61
Tiranë, 2013 Efektet e gjakmarrjes mbi gratë dhe vajzat në Shqipëri: Si mund të kontribuojnë gratë në trajtimin e kësaj dukurie GENDER+

Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

Embed Size (px)

DESCRIPTION

Studimi fokusohet mbi gratë në gjendjen e gjakmarrjes me qëllim që të analizojë pozicionin e tyre jo vetëm si viktima potenciale por edhe si agjentë të ndryshimit. Realiteti i tyre brenda kufijve të izolimit, ku jeta kalon në vijën e zjarrit, në varfëri dhe në dhunë është një realitet më I hidhur se sa raportohet nga media, letërsia apo qeveria. Kjo duhet ndryshuar! Ne shpresojmë se ky raport do t’i shërbejë qëllimit për të cilin është kryer: për të dhënë një zë për gratë brenda kufijve të izolimit. Së bashku me këto gra e vajza, të gjithë ne - aktorët shtetërorë, institucionet fetare , organizatat e shoqërisë civile , media dhe institucionet akademike - mund të rrëzojnë këto mure të izolimit kriminal. Studimi mbi “Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri: si mund të kontribuojnë gratë për ta adresuar atë?’ u krye gja periudhës shkurt - prill 2013.

Citation preview

Page 1: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

Tiranë, 2013

Efektet e gjakmarrjes mbi gratë dhe vajzat në Shqipëri:

Si mund të kontribuojnë gratë në trajtimin e kësaj dukurie

GENDER+

Page 2: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 2 -

Kryetare e grupit të punës:

Saemira Gjipali (Pino)

Grupi i punës: (sipas rendit alfabetik)

Adriana Berberi

Erka Çaro

Migena Kapllanaj

Sonila Danaj

Instituti Shqiptar për Çështje Publike – Tiranë, Maj 2013

Rr."Sami Frashëri", Nr 41, Tiranë

Tel. +355 04 2430 333

Fax. +355 04 2252 621

E-mail: [email protected]

Website: aipa.umb.edu.al

Page 3: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 3 -

Ky studim u mbështet nga UN Women – Shqipëri. Pikëpamjet e shprehura nga autoret e këtij raporti nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin dhe pikëpamjet e UN Women apo të Kombeve të Bashkuara.

Autoret falënderojnë në mënyrë të veçantë Znj. Estela Bulku koordinatore kombëtare e UN Women - Shqipëri, për komentet dhe sugjerimet e saj mbi draftin e parë të këtij raporti.

Page 4: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 4 -

I/e nderuar lexues,

Ky studim u ndërmor në ditët kur shoqëria shqiptare ishte ende e tronditur nga bilanci tragjik i vitit 2012, i vrasjeve të grave e vajzave.

Të mbështetur nga UN Women, nisur nga premisat e Rezolutës 1325 të OKB për sigurinë e grave në situata konflikti dhe pas tij, ne vumë në fokus të këtij studimi gratë në situatë gjakmarrjeje, për të analizuar statusin e tyre jo vetëm si viktima potenciale të shumëfishta, por edhe si faktorë ndryshimi e vetëndryshimi.

Realiteti i tyre brenda mureve të ngujimit, me jetën që çdo ditë shteron pak e nga pak, e shënjestruar nga zjarri i armës, varfëria, dhuna, ishte shumë më i hidhur nga çfarë na ofrojnë media, literatura dhe raportet qeveritare.

Ai duhet ndryshuar!

Shpresojmë që ky studim t’i shërbejë qëllimit përse u krye. T’u japë zë dhe rol grave që janë brenda atyre mureve të izolimit! Bashkë me këto gra dhe vajza, të gjithë ne, aktorët shtetërorë, institucionet fetare, organizatat e shoqërisë civile, media, institucionet akademike t’i shembim sa më shpejt dhe këto mure izolimi kriminal.

Mirënjohje për gratë dhe vajzat e familjeve të ngujuara, që na besuan rrëfimet e tyre, pa të cilat ky studim nuk do të ishte realizuar.

Falënderojmë drejtuesit e institucioneve publike dhe ekspertët e shoqërisë civile për informacionin që na dhanë, rekomandimet dhe kohën që na kushtuan duke kontribuar në përgatitjen e këtij studimi.

Një falënderim i veçantë për ndërmjetësuesit, këto gra dhe burra fisnik, të cilët mundësuan kontaktet tona me gratë e familjeve të ngujuara.

Ky studim u realizua falë mbështetjes financiare të UN Women.

Page 5: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 5 -

PASQYRA E LËNDËS

PËRMBLEDHJE ......................................................................................................................... - 7 -

1. HYRJE ............................................................................................................................ - 10 -

2. METODOLOGJIA............................................................................................................. - 10 -

3. VËSHTRIM NË LITERATURË ............................................................................................ - 15 -

3.1 GRATË DHE KONFLIKTI ............................................................................................................................. - 15 - 3.2 ROLI I GRAVE NË VENDOSJEN DHE RUAJTJEN E PAQES........................................................................................ - 17 - 3.3 ÇFARË ËSHTË GJAKMARRJA: NJË PËRKUFIZIM ................................................................................................... - 18 - 3.4 GJAKMARRJA SI NJË PRAKTIKË ZAKONORE ...................................................................................................... - 19 - 3.5 GRATË NË KANUN .................................................................................................................................. - 20 -

