22
UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI” FAKULTETI FILOLOGJIK Programi Gjuhë Shqipe PUNIM DIPLOME PROZA E MIGJENIT Mentor: Kandidatja: Prof. Ass. Dr. Labinot Berisha Agnesa Syla Gjakovë 2019

Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

  • Upload
    others

  • View
    19

  • Download
    0

Embed Size (px)

Citation preview

Page 1: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI”

FAKULTETI FILOLOGJIK

Programi Gjuhë Shqipe

PUNIM DIPLOME

PROZA E MIGJENIT

Mentor: Kandidatja:

Prof. Ass. Dr. Labinot Berisha Agnesa Syla

Gjakovë 2019

Page 2: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

2

MIRËNJOHJE

Punimi i diplomës është finalizimi i studimeve të mia tre vjeçare, andaj shpreh

mirënjohje dhe shumë falënderime për të gjithë ata që ishin pranë meje për kritika dhe përkrahje.

Një falënderim i veçantë shkon për udhëheqësin tim shkencor, që me këshilla dhe

ndihmesë të pa lodhshme e arritëm përfundimin e temës, faleminderit shumë Prof. Ass. Dr.

Labinot Berisha.

Nuk mund ta lëmë anash asnjëherë familjen për frymëzimin dhe shtytjet që më ofruan,

falë jush unë jam sot këtu, mundin tuaj sot po ua shpërblejë, duke mos harruar asnjëherë

shoqërinë që pa ju studimet e mia nuk do të kishin kuptim.

Përgjithmonë falënderuese!

Page 3: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

3

PËRMBAJTJA

ABSTRAKT------------------------------------------------------------------------------------- 4

HYRJE------------------------------------------------------------------------------------------- 5

KREU I: JETA DHE VEPRA E MIGJENIT----------------------------------------------- 7

1.1. Proza moderne shqipe---------------------------------------------------------------- 8

1.2. Tipet e personazhit psiko-social----------------------------------------------------- 10

1.3. Trajta sociale e jetës në botën intime të personazhit------------------------------ 11

KREU II: Proza si predikim modern---------------------------------------------------------- 13

2.1. Leximi i personazheve modern-------------------------------------------------------- 16

2.2. Ndërtimi i simbolit---------------------------------------------------------------------- 17

2.3. Femra e shndërruar në simbol të idesë---------------------------------------------- 18

PËRFUNDIM------------------------------------------------------------------------------------ 20

LITERATURA---------------------------------------------------------------------------------- 22

Page 4: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

4

ABSTRAKT

Interesi kryesor i këtij punimi ishte që, të ndërtohej qasja dhe tipologjizimi i prozës së

Migjenit. Personazhi te ky autor jepet i dëshpëruar në melankoli e zhgënjim në rrugën e kërkimit

të panoramës së qytetit. Qyteti bart një model që bashkon tri aspekte kohore kryesore: të

kaluarën, të tashmen e të ardhmen. Personazhi ndihet i humbur në mjedisin e këtij qyteti. Ai

mbetet një nga elementët themelorë të projektimit dhe të identifikimit të lexuesit me veprën.

Koncepti për prozën, veçanërisht në modernitetin bashkëkohor është qëllimi i këtij

punimi. Migjeni është intelektual që në ballafaqim me realitetin e ambientit të vet kalon në

mospajtim, bërtitje, mëri, pakënaqësi, me kërkesë që të sjellin risi, por nuk gjejnë forcë të

rebelojnë asnjëherë. Intelektuali është i vetëdijshëm që ndryshimi duhet të ndodh, por ai është i

ndrydhur të veprojë. Personazhet te ky autor nuk na japin nëpërmjet të ndodhurës por nëpërmjet

shpërthimit të idesë autoriale, të dhënë në një gjuhë estetike, e cila më pas bashkohet në rrjedhën

e rrëfimit.

Personazhet që na paraqiten në këto vepra nuk janë shëmbëlltyra kanunore, por

shëmbëlltyra të qytetit. Modernizmi na i kërkon personazhet me “përgjegjësi qytetare dhe

shoqërore”. Melankolia moderne na shfaq tensionin e papërballueshëm, duke na dhuruar

personazhe me brengën e një utopie “përtej jetës” në kërkim të përhershëm të një qytetërimi

modern, në rrugëtimin e një lëvizje qytetëse.

Fjalët kyçe: Migjeni, intelektual, proza, koncepti, personazhi, gjuha etj.

Page 5: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

5

HYRJE

Të ndërmarrësh shqyrtimin e figurës komplekse të personazhit e sidomos atij modern në

letrat shqipe, nuk është një sfidë e lehtë. Ne e dimë se një prej funksioneve të rëndësishme letrare

të elementeve të tekstit në prozë lidhet ngushtë me përshkrimin e personazhit, të cilin na e

dëshmojnë në tekst tregues të larmishëm tekstorë e gjuhësorë. Rrëfyesi, duke synuar një lloj

objektivizimi të rrëfimit, i “sugjeron” fshehurazi lexuesit të vërejë personazhet në kontekstin e

ngjarjes. Personazhet bëhen, njëherazi, figura të ndodhive e shenja leximi që çojnë në zemër të

letërsisë. Personazhet provohen si përfaqësues të ndodhive letrare. Në procedimet narrative

moderniste janë privilegjuar ato specifika narratologjike që lëvizin me zhdërvjelltësi përbrenda

botës së personazheve, aty ku përfitohet gjendja dhe psikologjia e tyre, pozicionimi dhe

perspektiva, individualizimi ligjërimor, ambienti etj. Në këtë këndvështrim, roli i personazhit në

tekstin narrativ është i rëndësishëm si në rrafshin përshkrues edhe në rrafshin e veprimit.

Personazhi i një vepre letrare moderne i nënshtrohet kryesisht veprimit që “kontrollohet”

përbrenda niveleve të komunikimit nga narratori. Prandaj, raporti i ndërmjetëm i narratorit me

personazhin përfshin edhe intrigën, rrëfimin, poetikën, idetë, stilin.

Një nga situatat më interesante të shkrimit të letërsisë që shpreh lidhjen unike mes autorit

dhe veprës së tij letrare përmes “leximit të personazhit” shprehet mjaft bukur në përshkrimin e

shkrimtarit portugez Jose Saramago: “shkronjë pas shkronje, fjalë pas fjale, faqe pas faqeje, libër

pas libri, po ndërfutesha pak nga pak, pa kuptuar, brenda një qenieje, e cila, në fund të fundit,

ishte veçse vepër e duarve të personazheve të krijuara nga vetë kjo. Besoj se pa ata nuk do të isha

njeriu i cili jam sot; pa personazhet jeta ime nuk do të kishte arritur të bëhej më shumë se njëfarë

skice e paplotë, për ta përmbyllur, zëri i cili lexoi këto faqe, dëshironte të ishte jehona e zërave të

bashkuar të personazheve të mi. Nuk kam, si të them, më shumë zë se sa zërat e tyre.”1

