbatimin e rekomandimeve, që është plani për zbatimin e 5
rekomandimeve.
Në lidhje me këtë material, i cili është gjykuar si një material i shpejtë, afatshkurtër
për reagimin kundrejt këtyre 5 rekomandimeve, i cili është gjykuar, si një material i lidhur
ngushtë me synimin për hapjen e procesit të negociatave të vendit tonë është i përfshirë aty,
gjë që do të thotë se edhe plani që përmendi këtu zonja ministre, është depozituar si pjesë e
këtij raporti, që në dhjetor të vitit 2015.
Në lidhje me Planin Kombëtar të Integrimit, ky plan (sikurse u tha) ishte ende në
proces përpunimi, kështu që detajet e raportimit në lidhje me të janë në proces dhe besoj se
do të paraqiten së shpejti.
Meqenëse e mora fjalën, nëse mundem, kam edhe një çështje tjetër. Sigurisht, ky
është një forum shumë i rëndësishëm, në të cilin ne do të diskutojmë çështje të ndryshme që
na shqetësojnë, por axhenda e përcaktuar sot, është e lidhur ngushtë me 5 prioritetet. E mira
do të ishte që ne, të gjithë së bashku, të flasim në lidhje me to, në mënyrë që të përmirësojmë
sa më shumë që të jetë e mundur gjithçka kemi parashikuar në lidhje me to. Do të ishte
shumë e frytshme për të gjithë, kështu që unë shpresoj, sinqerisht, të kemi diskutime në
lidhje me axhendën e ditës së sotme.
Faleminderit!
20
Majlinda Bregu – Zonja Çani, edhe një herë për sqarim, pasi nuk dua që kjo të
mbetet kryefjala e këtij takimi. Po e nis nga ajo që thatë në fund.
Është e vërtetë se ecuria e zbatimit të 5 prioriteteve është tema e këtij takimi ose
sesi parashikohet zbatimi i 5 prioriteteve është pjesë e planit të veprimit. Ndaj edhe ne e
nisëm me planin e veprimit. Iu shmanga për faktin, se ende janë kamerat në takim, për të mos
mbërritur në detajet e 5 prioriteteve dhe masave që parashikohen për zbatimin e tyre, duke
dashur që t’i ruaj këtij procesi pak më shumë qëndrim dhe vlerësim elitar sesa debati ynë i
konsumit të përditshëm politik.
Në rast se do t’i hyjmë analizës së masave, të cilat parashikohen në planin e
veprimit, ju siguroj se këtu do të ishim ndalur pak më gjatë dhe kjo nuk do të ishte në nderin
e askujt. Jo, jo, në rast se do t’i hyjmë analizës se përse duhet të jetë një masë, urdhri i
ministrit për zbatimin e rregullores nga kancelarët dhe sekretarët e gjyqësorit, si masë për
reformën në drejtësi, apo pse duhet të ishte masë tjetër pjesa e memorandumit të
bashkëpunimit ndërmjet ministrive për të zbatuar prioritetin e reformës në drejtësi, mua nuk
më duket se kjo është një masë që çon përpara në procesin e hapjes së negociatave, gjithnjë
në rast se doni të flasim për planin. Pra, të parashikosh në plan veprimi si një masë për të
çuar në çeljen e negociatave urdhrin e ministrit, ndërkohë që kushdo që ka punuar qoftë
edhe për 1 javë ministër e di që kjo është puna e përditshme e tij dhe mund të lëshojë me
dhjetëra urdhra në ditë. Kjo nuk është masë për një plan veprimi kombëtar për çeljen e
negociatave, ndaj e mbaj unë përgjegjësinë, megjithëse jam përfaqësuese e opozitës, sepse
nuk kisha dëshirë t’u hyja në detaje disa çështjeve dhe elementeve, që nuk na bëjnë nder
asnjërit prej nesh, pavarësisht se nuk janë pjesë e hartimit të këtij plani.
Për sa i përket informacionit të përcjellë në Kuvend, kam ngjitur lart këshilltarin e
Komisionit të Integrimit Europian, i cili po dje, sikurse po e diskutoja me zotin Balla, ka
përcjellë memon për të gjitha informacionet që kanë mbërritur në Kuvend.
Raporti në Komisionin e Integrimit Europian nuk ka mbërritur.
Edhe një herë, Eralda, ka mbërritur Plani Kombëtar i Integrimit.
Në rast se doni të caktojmë në ligj dhe të përkthejmë se çfarë do të thotë fjala
“raport” dhe çfarë presim ne nga raporti, hajdeni të biem dakord këtu dhe të themi, se raporti
ka 1-2-3-4 apo 5 elemente.
E dyta, nuk mund të vijë në dhjetor lista e projektakteve, sepse atë duhet të na e
sillni në fillim të vitit, duke menduar se çfarë do të parashikoni. Në rast se qeveria është gati
në dhjetor për të sjellë projektaktet, që do të miratohen brenda vitit 2016, le t’i sjellë në
21
dhjetor, le t’i sjellë edhe në shtator, por po ju them se ky informacion dhe ky raport nuk ka
mbërritur siç duhet.