Duke analizuar të dhënat nga teksti nxirret në pah dhe në mënyrë mjaft të imtësuar se si

gjuha bëhet element parësor i ndërtimit dhe identifikimit të elementeve moderne në ndërtimin e

personazhit. Një ngarkesë emocionale në përjetimin e veprës letrare vjen kur rolin e rrëfimtarit e

kryen vetë personazhi-rrëfimtar. Ky komunikim vjen si shpërthim i shqetësimit të personazhit në

rrëfimin e ngjarjeve të tij. Pozicionimin e personazhit mes ngjarjes dhe rrëfimit jemi përpjekur ta

japim nëpërmjet teknikave narrative duke parë këtu modele retrospektivash, shpeshtësisht

1 Jose Saramago, “Udhëtimi i përkryer”, “Dritan”, Tiranë, 2002, fq. 9.

Page 6: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

6

narrative, diegjezash, prolepsash, analepsash. Marrëdhëniet midis personazhit dhe emocioneve të

tij mundëm t`i vëzhgojmë dhe t’i shprehim nëpërmjet oshilografit të ndjenjave. Përpjekja për të

kërkuar motivet përmes të cilave krijohet dhe identifikohet personazhi urban është mjaft

interesante dhe përbën një kontribut të ri në fushën e punimit tonë.

Page 7: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

7

KREU I

JETA DHE VEPRA E MIGJENIT

Nga studimet e bëra mund të themi se tre çerek shekulli prej kohës së botimit të veprës së

Migjenit, poezia dhe prozat e Migjenit ia kanë dalë të dëshmojnë se provat e studiuesve për t’i

kushtëzuar me një epokë, me një poetikë dhe me një problematikë, kanë qenë një dështim i

paralajmëruar. “Poeti i modernitetit”, “zëdhënës i protestës dhe rebelimit”, “denoncuesi i

varfërisë dhe i mjerimit”, “frymëzues i revolucionit, i kriticizimit dhe e antikonformizmit”,

“demaskuesi i fesë, klerit dhe i monarkisë”: të gjitha këto nuk janë gjë tjetër veçse paracaktime e

përcaktime të përkohshme studiuesish, që synojnë apo pa dashur bëjnë kundërvënien ose

aktualizimin e letërsisë.2

Vepra e Migjenit risinë më të madhe ia solli letërsisë shqipe duke dalë jashtë disiplinës së

dy rrjedhave më të kodifikuara të letërsisë së qytetit të veriut, shkollës apo “rrymbës”

françeskane dhe asaj jezuite.

Migjeni vdiq 27 vjeç. Leximi dhe interpretimi i letërsisë së tij nuk është shkoqur kurrë

nga e dhëna për vdekjen e poetit në rini.3

I diplomuar për teologji me tezën “Dy natyrat e Krishtit”, qysh në vitet e seminarit

Migjeni do të shkruante gjithashtu prozën “Dy Milloshët”. Gjedhja e përfytyrimit në të dyja

prozat është e njëjta: natyra hyjnore dhe tokësore e Hyjit; natyra tokësore dhe hyjnore e njeriut si

krijesë/kreatyrë dhe shëmbëlltyrë e Krijuesit. Të dy tekstet, i provimit të teologjisë dhe ai laik,

duket sikur bashkohen në titullin e meshës së shugurimit të dytë të F. Nolit peshkop “Mbaje

kryqin!”. Migjeni kërkon një Mesi të papërcaktuar, herë në formën e Mbinjeriut, herë në formën

njeriut që nuk i nënshtrohet fatit të shekullit, por pa e menduar kurrë veten të tillë: ai vetë ishte

heroi i dobësisë dhe i dhimbjes, i anës tjetër të Mesisë. Tek Migjeni Mesia ka më shumë pamjen

e Shelbuesit, është “hyji në salvime”, Mesia i Migjenit është në kryqëzim, ai shfaqet si Krishti në

kryq në ankim ndaj Perëndisë-At: “Elohim, Elohim, pse po më braktis?!”

Në nivelin e fjalëve-çelësa, teksti biblik është dhe më i pranishëm dhe ka rolin e indit në

gjithë veprën e Migjenit: pamjet e mesianizmit, trajtat e mbinjeriut, idealizimi i shpëtuesit të

botës dhe përgjithësisht i misionit të njeridashës (“Shkodra, Ballkani, Europa, bota mbarë asht e

2 Gjovalin Luka, “Vargjet e lira”, (Parathënie), “Përndim”, Tiranë, 1954.

3 Sabri Hamiti, “Letërsia moderne shqiptare”, “Albas”, Tiranë, 2000, fq. 139.

Page 8: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

8

sëmurë prej këtij akrobacioni dallëndyshuer”),4 kulla e Babelit, dy natyrat e Krishtit (njerëzore

dhe hyjnore, siç debatohej në koncilët e para të krishterimit legjitim), dy pamjet e Milloshit, ferri

ngushëllues (“pash më pash due me i ra ferrit”), “historia e njenës nga ato” dhe debati i gjatë në

krishterimin e hershëm se nga ç’mëkat e kishte çliruar Jesui Maria Magdalenën (nga

prostitucioni apo nga gjykimi i padrejtë).

Në jetën e njeriut fëmijëria është si pika e ujit që pastaj në rrjedhat e jetës rritet, zgjerohet

e rrjedh me moshën e rinisë deri në burrëri si ato gurrat e virgjëra të maleve e pyjeve vetmitare,

derisa shfaqet si një ujëvarë, kur njeriu burrërohet e bart në vetë misionin për të qenë një zë i

kohës së vet. Lindja e Milloshit më 13 tetor të vitit 1911 u prit me shumë gëzim, sepse i ati

Gjergji i kishte shumë për zemër një djalë të dytë.5

Të gjitha shkrimet e Migjenit, panë dritën më 1957, kur Skënder Luarasi i përmblodhi

nën titullin “Migjeni”. Milloshi jetoi pak. Po jeta e as vepra e njeriut nuk maten kurrë me numrin

e viteve, as me kilometrazhin e vargjeve që kanë shkruar. Vepra e Migjenit mund të mbërthehet e

tërë sipas mendimit tim në dy tituj të përgjithshëm: Lahuta e mizerjes dhe Lahuta e kushtrimit.