Megjithatë, i qëndroj frymës që thashë më parë: ky këshill kombëtar nuk bëhet
vetëm për të konsumuar dëgjimin apo kërkesën e llogarisë, por bëhet për të përmirësuar
inputin final dhe duke qenë një proces në të cilin ndryshohet dhe punohet çdo ditë, sigurisht,
edhe aty ku ka gabime, kemi një interes dhe unë nuk besoj se ka interes më të madh sesa të
jemi të gjithë gati në momentin më të parë për të përballuar sfidën e radhës, kurdo qoftë ajo,
qoftë fund të dhjetorit të vitit 2016, qoftë pas garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme
të vitit 2017.
Ju siguroj dhe e përsëris, që nuk është një proces, por është ankthi dhe makthi më i
madh që mund të përballojë një administratë në procesin e negociatave. Jo më kot çdo vend
tjetër e ka nisur me parapërgatitje një vit më parë. Edhe ata punonjës të administratës dhe
grupet e punës që do ta përballojnë kanë nevojë, atë që tha Taulanti, të trajnohen, të mblidhen
dhe t’u jepen prioritete. Ku do të shkojmë me negociatat?
Përveç dy kapitujve të parë që hapen: të drejtësisë dhe të sigurisë, a ka Shqipëria
prioritete kombëtare? A ka nevojë të forcohet për të përballuar konkurrencën e tregut të
përbashkët europian?
Kroacia dy vjet më parë, në momentin që ka marrë statusin e vendit kandidat,
miratoi dokumentin strategjik për planin ekonomik të vendit. Plani ekonomik i vendit nuk
ishin raportet e FMN-së, ishte mënyra sesi vendi kërkonte t’i afrohej dhe do t’i qasej sfidës
më të madhe që është konkurrenca me tregun. Ndaj po ju them se në këtë këshill qëllimi
kryesor është të jemi dhe të prodhojmë një output, një dokument të vetëm, por një strategji,
që të mendojmë bashkë, jo qeveria të na bëjë me dije në një krah, ne në një krah, shoqëria
civile në krahun tjetër, media në cepin tjetër. Hajdeni të mblidhemi bashkë në një dhomë dhe
të diskutojmë nga një herë apo tre herë në muaj! Çështja është që para se të miratohen
dokumentet, ato duhet të diskutohen këtu. Dëgjohet shoqëria civile, dëgjohen përfaqësuesit e
tjerë të parlamentit të forcave politike dhe dëgjohen përfaqësuesit e medies. Ky këshill për
këtë punë është ngritur, jo për të përcjellë vetëm raportet dhe për të diskutuar ne më pas për
to.
Zonja Ministre, ju lutem, përgjigjen e pyetjes së zotit Bylykbashi, sepse me sa kuptoj
ka edhe mbledhje komisioni, apo jo?
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Zoti Bylykbashi dhe ministrja do të largohen, por kemi zotin zëvendësministër.
22
Klajda Gjosha – Do t’i përgjigjem zotit Bylykbashi, sepse edhe në frymën e
procesit të integrimit nuk vlen i gjithë debati që u bë këtu sot. Më vjen keq që këshilli të
kthehet si parlamenti. Do të doja që fryma të ishte më bashkëpunuese. Më mirë ishte të
dëgjoje përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku sado me kritika, të paktën me baza na ndihmojnë
të përmirësojmë edhe ne punën tonë të përditshme brenda ministrisë, pse jo edhe ky këshill.
Për sa u përket çështjeve të ngritura nga zoti Bylykbashi, janë tashmë çështje të
Kuvendit të Shqipërisë, sepse janë dy komisione të ngritura, si ai për reformën zgjedhore,
ashtu edhe ai për çështjen e dekriminalizimit. Tashmë Kuvendi i Shqipërisë duhet të miratojë
patjetër aktet nënligjore. Kjo është një punë që duhet, pse jo, të ishte bërë që dje dhe ky ligj
të fillojë funksionimin, zbatimin e tij dhe implementimin e plotë, që kudo ku ka persona me
rekorde kriminale të largohen nga administrata shtetërore shqiptare.
Kështu që edhe për reformën zgjedhore ka një komision të posaçëm që është ngritur,
i cili duhet të përshpejtojë punën, për të përfunduar reformën dhe për të parë mënyrën e
implementimit më të mirë të kësaj reforme, sepse zgjedhjet e vitit 2017 vijnë shumë shpejt.