Migjeni i kishte të gjitha kushtet për t’u bërë poet: një mend kureshtar dhe kërkues, një natyrë

depresive pesimiste dhe një seksualitet të shtypur, të paralizuar. Më interesant nga të gjithë është

ky aspekti i fundit. Letërsia moderne shqiptare krijohet në një qark të veçantë kulturor e historik,

në një kontekst të ndryshueshëm kombëtar, politik e shoqëror. Fillon në kohën kur shqiptarët

ishin nën Turqinë e zhvillohet në kohët e formimit të shtetit shqiptar, ku shumë trroje, përfshirë

Kosovën, mbetën jashtë, bashkëjeton republikën dhe mbretërinë shqiptare me të gjitha lëkundjet

e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6

1.1. Proza moderne shqipe

Një nga shembujt më të qartë dhe më të suksesshëm të prozës moderne shqiptare është proza

e Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni (1911-1938). Migjeni bëhet autori më i thellë i kohës dhe me

veprën e vet paraqet trajtimin social të jetës, botën intime dhe individuale të personazhit. Migjeni

shkroi dy vepra kryesore, “Vargjet e lira” në poezi dhe “Novelat e qytetit të veriut” në prozë. E

para u ndalua të qarkullonte, të dytën nuk arriti ta çojë në ndonjë shtëpi botuese. Ai arrin të

botojë në shtypin periodik disa nga vjershat e tij, si dhe disa proza të shkurtra që i ka quajtur herë

4 Migjeni, “Vepra”, skica “Të fala nga fshati”, “Cetis”, Tiranë, 2002, fq. 220.

5 Rinush Idrizi, “Migjeni”, “Enciklopedike”, Tiranë, 1992, fq. 19.

6 Sabri Hamiti, “Letërsia moderne shqiptare”, “Albas”, Tiranë, 2000, fq. 17.

Page 9: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

9

herë “novelëza”. Migjeni na përshkruan një personazh evropian, i cili mbart brenda vetes edhe

njeriun me gjithë ekzistencën shumëshekullore. Migjeni nuk i shmanget në prozën e tij krijimit të

personazheve, ku mbartin, përveç karakterit konkret, një abstragim të pakufishëm. Pas një

zhvendosjeje në kohë dhe hapësirë, “Luli i vocërr” është një personazh që përfaqëson një njeri që

ka ekzistuar vërtet, një fëmijë shqiptar diku në Pukë.

Personazhi i Nushit, te “Studenti në shtëpi”, “përfaqëson një të ri shqiptar të kulturuar e të

ditur, që beson tek utopia e së mirës, pas një bote të mykur patriakale dhe mediokriteti të

fuqishëm, duke u kthyer në një Hamlet shqiptar.”7 Personazhi i tij është misionari shoqëror, ai

kërkon të projektojë të ardhmen, por s`mund të jetë ndërtuesi i saj. Duke ndërtuar brenda vetes

mitin e maskës, të hipokrizisë së qytetërimit modern, “Migjenit i kishte munguar vërtet humbja e

poetit magjistarë, rroba e peshkopit apo fraku i dendit, ashtu siç i kishte munguar përvoja dhe

pasuria jetësore e bashkëkohësve të tij të mëdhenj. ”8 I kishte munguar ai bosht tragjik i rinisë së

tij, ai bosht ulëritës, por që ishte i atyre llojeve që natyra u afron disa herë shkrimtarëve në vend

të pasurisë jetësore, u afron në vend të pasjes, mungesën; por të tillë që mund të pjellë të njëjtët

brilantë, në mos disa herë më të ndritura. “Vepra e Migjenit është një dyluftim i pambarim me

një pjesë të letërsisë dhe jo vetëm të letërsisë, por të krejt mendësisë shqiptare, ajo mund të

kuptohet saktësisht vetëm e ballafaquar me to.”

Migjeni erdhi në letërsinë shqipe në kohën e zhgënjimit të madh. Shqipëria porsa kishte dalë

nga nata islamiko-osmane. Vendi ishte i varfër, i trishtë, gjysmë i rrënuar. Në krahasim me

ëndrrën e shumëpritur, zhgjëndrra ishte një traumë e vërtet. Me personazhin e tij, Migjeni

kërkon të zgjojë njerëzimin nga ëndrra e mbrapsht. Sfida e Migjenit s`kishte të bënte vetëm me

institucionet gjysmë qesharake të regjimit, të cilat nuk ishte vështirë të ironizoheshin. Sfida

shkonte më thellë, kishte të bënte me “malin që s`bëzan”, pra me krejt mendësinë shqiptare, me

idealet, kanunet, mitet, komplekset dhe paragjykimet e kthyera tashmë në një lëvozhgë të

ngurtësuar mbi të cilën mund të thyenin kohën idetë përparimtare dhe të gjitha formulat më të

reja të cilat mund t`i parashtrohen këtij vendi prej mendjeve më të emancipuara të tij”.9

Migjeni, te “Novelat e qytetit të veriut”, bën autopsinë e qytetit duke trajtuar kultin e nderit,

ndaj të cilin abuzohej gjerësisht. Sipas mendësisë që ushqente këtë kult (në të ishte e vështirë të

dalloje fanatizmin vulgar nga një utopi popullore, ngushëllues, ndoshta si gjithë utopitë) burrat, e

7 Moikom Zeqo, “Migjeni, Arkitekti i nënëdheshëm i qiellit”, “Erik”, Tiranë, 2011, fq. 63.

8 Ismail Kadare, “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, “8 Nëntori”, Tiranë, 1991, fq. 54.

9 Po aty, fq. 64.

Page 10: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

10

sidomos gratë shqiptare, ishin të imunizuar nga veset morale. Por gati gjysma e “Novelave të

qytetit të veriut” kanë për subjekt prostitucionin. Te novela “Studenti në shtëpi” Migjeni shkon

edhe më larg. Në të pasqyrohet ajo pjesë e shoqërisë që ulërin më shumë për nder e moral, por

ajo nuk ka as nder, as virtyt. Dhe britmat e mallkimet të saj s`janë veçse një alibi që mbulon

imoralitetin. Personazhi është një student shqiptar që kthehet pas mbarimit të studimeve nga

Evropa, i cili i lëshon shoqërisë shqiptare thirrjen, “Shoqëri, po deshe të mos lozin në kurrizin

tand, ndro format. Hiqi bragashet”.

Letërsinë e këtyre viteve e përshkon vizioni optimist, i cili e quante të pashmangshme fitoren

e artit të madh mbi artin mediokër; dhe këtu shfaqet personazhi, i cili nuk e ndan veten nga

epoka e vështirë por ai rri ngjitur me të. “Ai ka qejf të zhgërryhet në baltërat e kohës, të

përshkojë tejembanë ferrin e saj. Por edhe pse ndodhen në të tilla udhë, ata nuk e humbasin

vizionin. As grija e jetës së përditshme, as konkretësia e jetës së përditshme nuk e zhveshën

veprën nga ai thesar që është universal. Personazhi i Migjenit zbriti në terrin e mbrëmjes së

vendlindjes për të kënduar (apo vajtuar) baladën qytetëse të gruas, që ha turpin dhe trupin e vet

për të jetuar jetën. ”17 Me personazhin e tij konturoi portretin e mjerimit shpirtëror e njerëzor,

para të cilit bien në gjunjë të gjitha normat e moralit, dhe kjo ndodh kryesisht në zemër të qytetit.

1.2. Tipet e personazhit psiko-social

Personazhi nëpërmjet karakteristikave të tij, mbetet një nga elementët themelorë të

projektimit dhe të identifikimit të lexuesve. Koncepti për personazhin, veçanërisht në

modernitetin bashkëkohor, është më i gjerë se ai që e kufizon vetëm te shëmbëlltyra e

drejtpërdrejtë njerëzore. Me Migjenin, letërsia hyn te “psikika dhe shpirti i qytetit”, duke njohur

madhështinë e njeriut nëpër sprova të ekzistencës dhe tronditjeve shpirtërore, që shpien në

rrëzimin e kodeve morale e sociale. Migjeni shkruan për një mjerim moral, material e shpirtëror

të një ambienti, duke e cilësuar atë ambient krejt konkret dhe real, të identifikueshëm që në hapin

e parë; dhe të shkruhet kështu kur të tjerët këndojnë krenarinë, është sigurisht një element

diferencues i krijimtarisë së tij. Personazhet e tij ndërtojnë pëlhurën e prozës me shtresime të

barasvlershme të përshkrimit autentik të pamjeve reale të kohës, të raporteve të thella njerëzore

dhe të gjykimit autorial për fenomenet më të vështira ekzistenciale. Migjeni, në tregimin

“Studenti në shtëpi”, krijon një ndër marrëdhëniet më themelore: marrëdhënia babë-bir, një

ambient ku mbretëron ligji patriarkal. Marrëdhënia babë-bir është krijuar dhe tematizuar si një

Page 11: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

11

ftohje, si një mospajtim në heshtje, sepse babai mundohet të projektojë tek i biri pikturën e vet.

Përveç marrëdhënies babë-bir, theksohet dhe marrëdhënia vëlla-motër. Kjo marrëdhënie është

ngritur në nivelin e emocioneve të forta. Shpërthimi i shpirtit të motrës kur para i del perdja e

zezë e fatit apo e konvencës për t’u martuar me burrin që nuk e do. Ageja identifikohet si viktima

e mentalitetit patriarkal.

Ata janë intelektualë që në ballafaqim me realitetin e ambientit të vet kalojnë në

mospajtim, mëri, pakënaqësi, me kërkesë që të bëhen ndërrime, por asnjëherë nuk gjejnë forcën

për t’u rebeluar. Intelektuali është i vetëdijshëm që ndryshimi duhet të ndodhë, por ai është i

ndrydhur të veprojë. Personazhet te këta autor nuk na jepen nëpërmjet asaj që ka ndodhur, por

nëpërmjet shpërthimit të idesë autoriale të dhënë në një gjuhë estetike, e cila më pas bashkohet

në rrjedhën e rrëfimit.

Flamujt e melankolisë së Migjenit nuk janë më një kërkim, siç ndodhte te Koliqi, por janë një

disfatë qytetase; njëkohësisht protestë dhe rezignatë. “Ndonëse Gjon Zaverit i pëlqen qyteti dhe

ndihet shumë më mirë se në fshat, ky qytet i paemërueshëm edhe këtu, me gjithë botën e

larmishme dashurore që kultivon haptazi, nuk përmbush një prej dispozitivëve më të rëndësishëm

qytetës; të ashtuquajturën “lëvizje mendore”.10

Në këndvështrimin e qëmtuesit të prozës së

këtyre autorëve, vëmë re se personazhet janë përherë në lëvizje nga mbizotërimi i një tipari apo

pasioni të fuqishëm, shfaqin përplasjen me normat e përgjithshme, duke sjellë transferim në

komunikim, si dhe një sjellje jo të zakonshme. Trillimi artistik i personazheve është një

komunikim i së vërtetës dhe i dhunimit të saj. Duke na shfaqur në trekëndëshin Koliq-Migjen-

Spasse, një personazh që nuk gjen vend brenda botës së kuptimësisë, ai ka vend brenda vetmisë

për të mos harruar, kështu që ai nuk pajtohet me realitetin. E megjithatë, forca nuk mjafton për ta

ndryshuar atë.

1.3. Trajta sociale e jetës në botën intime të personazhit

Personazhet brenda tekstit letrar autori na i ndërton si qenie të gjalla, të pakënaqur me të

tashmen, me gjithçka që kanë arritur, të cilët, duke kërkuar të zbulojnë realitete të reja, përjetojnë

dukuri e ligje të panjohura që i vënë në shërbim të tyre. Personazhet përfytyrojnë implikimet e

veprimeve të tyre në të tashmen edhe të ardhmen që i pret. Ambienti social i jetës implikon

10

Persida Asllani, “Ndërtimi letrar i Qytetit në letërsinë moderne”, në Akte të konferencës Letërsia & qyteti, sh.b.

“Fakulteti Historisë e Filologjisë”, Tiranë, 2009, fq. 103.

Page 12: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

12

veprimet e së tashmes në referim të së ardhmes, pozicionon vetëm vuajtje dhe brengë.

Etnopsikologjia e personazheve ka të bëjë me përkatësinë e tyre etnike dhe psikologjia

individuale janë strumbullar i ndërtimit të karaktereve, të cilat më tutje përmes mjeteve specifike

që përdor shkrimtari përplotësohen dhe marrin trajtën e plotë të paraqitjes së tyre.

Në prozë, ndihet ndikimi social në botën intime të personazhit; ky ndikim shfaqet dukshëm

edhe në prozën e Migjenit te “Studenti në shtëpi”; personazhi vendoset në lëkundje midis

mendimit psikologjik e atij social. Kjo novelë ka peshën e një manifesti etiko-psikologjik. Nushi

është protagonisti i novelës dhe alteregoja e autorit, i cili, i kthyer për pushime nga Evropa, ku ka

shkuar për studime, zbulon falsitetin e moralit të familjes dhe të qytetit, por nuk hyn në luftë dhe

nuk është në gjendje t`i luajë as më të voglën gjendje. Mjaftohet vetëm me një thirrje: “Unë jam

pa moral, koncepti i em menduar – mos me thanë ideologjik – nuk pajtohet me moralin, të cilin

mue kjo shoqni ma imponon”.11

Në novelën “Bukën tonë të përditshme falna sot. . .” tre janë personazhet kryesorë; Kola, e

shoqja dhe djali i tyre Lili. Bëhet fjalë për varfërinë e kësaj familje, bëhet fjalë për mjerim.

Kryefamiljari është pa punë, i vogli i sëmurë dhe gruaja nuk pushon së luturi që Zoti t`i

ndihmojë. Mungon buka nuk bëhet fjalë për gjë tjetër. Novelën e përshkon zymtësia dhe hija e

vdekjes. Para tyre shembet çdo gjë; virtyti, nderi, besnikëria bashkëkohore, morali i shumë

propaganduar shqiptar. Të tre personazhet, Migjeni i strukturon mjeshtërisht. Nuk është vetëm

dramaticiteti i situatës që i bën të tilla, por edhe teknika e portretizimit të tyre, lakonizmi, finesa

nënteksti, fjala e gjendur, dhe për çudi dritë-hija brenda errësirës. Novela guxon të na thotë se

nderi apo morali nuk është vlera më e epërme e njeriut. Duket qartë se Migjeni ka qenë i

ndërgjegjshëm për pragmatizmin e të parëve, sipas të cilëve Primum vivere, dende philosophari

(Me jetue më parë, pastaj me filozofue).12

Gruaja nuk i rreshti lutjet ndaj Atit të shenjtë. Ajo vetë u bë shenjtorja e fëmijës, martirja e

familjes së vet. Është ky vetëmartirizim që na bën t`i çmojmë nënat si të shenjta. “Ishte një vrimë

shumë interesante” janë fjalët e fundit të novelës. Kjo është një shprehje që ka brenda një mal

me aludime, një shoqërim idesh tepër delikate, si dhe shumë konotacione. Ajo s`qe thjeshtë një

vrimë, ajo qe varri ku kishte rënë ai dhe krejt familja, a mbase gropa e turpit, ndofta bataku ku

nuk kishte rënë e shoqja. Kjo ishte vorbulla vrastare e jetës së mjeruar.