Zoti Bylykbashi, nuk është vetëm çështje e qeverisë, por është një punë e
përbashkët, së bashku me Kuvendin e Shqipërisë. Këto, janë të pandara, në fakt. Ndaj, të
gjithë bashkë duhet t’i vëmë në punë këto reforma dhe ligje që i miratojmë vetë dhe jo t’i
lëmë të flenë, sepse dhe ligji “Për dekriminalizimin” po pret miratimin e akteve nënligjore në
mënyrë që të vihet në zbatim të plotë.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Zoti Bylykbashi, zonja Ministre, me shumë dashuri dhe qetësi,
siç thoni ju, po të them e dashur, Klajda, se ky këshill ka vetëm një qëllim: konsultimin e
përbashkët.
Prandaj do t’ju lutesha që duke e konsideruar këtë Këshill Kombëtar si pjesë të
parlamentit, besoj se nuk qëndron fare ajo që thatë të mos bëhet ky këshill si parlamenti, pasi
parlamenti është institucion vendimmarrës në Shqipëri. Shqipëria është republikë
parlamentare, nuk është as republikë e njërës parti dhe as e një partie tjetër. Këtë parlament e
drejton edhe kryetari juaj i partisë. Unë nuk kam ndonjë disprezzo ose nënvlerësim për
parlamentin, absolutisht as për Këshillin Kombëtar.
Ju sugjeroj të konsultoni dokumentet që kaloni në qeveri me gjithë respektin për
pavarësinë dhe për maxhorancën, por ju sugjeroj që dokumentet që miratoni në qeveri t’i
kaloni më parë në Këshillin Kombëtar. Konsultimi duhet të bëhet këtu. Pastaj e miratoni ju
me shumicë, me shumicë absolute, ndërmjet jush me dy të tretat apo me tre të pestat tuaja,
23
ky është problemi juaj. Konsultimi duhet të zhvillohet në Këshillin Kombëtar dhe kjo është
taksative për sa kohë do të ekzistojë ky entitet apo ky forum.
Po, zoti Bylykbashi.
Oerd Bylykbashi - Zonja kryetare, faleminderit që më dhatë mundësinë për të bërë
një sqarim në lidhje me atë që tha ministrja!
Zonja Ministre, ju lutem vetëm diçka të keni parasysh, e kam me ju. Përtej asaj që
është mirë që ekzekutivi të mos shprehë asnjë lloj përbuzjeje mbi parlamentin, por nuk do të
hyj te kjo, po them atë që unë përgjithësisht di se për çfarë po flas. Pyetjet që bëra nuk kanë
lidhje me çfarë duhet të bëjë parlamenti, por kanë të bëjnë me atë se çfarë duhet të bëjë
qeveria dhe nuk kanë të bëjnë se çfarë do të bëjmë me Kodin Zgjedhor dhe me reformën,
por kanë të bëjnë me zbatimin e atyre që janë sot: Kodi Zgjedhor, Kodi Penal dhe çdo ligji
tjetër në fuqi.
Kur unë ju pyeta se çfarë plani masash keni për dekriminalizimin, kjo nuk ka lidhje
me atë që do të bëjmë ne, do të miratojmë formularë. Pyetja që shtrohet është: sapo formulari
do të jetë në dispozicion, ju çfarë do të bëni që të nxirrni edhe gramin e fundit të së keqes
nga ajo që kontrolloni ju, nga administrata? Pra, a keni plan masash? Nga përgjigjja kuptova
se nuk keni një të tillë, por prisni t’i bëjmë ne formularët e vetëdeklarimit.
Mos prisni! Jua rekomandoj që, nga tani, të mos prisni. Shumë shpejt do të
miratohet, por ju duhet të keni planin e masave se çfarë do të bëni me formularët që do t’ju
vijnë në dorë nga administrata juaj. Cilat janë veprimet aktive konkrete?
E dyta, nuk thashë në lidhje me zgjedhjet, por thashë se çfarë do të bëni për atë që
blen votën? Për shembull, sesa policia juaj do të arrestojë militantin apo kriminelin që blen
votën për llogari të partisë në pushtet, edhe partisë në opozitë, nuk ka rëndësi kjo, por që kjo
e keqe e madhe për shkak të një korrupsioni galopant, e thashë, 47% është në terma të
drejtpërdrejtë, dhe një krimi të organizuar që është i frikshëm, pasi unë vij nga një qytet që
sot është bërë ndoshta kryeqyteti i krimit të organizuar, për fat të keq, kështu është bërë
Durrësi sot, ku droga dhe kanabis sativa kanë mbuluar Shqipërinë, shumica e kësaj paraje
do të kthehet përsëri mbrapsht në politikë. Pyetja ime ishte: çfarë masash për pjesën që
kontrolloni, nuk po flas për prokurorinë, keni marrë ju që kjo gjë në vitin 2017 të mos
shënohet me bold në raportin e ardhshëm të ODIHR-it, por zgjedhjet të jenë të lira?
Ju u referuat te reforma. Kuptova se nuk keni plan masash, por mos u përpiqni ta
hidhni çështjen tek të tjerët. Flas për detyrat e qeverisë.
Majlinda Bregu – Albana, të kërkoj ndjesë, sepse kanë qenë të dy bashkë, zoti Balla
me zotin Bylykbashi...!
24
Taulant Balla – Jo, nuk doja të përgjigjesha për çështjen e hapave konkretë që jemi
në konsensus të plotë, që brenda mesit të muajit mars të mbyllim të gjitha detyrat e Kuvendit
të Shqipërisë, të cilat lidhen me dokumentet pasuese të ligjit “Për integritetin e funksionarëve
publikë dhe atyre të zgjedhur”. Por përsëri apeli im është që Këshilli Kombëtar i Integrimit të
mos jetë arenë e deklaratave politike për çështje që i bëjmë shpesh. Nëse duhet informacion
për nivelin e kriminalitetit, një anëtar i Këshillit të Integrimit është interesuar, duhet që në
axhendë të parashikojmë një raportim të ministrit të Brendshëm. Nuk është e vërtetë që
Shqipëria ka kryeqytete kriminaliteti. Kur bëjmë deklarata të tilla, ato dëmtojnë turizmin në
qytetin nga vijmë, pra nuk i bëjmë mirë vendlindjes.
Nuk është e vërtetë që deklarohen shifra të paqena: jo 47% e të tjera. Ministrja nuk e
kishte me të keq kur tha se nuk kemi ardhur të bëjmë diskutime patetike në foltoren e
Kuvendit të Shqipërisë. Ditën që kemi pranuar të ngremë Këshillin Kombëtar të Integrimit,
kemi rënë dakord që xhaketat politike t’i lëmë te sallat e grupeve poshtë, kurse kur të vijmë
në katin e katërt të flasim për gjëra konkrete të axhendës së mirëfilltë të procesit të
integrimit. Nëse fillojnë përsëri përfaqësuesit e opozitës të mallkojnë nga mëngjesi deri në
darkë qeverinë për 1000 arsyet e tyre politike, edhe në Këshillin e Integrimit nuk kemi bërë
asgjë. Mblidhemi kot, se ata të shoqërisë civile do të ikin me vrap, ai përfaqësuesi i biznesit
iku, sepse tha çfarë të bëj unë këtu, se këtu këta filluan përsëri të njëjtën histori. Do të ishte
më mirë të kishim dëgjuar përfaqësuesin e biznesit për 1000 gjëra që ai ka për të thënë,
sesa të dëgjojmë një përfaqësues të PD-së, i cili bëri konferencën për shtyp të radhës dhe iku.
Kaq. Dhe mbledhja e Këshillit të Integrimit mbaroi.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Albana, të lutem! Është e pandershme që Shqipërinë ta bëjmë vetëm të zezë, kur për
Shqipërinë duhet të flasim dhe fjalë të mira.
Apeli im që në fillim të mbledhjes ishte se bie dakord tërësisht me konstatimin që
bëri zonja ministre, por edhe me atë që tha kryetarja e Këshillit Kombëtar, që ne e kemi ligjin
prej vitit 2004, por nuk e zbatonim. Për këtë qëllim zonja Bregu dhe unë morëm përsipër në
konsultim me shoqërinë civile që ta rishikonim këtë ligj dhe kemi bërë një ligj të ri. Përsëri
kemi debat: erdhi, nuk erdhi, ka ardhur pjesa e parë e raportit, por nuk ka ardhur pjesa e
dytë e tij. Nëse kemi probleme të tilla, hajdeni t’i sqarojmë dhe ta bëjmë më të qartë te neni
18 se çfarë duhet të sillet, por një gjë është e sigurt: deri më 31 janar duhet të vijë.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Dakord, të bëjmë një debat për këtë çështje.
25
Në fund të shkurtit kemi për këtë çështje një rezolutë. Rezoluta të mos jetë se biem
dakord që e duam procesin e integrimit europian dhe kaq, por ajo të ketë hapa konkretë. Këtu
është: deri në këtë datë bëhet kjo, deri në atë datë bëhet ajo. Një gjë që qeveria duhet
domosdoshmërish të komunikojë me Ministrinë e Integrimit, me Këshillin dhe me
Komisionin e Integrimit Europian është se na duhet domosdoshmërish të përgatisim sot
kapacitetet për negocim. Flasim për hapjen e negociatave, por duhet domosdoshmërish që ne
t’i kemi përzgjedhur dhe numri i atyre që do të përfshihen në proces është me qindra: 1200 e
ka Mali i Zi. Ky është një proces që duhet parapërgatitur.
U lutem përfaqësuesve të opozitës, pasi këtu nuk është për konferenca shtypi. Po
është për konferenca shtypi, ju lutem medieve të marrin një nga një përfaqësuesit e opozitës
dhe të fillojnë t’i mbajnë gjysmë ore. Ne të tjerët të merremi me gjë tjetër, por edhe atë pjesë
me karar. Sot keni njoftuar për shtatë konferenca për shtyp te PD-ja, te SHQUP-i. Shumë
mirë, bëjini të shtata! Ne këtu të bëjmë ndonjë punë.