11

Migjeni, “Studenti në shtëpi”, në Novelat e qytetit të veriut, “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 1999, fq. 20. 12

Tefik Çaushi, “Sa kushton një buzëqeshje”, “Klubi i Personazheve”, Tiranë, 2000, fq. 33.

Page 13: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

13

KREU II

PROZA SI PREDIKIM MODERN

Trajtat e shkrimit modern defamiljarizohen nga letërsia e mëparshme dhe ripozicionohen

në një diskurs (fjalë që konceptohet si bisedë apo shkoqitje logjike) më të avancuar që

përplotëson në shkallën më të lartë letrare estetikën e tekstit. Shumëkuptimësia e

shumëllojshmërisë së personazheve, leximet e shumëfishta dhe gjithashtu, universalizimi i

kuptimeve të diskurseve të tyre sjell tipare moderne në formacion letrar. Krijimtaria e Migjenit

na shfaq panoramën e një konceptimi të një arti të ri duke sjellë risi në diskursin dhe kulturën

letrare shqipe. Ndërkaq në tekstin letrar, modernia shënjon tipin e letërsisë, që ndryshe nga

paraardhësja ndërfut brenda tekstit elemente letrare, që deri atëherë proza jonë s’i kishte njohur

apo i kishte vetëm në fazën embrionale.

Si prozator i diskursit modern, Migjeni sjell ne prozën shqipe risi në formë, në tematikë

dhe përmbajtje. Migjeni kishte shkuar që i vogël në Jugosllavi, ku kishte bërë shkollën e mesme

në seminarin e Manastirit. Ai njihte shumë mirë letërsinë jugosllave dhe ruse. Kishte si idhull

Alioshën. E adhuronte misionarin që kishte marrë përsipër të shëronte vuajtjet e botës. Migjeni e

konsideronte veten si një misionar, detyra e të cilit ishin të shpallte një moralitet të ri për të

ardhmen. Historia e jetës së Migjenit mund të quhet si historia e shpirtit të ri. E re për të është

dëshira për të ndërtuar një botë të drejtë. Por në këtë platformë ai përballet i vetëm dhe ky gjest

është fatidik. Migjeni është i pari që theu traditën romantike që zgjati një shekull. Për më tepër,

ai braktisi temat dhe motivet e vjetëruara, duke i zëvendësuar ato me tema aktuale, me një stil të

ri. Shpirti sllav që flet shqip”13

e sheh veten përballë apatisë mbizotëruese të popullit shqiptar.

Personazhet e prozës së Migjenit bëhen: lypësat, të papunët, prostitutat. Jeta e qytetit i

shpërfytyron këto personazhe. Problemi i bukës thuajse është problemi qendror i të gjitha

prozave të Migjenit. Malësori i lëshon vendin dramës së përditshme të urisë.

Të gjithë të shtypurit, pavarësisht në çfarë gjendje janë, e duan jetën ta gëzojnë. Ata,

pavarësisht sa të vegjël e të pambrojtur janë, luftojnë për një copë diell. Lypsi në kishë, Luli në

shkollë, malësori që ëndërron misrin, i burgosuri, nëna i fëmijës së ngrirë. Të gjitha këto

personazhe, janë banorë të legjendës me bukuri që vret.

13

Arshi Pipa, “Për Migjenin”, “Princi”, Tiranë, 2006, fq. 57.

Page 14: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

14

Migjeni i “ngjyrimeve danteske”, siç e vëren Kadare, është shkrimtari i vizioneve të

qarta, ku ndërthur tragjicitetin jetësor të personazhit me mjerimin e shpirtrave të vuajtur. Proza e

Migjenit zbulon “ferrin e ditëve të zakonshme”14

me madhështinë e mendimit të fjalës së tij,

shpalos botën në një nocion të ri e modern.

Në paraqitjen e disa “novelëzave” sjell skena melankolike, herë të vranëta, e herë të

ëmbla, të jetës së tij si mësues (Luli i vocërr, Zeneli). Por faqet më të bukura i shkruan në

frymëzimin e jetës malësore. Idilin e dashurisë e lind nën hijen e errët të shkëmbinjve të thatë, ku

fshihen cubat (Puthja e cubit). Nuset pjellin fëmijë që nuk kanë bukë për t`i ushqyer por kanë

qershia (Qershijat). Fëmijët ndër agimet e bardha tragjikisht të bukura (Bukurija që vret). Në

konceptimin ideor të personazhit të gruas në novelën “Bukën tonë të përditshme falna sot”,

Migjeni është nisur nga një model, që mund të merret si arketip në letërsinë e Evropës

Perëndimore: nga miti i nënës si shtrat i ardhmërisë së botës “dashuria e nënës me të gjitha

nuancat e saj ka qenë frymëzim i pashtershëm për të gjithë poetët e piktorët e të gjitha

kohërave”.

Pasqyrohet bota plot dilema dhe kundërshti e njeriut shqiptar, njëkohësisht bota morale,

psikologjike e shoqërisë shqiptare, në përmbajtje e zbulesa psikologjike të qenies njerëzore është

ndër përmbajtjet më domethënëse.

Proza e Migjenit është shpalim traumatik i dhimbjes njerëzore. Tragjikja është specifikë e

moralit që flet në kronologjinë e jetës. Migjeni i “ngjyrimit dantesk”, siç vëren Kadare, është

shkrimtari i një vizioni të qartë, ku ndërthur tragjicitetin jetësor të njeriut të vetmuar e stresuar

nga shpirtrat e vuajtur. Duke trajtuar labirintet e jetës nënkuptonte edhe nënshtrimin e

personazhit për të qenë besnik ndaj vizionit historik dhe social. Personazhet vendosen në raporte

ekzistenciale, shesin trupin për të konceptuar faktin jetësor të mbijetesës. Bota e tyre lëkundet

midis dëlirit të ëndrrës për të synuar fokusin e ekzistencës njerëzore. Migjeni nuk i bën mbrojtje

letrare personazhit, por rizbulon fatalitetin e tij me stilin brilant të të shkruarit.

Mirëpo ashtu siç na e pohon edhe Rexhep Qosja “këto personazhe mbesin figurante të

asaj skene të hatashme jetësore , meqenëse autori nuk ia del t`i ngrejë në nivelin e tipit letrar” .

Në novelën “Studenti në shtëpi”, Nushi zgjedh interpretimin alegorik të jetës për t`i vijëzuar

ligjet e botës që flasin për një enigmë të fatit nën sovranitetin e huaj. Veprimi i personazhit

plagoset nga situata e karakterit. Kodi moral triumfon mbi kodin logjik jetësor, mbi aksiomën e

14

Nocion i përdorur nga Ismail Kadare.

Page 15: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

15

jetës “due me jetue”. Personazhi i prozës së Migjenit e luan dramën e heshtjes, dhimbjes, të

vuajtjes e të nderit, ku Draçini e karakterizon si “poet të të pesimizmit dhe të dhimbës”.