Faleminderit!
Majlinda Bregu - Zoti Balla, besoj se pavarësisht se gjejmë fjalë të ndryshme, jemi
dakord të gjithë se si duam ta ruajmë formatin e këtij Këshilli.
Besoj se zoti Bylykbashi qëndroi në pjesën kur dha sugjerimet konkrete. Pra, se si
mendonte, si do të ishte më mirë gjatë procesit. Ky duhet të jetë kontributi real. Qëndrimet e
ndryshme do të shprehen, por duke dhënë dhe sugjerime se si duhet të përmirësohet puna,
por besoj se këtë element, për të cilin nuk biem shpesh dakord, jo vetëm të kritikës, por edhe
të dhënies së opsionit, ai e kishte në ndërhyrjen e tij.
Po, zonja Vokshi. Ju kërkoj ndjesë që ju kam marrë disa herë radhën. Më saktë jua
mori zoti Balla.
Albana Vokshi – Nuk ka problem, është i falur.
Faleminderit!
Në fakt, doja për faktin që nuk i pëlqeu ajo që thanë kolegët e mi, dua t’i them zotit
Balla se ky këshill ka një format të caktuar, ka përfaqësues të opozitës. Ne vijmë këtu në
funksion të detyrës që kryejmë si kryetarë të komisioneve apo nënkryetarë të komisioneve.
Të pëlqen apo jo, më vjen keq, por ne jemi këtu dhe vijmë të përgatitur, nuk vijmë për të
thënë: po, shumë mirë e keni bërë. Nëse mungon një raport, ai duhet të vijë. Është një
shqetësim dhe ai është i përbashkët që të përshpejtojmë hapat për të shkuar atje ku duam të
gjithë të shkojmë.
Ju siguroj se vërejtjet apo sugjerimet që do të bëj kanë lidhje me axhendën e sotme.
E kam lexuar me shumë kujdes planin e veprimit që na është dërguar. Dua ta nis me një
26
propozim për qeverinë, pasi më së fundi pas shumë kërkesash qoftë nga ana e kryetares së
këtij këshilli, por edhe të deputetëve të tjerë të opozitës, qeveria pranoi se duhet një strategji e
re e integrimit të azilantëve, pavarësisht se sugjerimi im do të ishte që këndvështrimi të mos
ishte vetëm për t’u dhënë një zanat falas ose për t’i futur në shkollat tuaja profesionale, por
strategjia ka nevojë për shumë më tepër. Hapi i parë i mirë është bërë. Ju keni deklaruar që
do të përgatitet strategjia, ishte një shqetësim i përbashkët, por do t’ju lutesha dhe do të
kërkoja që strategjia të ketë edhe komponentë të tjerë, si: strehimi, arsimimi, punësimi. Pra,
ka shumë komponentë dhe jo vetëm zanati falas, që deklaroi ministri i Mirëqenies.
Së dyti, për sa i përket planit të veprimit, duke ju përgëzuar për hartimin e këtij
planveprimi, unë personalisht, për shkak edhe të eksperiencës që mund të kem pasur në
detyrat e mëparshme me plane veprimi, mendoj se është i cekët. Ka ngatërresë nocionesh. Në
shumë raste ngatërrohen qëllimet, objektivat, indikatorët. Pothuaj të pesë kriteret bazohen në
pjesën sasiore dhe aspak në atë cilësore. Këtu dua t’i referohem edhe vërejtjes që bëri kolegu
im, zoti Bylykbashi, se në disa raste thuhet që do të rritet me 5 %. Nuk e di se ku e keni gjetur
këtë pesëpërqindëshin e numrit të zyrtarëve te penalizuar apo të proceduar e të tjerë. Mund të
jetë 5 %, mund të jetë 10 %, por nuk kuptoj pse duhet të themi: rritet me 5 %, kur mund të
themi: po, do të vijojmë që, zyrtarët e korruptuar t’i denoncojmë dhe të merren masa
konkrete, por ky numri 5 % nuk më thotë asgjë. Në kohën që 47 %, të pëlqen apo nuk të
pëlqen, janë rritur prokurimet e drejtpërdrejta, unë besoj se këtu biem dakord. Pra, numri 47
% dhe incidenca prej vetëm 5 %, që ju keni parashikuar, në mendimin tim nuk koincidon. Për
më tepër, ne si opozitë kemi shprehur shqetësimin tonë dhe i kemi kërkuar prokurorisë të
hetojë për shumë raste, të cilat ne mendojmë se janë korruptive.
Pra, në lidhje me luftën ndaj korrupsionit, unë mendoj dhe sugjeroj që të ndërmerren
hapa të tjerë dhe masa të tjera konkrete për ta luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet, qoftë
në qeverinë e kaluar, qoftë në qeverinë e tanishme, pra të gjithë zyrtarët që kanë qenë të
korruptuar. Pra, të jenë të gjithë të barabartë para ligjit, jo ca t’i shpëtojnë, ndërsa ata më të
pambrojturit të vihen para ligjit.
E fundit që dua të them, më falni nëse u zgjata, i referohet prioritetit numër 5. Unë
mendoj se edhe hapat që janë përshkuar aty janë shumë të cekëta. Flitet për hapa të ndryshme
në lidhje me arsimimin e romëve, por përsëri u referoheni vetëm arsimit profesional, u
referoheni vetëm garantimit të disa ditëve të hapura dhe konsultimit me prindërit, por asnjë
hap konkret për strehimin. Është një çështje që e ka ngritur edhe Komisioneri për Mbrojtjen e
të Drejtave të Njeriut. Jo më larg se dje i ka dërguar një letër ministres Gjermeni, ku shpreh
27
shqetësimin e madh për zhvendosjen që u janë bërë 200 romëve nga Liqeni Artificial i
Tiranës. Edhe sot e kësaj dite, ne nuk e dimë se çfarë është bërë me ta.
Mund të them se nuk ka asnjë masë për sa i përket dhunës në familje, dhe unë do
t’ju sugjeroja që këto të përfshihen, apo asnjë masë për sa u përket shtresave të tjera në
nevojë. Pra, nuk janë vetëm romët apo ish-pronarët e tokave, por ka shumë shtresa të tjera në
nevojë, që nuk janë përmendur fare këtu, qoftë edhe LGBT-të.
Ka LGBT, ka pak, ka shumë shtresa të tjera të tjera në nevojë, të cilat kanë nevojë
për ndihmë dhe për mbështetje.
Përderisa kriteri numër pesë merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, absolutisht
që duhen mbrojtur të gjitha shtresat. Unë e shoh të cekët, ndaj do të sugjeroja që, me kalimin
e kohës, të pasurohet.
E fundit fare, do të them vetëm një fjali, unë shoh ekzagjerim buxhetimi në disa
raste dhe mungesë buxhetimi në disa raste të tjera. Sepse nuk mund të shkojë 35 mijë euro
apo 50 mijë euro një hartim skedule sesi do të dilet në terren, dhe të lihet pa financuar një
komponent tjetër, që ka nevojë për buxhetim.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zonja Vokshi!
Zoti Zëvendësministër, me gjithë konstruktivitetin e zonjës Vokshi për sugjerimet
konkrete, në fakt çështjen e buxhetimit unë nuk e preka, por është një element tjetër për t’u
diskutuar, mbase jo sot, për të marrë një informacion se si i keni kostuar, çfarë metodologjie
keni përdorur për kostimin e masave që keni në plan veprimi. Është e vërtetë ajo që tha zonja
Vokshi: ka kapërcime, formulime dokumentesh, lëvizje në shifra me shtatëdhjetë mijë euro,
masat konkrete nuk kanë buxhetim.
Ju lutem, shkurt, për tri minuta do të mbarojmë.
Pastaj do ta marrë fjalën zonja zëvendësministre e Jashtme dhe më tej një
përfaqësues nga shoqëria civile. Do t’ju lutesha ta përmblidhnit shkurt.
Po, Genti.
Gentian Elezi – Po. faleminderit, zonja kryetare!
Shumë shkurt, vetëm një sqarim. I shënova sugjerimet e zonjës Vokshi.
Faleminderit! Do t’i ndjekim edhe me ministritë përkatëse, që mbulojnë secilin prioritet.
Vetëm një sqarim për sa u përket elementeve që ju përmendët, të cilat mungojnë te plani i
masave. Dua vetëm të sqaroj se të gjitha ato masa ndodhen tek Udhërrëfyesi për Pesë
Prioritetet.
28
Dokumenti që ju keni përpara është për përmbushjen e rekomandimeve të dala nga
raport-progresi i fundit, pra janë plotësuese, mund të themi. Por, patjetër, të gjitha ato çështje
të rëndësishme që ju përmendët ndodhen në udhërrëfyesin e miratuar nga qeveria dhe
zbatimin e tyre e ndjekim në mënyrë periodike, pra çdo muaj. Thjesht për sqarim.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Zonja Barbullushi, zoti Vurmo u largua, se kishte shqetësime,
doni t’i përgjigjeni pjesës për Fondin e Ballkanit Perëndimor?
Odeta Barbullushi – Atëherë, është e mjaftueshme të bëhen dy sqarime të vogla.
Në lidhje me përfshirjen e shoqërisë civile në këtë nismë rajonale, dhe mendoj se
nuk theksohet mjaftueshëm, që kjo është nisma e parë rajonale me qendër në Tiranë, nuk e
theksoi mjaftueshëm rëndësinë e kësaj.