Personazhi i prozës së Migjenit është punëtori i papunë që i ka harruar Hyjnitë, por i

përgjërohet kokrrës së misrit. Nëna mallkon të pjellën e vet e detyrohet të shesë vetveten. Të

rinjëve dhe të rejave jeta patriarkale u ka ndrydhur ndjenjat rinore. Personazhet e prozës së tij

kërkojnë një botë të re ku të jetojnë të lirë me dinjitet njerëzor pa frikë për të nesërmen. Migjeni

solli në letërsinë shqipe pezmin e ri, ai pezm, - sqaron Kadare – në dukje i rëndomtë, por është

më i fuqishmi i të gjithëve: pezmi qytetar, civil. Migjeni iu vu kërkimit ekzistencial, përpjekjeve

të pareshtura për të gjetur udhën në Qenien e njeriut dhe në këtë rrugëtim ekzistencial Migjenit

do t`i dilte përballë Murgesha si sinor ekzistencial. Ai i flet Murgeshës, pa asnjë farë mëdyshje

duke i besuar për projektin e tij ekzistencial. Ai flet me ndërgjegjen e çliruar të intelektualit

europian të të gjitha kohërave.15

Në prozën e tij hasim elemente të diskursit oral. Duke e vendosur në përrallë tragjedinë e

njerëzve të “lagjes së varfun” shqiptare, Migjeni u jep atyre përmasa gjithëkohore dhe ëndrrat e

tyre i ngre në nivel të mitit. Jo vetëm me formën e shprehjes , por edhe të përmbajtjes shënohet

thellësia e mjerimit të “lagjeve te varfëra”, përralla shërben si ikje nga realiteti. Atëherë kur

njeriu është në gjendje të vështirë, ikën në përralla, në botën e magjive, në botën e ëndrrave të

realizuara. Mirëpo, përrallat e Migjenit sikur janë ndryshe, ato të frymëzuara nga realiteti i

pashpresë i vendosin personazhet përballë situatave të pa dëshirueshme. Për ta nuk ka lumturi as

në botën reale, as në përralla “Asnjë kohë kurrë nuk ka qenë e tronditur me një hata të këtillë, me

tmerr kaq të madh nga vdekja; bota nuk ishte kredhur kurrë kaq shumë në heshtje varri; kurrë

njeriu nuk kishte qenë kaq i vogël dhe kurrë nuk kishte qenë kaq shumë i frikësuar”.

Tiparet e prozës së tij shquhen për shprehje lakonike e strukturë të ngjeshur. Fjala vjen si

“Uragan të ndërprerë”, kjo sepse fjala është përjetësisht uragan që s`di të shuhet. Autori na

përdor emërtimin”novela” por një pjesë e mirë e tyre për shkak të përfundimit të shpejtë të

veprimit dhe mungesës së shtjellimit në gjerësi të episodeve, mbeten në kufijtë e tregimeve.

Tjetër risi tregimit iu bë përsosmëria nga pikëpamja kompozicionale, si asnjëherë më parë në

prozën shqipe. Metafora në veprën e tij është hiperbolike dhe ekscentrike. Ajo është forma

natyrore e shprehjes. Ndërsa nga ana tematike ai e pasuroi prozën e këtyre viteve me një larmi

temash, që nga temat intime e deri te temat sociale. Në modelin e rrëfimit Migjeni, gërsheton

15

Anastas Kapurani, “Migjeni ose parathënie e dyzuar”, “Onufri”, Tiranë, 2010, fq. 165.

Page 16: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

16

rrëfimin si rrëfim të shkruar me rrëfimin në vetën e tretë, ndaj shpesh mjete të rëndësishme të

komunikimit artisik janë përshkrimet e shkurtra mbi ngjarjen. Në themel të prozave qëndron

gjithё fabula interesante, e cila fillon e mbaron shpejt me njё zhvillim klasik tё rrëfimit, duke

ndjekur rrjedhёn logjike dhe kronologjike tё tij sipas një modeli të diskursit modern. Migjeni

tregon qëndrim nihilist, jo vetëm ndaj së kaluarës dhe së sotmes, por edhe ndaj së nesërmes. Ai

me fuqinë ekspresioniste, duke mohuar të kaluarën dhe të sotmen, krijon projektin e mundshëm

të së nesërmes.

2.1. Leximi i personazheve modern

Interteksti është epiqendra rreth të cilit lidhet subjekti, shkrimi, vendi dhe kujtesa.

Qenësia e përhershme e vendit duhet të dëshmojë, para së gjithash, për shndërrimin e unit dhe

cenueshmërinë e tij themelore: nëse vendi mbetet, subjekti rikthehet aty ku ka ndryshuar

thellësisht.

Përshkrimi

Nushin te novela “Studenti në shtëpi”; narratori (shënon iniciatorin e brendshëm që e

shpalos ngjarjen, kryesisht botën e ndërtuar nga teksti dhe, si i tillë, mund të ekzistojë vetëm si

rezultat i organizimit tekstor) na e përshkruan si një student në qytetet e Evropës së Mesme; pasi

kthehet në shtëpi, ai vëren kontrastin e tmerrshëm midis vendit të vet dhe atyre të vendeve të

studimit.

Dialogu

Nushi jepet në dialog me motrën e tij, Age; babanë, nënën, motrat e tjera e vëllezërit,

kushërinjtë e gjithë personazhet e tjera.

Mendimet

Në novelën “Studenti në Shtëpi” është narratori që na përshkruan mendimet e Nushit.

Mendimet e tij shprehin një admirim për vendet e qytetëruara, urren pse vendi i tij është aq i

prapambetur. “Ai e don këtë votër, por diçka më e fortë e lidh me ato vise. Ato vise ku jeta

impulsive të lejon të jetosh edhe si i ri edhe si plak, si njeri i thjeshtë. Dhe si i ri që asht, ndjenjat

e tij mënjanojnë për mrekullinat e largëta, e në mendime gjurmon shkaqet pse vendi i tij është aq

mbrapa. Dhe njato shkaqe, me gjithë zjarrmin e rinis, i urren”.16

Ai kërkon ndryshim dhe

qytetërim, por nuk gjen forcën të predikojë për të.

16

Migjeni, “Novelat e qytetit të veriut”, “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 1999, fq. 6.

Page 17: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

17

Ndjenjat

Nushi: – “Qe një rast ku duhet me tregue fuqin e ndërgjegjes, të mendimit dhe të dashnis

për me shpëtue diçka nga zakonet fatale. Por kush të len! Ajri me mija zura, ku të len të jetosh

një jetë të shëndoshtë. Më kot u betove në vetvete për kontributin e vet në shoqni, për gjestet

ideale! Qe një provë ku pësova dështimin”.17

Apatia

Nushi harron jetën qytetëse kur sheh në familje që motrën po ia martojnë me një burrë të

cili ajo nuk e do. “As Nushi nuk tregonte më mrekullitë e viseve të largëta, e Nushi, për gjithë

kohën e dasmës ndiente një të vellun”.18

Dëshpërimi

Nushi: – “Urren të kaluemen që është aq e afërme, si baba i tij. Baba është i afërm si

babë, por i largët si përfaqësues i shoqnisë, si person. E gjithë mosmarrëveshja, të gjitha

moskuptimet vijnë nga se të gjith kemi nëpër shtëpia, nëpër votra, ka një ose më tepër të dashtun

e të urrejtun përnjëherësh”.19

2.2. Ndërtimi i simbolit

Një lidhje të ngushtë të prozës me simbolin ka krijuar edhe Migjeni. Në prozën “Puthja e

cubit” përshkruhet një situatë ëndrre fantastike, psikika e subjektit përcjell pulsionet e trupit.

Ekstaza dhe pulsionet erotike të trupit rinor të Dilës, – plot me dëshira, – paraqiten si realitete

kryesore të prozës. Personazhi jeton ëndrrën e erosit dhe jetës. Më tej, personazhi i Lulit (madje

dhe i vocërr) na sjell menjëherë imazhin e “tullumbave” të tij legjendare që i mban veshur jo

vetëm Luli shqiptar por mbarë mjerimi njerëzor.

“Nga kureshta i afrohet një shoku që ka çizmet më të reja. Ulet dhe shef në lustrin e

çizmës kambët e veta të zbathuna - aq shumë shkëlqeshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fl

uturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell t`i ngrohi kambët. - Por kur nuk ka diell, si ia

ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë disi hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis... Ndoshta,

ndoshta... ”.20

17

Migjeni, “Studenti në shtëpi”, në Novelat e qytetit të veriut, “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 1999, fq. 10. 18

Po aty, fq. 11. 19

Po aty, fq. 11. 20

Po aty, fq. 74.

Page 18: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

18

Simbolikën e një shprehje të errët e trishtuar e shpreh edhe personazhi i lypësit te “Zoti të

dhashtë”, ai mishëron njeriun e rrënuar moralisht. Lypësi shfaqet disa herë në prozën e Migjenit,

i cili dialogon me dritën dhe energjinë e pyetësimit të tij në kërkim për të gjitha kohërat të një

përgjigje ekzistenciale. Por këtë përgjigje s’e gjen dot as te Zoti. Në prozën “Qershiat”

personazhi simbol është malësorja e cila dashurohet, dashuron jetën dhe kërkon të lërë

trashëgimtarë edhe në kushtet ku mungon ushqimi. Ajo pret frytin e vet dhe me uri shikon

qershitë në degë, nga malli dhe dashuria për jetën kërkon të lindë të voglin e vetë për ta

përsëritur mjerimin. Malësorja simbolizon bijën e mjerimit shqiptar. E vendosur në krye të gjithë

krijesave të saj të gjalla, është bërë të sundojë e vetme mbi gjithçka. Qershitë janë simbol i

pasardhësve në jetë.

– Nano! A po munde të ma këputish ndoj degëz me qershia, se po ma rrënon uja?

– S`po mundem, nuso. . . prit sa të kthejë burri.

E nuses iu drodh zemra. Një aht u shmang nga buzët. Diçka u përmbys në mbrendin e saj. Një

urrejtje-kundër kujt as ajo s`e dinte – por urrejtje e pamëshirshme rritej, e zu për fyti, e

shtrëngoi. . . dhe e lëshoi, kur lotët filluen me rrjedhë rrkaj gjatë fytyrës së saj të zbetë.21

Personazhi jepet në konflikt të përjetshëm me ambientin, duke sjellë në dritë të vërtetën e

vështirë të marrëdhënies së natyrës me njeriun e mjerimit. Me misionin e tij vjen nga e ardhmja

dhe takon mjerimin në rrugëtimin ekzistencial të pandalur. Ky rrugëtim nuk ndal edhe në

ballafaqim midis brezave. “M`at gardhit asgja të re” është një tekst simbolist që ndërtohet midis

pamjeve të ndodhura e të rrëfyera. Vranjtësirë, ngathtësi, zvarritje; asnjë lloj lëvizje. Një grua e

re, mbas asaj një plakë, dëshmojnë dy breza që përsëritin njëri-tjetrin. E matanë gardhit asgja të

re. Vetëm një reze dielli e cila kish depërtue retë dhe se shifte tue mos gjete vend ma të mirë në

botë kish ra në pleh.22

2.3. Femra e shndërruar në simbol të idesë

Mbështetur në këtë kontekst, sjellim simbolikën e femrës, si pasqyrimi real i rrethanave

njerëzore. Realiteti zëvendësohet me iluzionin, i cili i referohet një përfytyrimi, ku ëndrrat dhe

shpresat përpëliten me dëshirën e bukur për të mos u shuar. Iluzioni zëvendëson realitetin,

atëherë kur ai vjen i ashpër, i dhimbshëm.

21

Migjeni, “Qershiat”, në Novelat e Qytetit të Veriut, “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 1999, fq. 80. 22

Migjeni, “M`atanë gardhit asgja të re”, në Novelat e qytetit të veriut, “Ilar”, Tiranë, 2009, fq. 161.

Page 19: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

19

Në interpretimin simbolist, shohim edhe personazhin femër të Migjenit. Në prozën

“Historia e njenës nga ato” autori na veçon Luken për të dhënë simbolikën e femrave që mbjell

mjerimi. Rrugëtimi ekzistencial i Lukes dhe përpjekjet për të rigjetur veten e humbur bëhet nëpër

rrugët e qytetit. Lukja është vetëm njëra nga femrat që bën të njëjtën punë, femra prostitutë. Në

realitetin ku “mbytet vetvetja”, ku nuk ekziston personaliteti i mëvetësishëm, femra bëhet pre e

instinkteve, të cilat janë pjesë përbërëse e biologjisë së saj. Në këto kushte fshihen kufijtë

ndërmjet së mirës dhe së keqes individuale, ndërmjet së moralshmes dhe së pamoralshmes. Në

një mungesë të plotë të normave, lajthitjet individuale s`janë asgjë tjetër, veç një demaskim i

hapur i asaj shoqërie, që femrën e sjell në shkallë të ulët morale dhe njerëzore. Procesi i

çmendjes dhe i zhveshjes së saj morale kanë nisur pikërisht në këtë prozë. Në këtë lojë të ofertës

dhe kërkesës, në këtë rrugë që në thelb simbolizon dëshirën e saj për një çast lumturie, Lukja nuk

gjen prehje, ngaqë, mes atij ambienti, në atë shoqëri, nuk ka vend për ngrohtësi njerëzore. Sa

herë njeriu ka dëshirë të dalë nga lëkura e vet, të ikë nga ajo pozitë fyese dhe të zhytet në

ëndërrimet që ia bëjnë jetën më të lumtur, atëherë vërtet nuk është aty.

Page 20: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

20

PËRFUNDIM

Në këtë kontekst, Migjeni ka arritur të na e sjell prozën (personazhin dhe prezantimin) e

botës së brendshme të tij nëpërmjet një konteksti narrativ.

Ai na ka sjellë psikologjinë e personazhit letrar, pengesat dhe vёshtirёsitë tё tij pёr t’u

pёrfshirё nё rrjedhën e qytetërimit, përparimit shpirtëror e material, pengesave psikologjike dhe

atyre sociale.