Ne kaluam një raund raportimesh para komisioneve parlamentare në lidhje me këtë,
por edhe për përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile këtu në këshill është e rëndësishme të
themi se forcimi i ndërveprimit mes shoqërive civile të vendeve të Ballkanit Perëndimor
është një nga fushat, për të cilat është rënë dakord edhe në deklaratën e nënshkruar nga
ministrat e Jashtëm në Ministerialin e Pragës, në nëntor të vitit të kaluar, që do të jetë një nga
fushat prioritare të bashkëpunimit në kuadër të kësaj nisme rajonale, bashkë me fushat e tjera,
siç janë, po themi, arsimi, kultura, të drejtat e njeriut, bujqësia, turizmi, përgatitja
profesionale e të tjerë.
Duhet të kemi parasysh se kjo është një nismë ndërqeveritare, që do të thotë se është
rënë dakord për këtë nismë, si dhe për fushat prioritare të kësaj nisme rajonale, në nivelin e
qeverive të vendeve tona.
Do të ishim shumë të lumtur nëse do të kishim edhe një seancë, edhe një takim
konsultativ edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile përgjatë procesit. Jemi akoma në fazën
fillestare të këtij procesi. Sapo kaluam në parlamentin shqiptar, sapo ratifikuam procedurën
për themelimin e kësaj nisme. Pritet ratifikimi nga parlamentet e vendeve të tjera
pjesëmarrëse në këtë nismë.
Në fund të marsit, në kuadër të Western Balkans Six, do të ketë pikërisht edhe një
diskutim lidhur me teknikalitetet e themelimit të këtij Fondi në Tiranë.
Në lidhje me pesë prioritetet, shumë shkurt do të thosha, megjithëse nuk është një
koment i lidhur drejtpërdrejt, se ne në Ministrinë e Jashtme kemi një axhendë ambicioze dhe
shumë të detajuar politike, në lidhje me lobimin me institucionet e Bashkimit Europian dhe
me vendet anëtare. Besoj se të gjithë këtu ditët e fundit i kemi ndjekur vizitat e ministrit të
Jashtëm në Bruksel, takimet si me Komisionerin për Zgjerim, ashtu dhe Komisioneren e lartë
29
të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, si dhe takimet me eurodeputetë. Kjo në prag të
dialogut të lartë politik dhe në prag të miratimit të rezolutës së Parlamentit Europian mbi
Shqipërinë.
Në lidhje me këtë punë, ne raportojmë në mënyrë periodike, çdo tri javë, para Bordit
të Integrimit në lidhje me ndjeshmëritë e vendeve anëtare, çështjeve të ngritura nga ato, në
mënyrë të detajuar, duke qenë në kontakt edhe me institucionet e Bashkimit Europian.
Në fund, do të thosha, për hir të procedurës, se këtu isha dakord edhe me kolegët e
tjerë, do të ishte mirë të kishim një axhendë, e cila do të na mundësonte pasjen e një lloj
platforme dialogu në çështjet që ngrihen. Ta ndiqnim deri në fund dhe të kishim mbyllje të
një çështjeje, e pastaj të vazhdonim me pikat e tjera. Kjo do të na ndihmonte të vijmë të
përgatitur dhe me një material konciz, që mund t’ua shpërndanim paraprakisht edhe
përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zonja Zëvendësministre!
Për këtë arsye duhet edhe një sinergji më e madhe ndërmjet Ministrisë së Jashtme
dhe Ministrisë së Integrimit, që të keni mundësi që këto materiale, të cilat Ministria e
Integrimit i përcjell te ne, ju t’i keni edhe pak më përpara, kështu që te kemi mundësinë të
diskutojmë me një gjuhë më të përbashkët.
Atëherë, zonja Vokopola, jeni e fundit.
Kështu kujtoheni të gjithë, në minutë të fundit, por do t’ia jap fjalën edhe zonjës
Strakosha.
Të lutem, fare shkurt, një minutë. Një minutë kohë na japin të gjithëve në Europë,
kur nuk kanë kohë.
Zana Vokopola – Vijmë nga shoqëria civile dhe jemi mësuar me një ose dy minuta.
Në lidhje me çështjen që nuk e diskutuam sot, por e kemi në axhendë, që është
aktiviteti ndërgjegjësues për 2016-ën, kam një pyetje: bëhet fjalë, si gjithmonë, për faktin
nëse duan shqiptarët të integrohen? Kjo më duket shumë e konsumuar, sepse të gjitha grupet
e interesit do të thonë: po, po, duan. Mbase këto seminare ndërgjegjësuese do të fokusohen te
detyrimet që lindin nga anëtarësimi.
Kujt do t’ia referojmë ne komentet se çfarë do të adresojnë këto seminare, të cilat
nuk duhet të jenë vetëm ndërgjegjësuese, por, në radhë të parë, duhet të shpërndajnë
raportprogresin e vitit të kaluar, atë të 2015-ës, çfarë nevojash lindin, çfarë kërkesash lindin.