Nё prozën e tij mbetet parësore psikologjia e individit, i cili duhej tё shkëputej nga

“rehatia” e modelit tё jetës tradicionale pёr tё përqafuar njё model bashkëkohor qё ka nё bazë

kulturën e jetës.

Personazhi jepet i dëshpëruar në melankolinë e zhgënjimit, në rrugën dhe kërkimit të

panoramës së qytetit.

Qyteti dhe ruralja, lajmi dhe thashethemi, jeta publike dhe jeta private, kodi qytetar dhe

rregullat tradicionale, liria dhe paragjykimi, i vendosin në sprovë personazhet, si dhe ndërlikojnë

mendimet e veprimet e tyre.

Duke i pajisur personazhet me veti të veçanta, arritëm t’i individualizojmë ata me

karakteristika, si përshkrimi fizik, mënyra e reagimit ndaj situatave të caktuara dhe përjetimet e

veçanta të tyre. Kriza u motivua në ndjesitë mendore e shpirtërore të personazhit të Migjenit. Me

krijimet e tij në letërsinë shqiptare motivohet shkatërrimi i personalitetit të njeriut në kushtet e

një shoqërie despotike. Në krijimtarinë e tij rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore

kushtëzohet nga jeta materiale, se vlera shpirtërore e materiale shkatërrohet në kushtet e mjerimit

e vuajtjeve të jetës së shtresave të varfëria. Me dhembje e revoltë tregoi se si dinjiteti legjendar i

malësorit nderi i malësores dhe i qytetares së varfër kanë marrë fund në luftën për ekzistencë në

vështirësinë për t’i siguruar fëmijës një copë bukë a për të shpëtuar nga vdekja.

Shumëkuptimësia e shumëllojshmërisë së personazheve, leximet e pafund dhe gjithashtu

universalizimi i kuptimeve të diskurseve të personazheve, u përpoqëm t’i bëjmë të kuptueshëm

për rrethe të ndryshme kulturore. Diskursi jepet në qëllimin final të përligjjes së krijimtarisë më

të formësuar, ku shprehet polisemia tekstore, përmes së cilës autorët kërkonin krijimin e

individualitetit letrar si shenjë themelore të modernitetit.

Page 21: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

21

Depërtimin në diskursit oral e kemi dhënë në intertekst me diskurset e tjera si atë:

psikologjik, filozofik, kulturor, biblik, etnologjik. Mund të theksojmë se Migjeni spikat më tepër

diskursi psikologjik dhe ai biblik.

Femra te Migjeni, jepet në përpjekje për të gjallëruar rrjedhën e jetës. Kjo barrë e rëndë e

kishte vendosur si bartëse të ideve të shtresës së shtypur në shoqëri dhe në familje. Qyteti me

lagjet e tij të varfra e kishte shndërruar femrën në subjekt të neverisë dhe frikës duke u bërë pre e

instinkteve si shpëtim i rremë i vuajtjeve të ditës. Në këtë ferr ku mbytet vetvetja nuk ekziston

individualiteti femëror. Lufta për ekzistencë po e shkel moralin e pastër familjar duke e kthyer

femrën në një mëkatare në udhëtimin e jetës.

Duke shkatërruar në radhë të parë vazhdimësinë narrative të prozës klasike, ku sundonin

mënyrat standarde të paraqitjes së karaktereve dhe koherencën e gjuhës narrative. Duke e çuar

më tej, letërsinë bashkëkohore, në krijimin e personazhit intelektual si aktor letrar. Për lexuesin

dhe studiuesin e së nesërmes, Migjeni mbeten ikonë për një mori arsyesh, duke nisur që nga

njohja dhe popullariteti brenda arealit kulturor shqiptar; tipizimi i personazheve, tematika dhe

imazhi i ideve, mesazheve humane, mënyra e ndërlidhjes së reales me imagjinaren, ndërlidhja e

zhanreve dhe diskurseve letrare e jashtëletrare, përdorimi i teknikave bashkëkohore narrative e

gjer te prurjet e reja që vijnë si pasojë e formimit letrar të tij. Ofron lexuesin që ndiejnë

provokimin dhe magjepsjen e personazhit. Të atij personazhi që me botën e mendimeve dhe

përjetimeve të tij na shpuri në tipologjinë e personazhit urban, në një analizë mbi tekstin, me

vëmendje te personazhi brenda veprës letrare. Për të theksuar më tepër atë që “Letërsia nuk na e

realizon në rafte bibliotekash, por në aktin e leximit dhe interpretimit të personazhit të saj”.

Page 22: Programi Gjuhë Shqipe - filologjiku.uni-gjk.org · e brendshme sociale e politike dhe ndeshet me sistemin komunist.6 1.1. Proza moderne shqipe Një nga shembujt më të qartë dhe

22

LITERATURA

1. Anastas Kapurani, “Migjeni ose parathënie e dyzuar”, “Onufri”, Tiranë, 2010,

2. Arshi Pipa, “Për Migjenin”, “Princi”, Tiranë, 2006,

3. Gjovalin Luka, “Vargjet e lira”, (Parathënie), sh.b. “Përndim”, Tiranë, 1954.

4. Ismail Kadare, “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, sh.b. “8 Nëntori”, Tiranë, 1991,

5. Jose Saramago, “Udhëtimi i përkryer”, Sh.B. “Dritan”, Tiranë, 2002,

6. Migjeni, “M`atanë gardhit asgja të re”, në Novelat e qytetit të veriut, “Ilar”, Tiranë,

2009,

7. Migjeni, “Novelat e qytetit të veriut”, “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 1999,

8. Migjeni, “Qershiat”, në Novelat e Qytetit të Veriut, “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 1999,

9. Migjeni, “Studenti në shtëpi”, në Novelat e qytetit të veriut, “Mësonjëtorja e parë”,

Tiranë, 1999,

10. Migjeni, “Studenti në shtëpi”, në Novelat e qytetit të veriut, sh.b. “Mësonjëtorja e parë”,

Tiranë, 1999,

11. Migjeni, “Vepra”, skica “Të fala nga fshati”, “Cetis”, Tiranë, 2002,

12. Moikom Zeqo, “Migjeni, Arkitekti i nënëdheshëm i qiellit”, sh.b. “Erik”, Tiranë, 2011,

13. Persida Asllani, “Ndërtimi letrar i Qytetit në letërsinë moderne”, në Akte të konferencës

Letërsia & qyteti, sh.b. “Fakulteti Historisë e Filologjisë”, Tiranë, 2009,

14. Rinush Idrizi, “Migjeni”, sh.b. “Enciklopedike”, Tiranë, 1992,

15. Sabri Hamiti, “Letërsia moderne shqiptare”, sh.b.“Albas”, Tiranë, 2000,

16. Sabri Hamiti, “Letërsia moderne shqiptare”, sh.b. “Albas”, Tiranë, 2000,

17. Tefik Çaushi, “Sa kushton një buzëqeshje”, sh.b. “Klubi e Personazheve”, Tiranë, 2000.