U bë një minutë. Ku t’i çoj komentet?
30
Majlinda Bregu – Komentet në sekretariatin e këshillit, besoj se i keni tashmë të
gjitha kontaktet. Nuk besoj se e keni për herë të parë. Aty nga ku ju bëjnë njoftimin, aty mund
t’i çoni edhe komentet.
Ky dokument që ju është përcjellë sot është ende i hapur për propozimet tuaja. Flas
për planin e punës, planin e aktiviteteve, ose thënë ndryshe planin e aktiviteteve pjesë e
strategjisë së komunikimit.
Faleminderit!
Zonja Strakosha.
Pranvera Strakosha – Faleminderit, zonja kryetare!
Unë do të flas shumë shkurt. Jam dakord me parafolësit në lidhje me faktin se nuk
mjafton vetëm miratimi i ligjeve, por i rëndësishëm është edhe zbatimi i tyre.
Për pjesën e reformës në administratën publike, theksoj se pas miratimit të ligjit, që
ishte një risi dhe një domosdoshmëri në lidhje me këtë reformë, ka filluar implementimi i tij,
ka filluar dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjit nga ana e komisionarit dhe nga aktorë e faktorë
të tjerë.
Mund të them se gjatë vitit 2015 jemi fokusuar shumë jo vetëm te rekrutimet, por
edhe te largimet nga shërbimi civil, dhe sidomos nga kërkesat e nenit 67, për deklarimin e
statusit të nëpunësit civil.
Kjo do të vërë një vijë ndarëse ndërmjet ligjshmërisë dhe paligjshmërisë. Pra, do të
verifikohet e kush meriton të jetë apo jo në shërbimin civil. Kemi konstatuar raste, që kanë
qenë edhe persona të dënuar, arsye për të cilën kemi kërkuar revokimin e akteve dhe largimin
e tyre. Nuk po zgjatem me shifra. Kemi mbikëqyrur të gjitha rekrutimet, pothuajse pjesën më
të madhe të tyre, që ka bërë Departamenti i Administratës Publike, kemi mbikëqyrur
riorganizimin e pushtetit të qeverisjes vendore, mbas ndarjes së re administrative territoriale
në pothuajse në 69 njësi të qeverisjes vendore. Kemi dhënë rekomandimet përkatëse dhe
ndihmën tonë në lidhje me strukturat transitore dhe ato përfundimtare. Kemi mbikëqyrur 12
këshillat e qarqeve në proces ristrukturimi, pasi kishte shkurtim të fondit, pra të buxhetit.
Kemi dhënë rekomandimet tona, kemi kërkuar edhe anulim të proceseve.
Do të vazhdojmë me mbikëqyrjen qoftë të rekrutimeve në vijimësi dhe të largimeve,
gjithashtu dhe të gjithë instituteve të ligjit. Për çdo rekomandim që do të marrim, do të jemi të
gatshëm të veprojmë në kohë reale.
Ju faleminderit!
Majlinda Bregu – Atëherë, ju faleminderit juve!
31
Në fund, në mbyllje të takimit, një informacion: Sekretariati i Këshillit Kombëtar të
Integrimit, në mënyrë të plotë ose, më saktë, do të plotësohet duke filluar nga ky muaj, për
shkak të përcaktimit si strukturë më vete në pjesën e Kuvendit të Shqipërisë. Pra, deri tani
nuk ka qenë një strukturë e mirëpërcaktuar. Kjo do të thotë se do të keni kohë ose, thënë
ndryshe, do të jetë më i saktë për t’ju përcjellë minutat e takimeve, propozimet dhe
sugjerimet. Në të njëjtën mënyrë, do të kërkoja edhe nga ju, për informacionet që keni,
sidomos institucionet e pavarura, t’i përcillni paraprakisht dhe t’i depozitoni për të krijuar një
arkivë të mirë që të kemi mundësi për të nxjerrë çështje të tjera, të cilat duam të diskutojmë.
I qëndroj edhe një herë asaj që ju thashë pak më përpara. Presim komentet tuaja për
planin e veprimit të Këshillit Kombëtar, ju lutem, jo për planin e veprimit për procesin e
integrimit europian. Takimi i radhës nuk do të jetë në Tiranë...
Taulant Balla – Do të jetë në Elbasan.
Majlinda Bregu – Ose në Shkodër, do të shohim.
Eralda Çani – Sikur ta kemi sa më shpejt në kohë axhendën, do të ishte mirë, sepse
do të na ndihmonte shumë për të qenë realisht...
Majlinda Bregu – Do të ishte shumë mirë, por axhenda e sotme ishte e kollajshme,
sepse ishte pjesa e pesë prioriteteve, me të cilat qeveria punon çdo ditë.
Faleminderit, edhe një herë, të gjithëve!
MBYLLLET MBLEDHJA
32