4. GJAKMARRJA NË DITËT E SOTME ................................................................................... - 21 -

4.1 GJAKMARRJE APO VRASJE PËR HAKMARRJE ...................................................................................................... - 22 - 4.2 TË DHËNA MBI GJAKMARRJEN ..................................................................................................................... - 23 - 4.3 SHKAQET DHE PASOJAT E GJAKMARRJES ........................................................................................................ - 26 - 4.4 GJAKMARRJA DHE GRATË .......................................................................................................................... - 27 -

5. ROLI I INSTITUCIONEVE DHE I SHOQËRISË CIVILE ......................................................... - 27 -

5.1 LEGJISLACIONI DHE MEKANIZMAT INSTITUCIONALË ........................................................................................... - 27 - 5.2 RENDI DHE DREJTËSIA .............................................................................................................................. - 29 - 5.3 SHËRBIMET SOCIALE DHE QEVERISJA VENDORE .............................................................................................. - 33 - 5.4. SHOQËRIA CIVILE .................................................................................................................................. - 35 -

6. ANALIZA NGA PERSPEKTIVA E GRAVE TË PËRFSHIRA NË SITUATË GJAKMARRJEJE ........... - 39 -

6.1 PROFILI I FAMILJEVE TË PËRFSHIRA NË GJAKMARRJE ........................................................................................... - 39 - 6.2 KUSHTET EKONOMIKE DHE SOCIALE ............................................................................................................ - 40 - 6.3 NDIKIMI I GJAKMARRJES NË JETËN E GRAVE .................................................................................................... - 41 - 6.4 SITUATA E FËMIJËVE................................................................................................................................ - 42 - 6.5 PERCEPTIMI I ROLIT TË SHTETIT ................................................................................................................. - 44 - 6.6 PERCEPTIMI I ROLIT TË AKTORËVE TË TJERË: MEDIA, SHOQËRIA CIVILE, INSTITUCIONET FETARE ................................... - 45 - 6.7 ROLI I GRAVE NË FALJEN E GJAKUT .............................................................................................................. - 46 - 6.8 BARRA E SHUMËFISHTË E GRAVE ................................................................................................................ - 48 - 6.9 A JANË GRATË VENDIMMARRËSE NË FAMILJET E NGUJUARA? ............................................................................... - 49 -

PËRFUNDIME ........................................................................................................................ - 50 -

BIBLIOGRAFIA ....................................................................................................................... - 56 -

SHTOJCA............................................................................................................................... - 59 -

Page 6: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 6 -

SHKURTIME AIPA Albanian Institute of Public Affairs ASHMDF Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve CEDAW Convention on the Elimination of Discrimination against Women KSHNJ Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike MPÇSSHB Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta NE Ndihma Ekonomike ODA Open Data Albania OJF Organizatë Jofitimprurëse OKB Organizata e Kombeve të Bashkuara SOS - Children’s Villages in Albania UN United Nations UNDP United Nations Development Programme UNIFEM United Nations Development Fund for Women US United State (Department)

Page 7: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 7 -

PËRMBLEDHJE

Ky studim fokusohet në analizën se si ndikohen gratë dhe vajzat nga gjakmarrja dhe si mund të kontribuojnë ato vetë për të lehtësuar dhe zgjidhur situatën në të cilën ndodhen. Ai është kryer në periudhën shkurt-prill të këtij viti dhe u paraqit si draft në tryezën e rrumbullakët, të organizuar më 29 prill 2013, posaçërisht për të marrë sugjerime nga ekspertë dhe aktorë të rëndësishëm institucionalë shtetërorë dhe të shoqërisë civile. Një pjesë e mirë e rekomandimeve që u bënë u reflektuan në raport.

Studimi trajton çështjet e mëposhtme: Si ndikon gjakmarrja mbi jetën e grave? Si mund të kontribuojnë gratë në zvogëlimin dhe çrrënjosjen e gjakmarrjes? Si ta kuptojmë më mirë fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri?

Literatura dhe realiteti na sugjerojnë se gjakmarrja në Shqipërinë e sotme është një formë e vrasjes për hakmarrje, e justifikuar me normat e praktikës primitive, por që ngjan me të vetëm në qëllimin për të vrarë atë që ka kryer krimin apo një anëtar tjetër të familjes së tij dhe në faktin se familjet ngujohen për të mbrojtur jetët e tyre.

Nisur nga interpretimi konkret i Rezolutës 1325 të OKB (2000) për sigurinë e grave dhe vajzave në kushtet tona, analizën e përshkon perspektiva gjinore, duke përbërë të veçantën në tërësinë jo të pakët të raporteve, monografive, artikujve për këtë problematikë. Nga konsultimi me literaturën në shqip jemi të sigurt se nuk ka një trajtesë ekskluzive me fokus gratë dhe vajzat dhe përvojat e tyre në këtë lloj situate konflikti.

Metodologjia që zgjodhëm ishte rishikimi i të dhënave dhe studimeve kryesore ekzistuese të periudhës pas vitit 1991 dhe analiza e mbështetur në të dhëna të reja empirike, të mbledhura nëpërmjet metodës cilësore të kërkimit. Janë përfshirë gjithashtu vëzhgimet nga puna në terren si dhe ditarë të intervistueseve. Intervistat janë të regjistruara, me përjashtim të 2-3 rasteve kur të intervistuarat nuk e pranuan regjistrimin.

Të bindura prej të dhënave nga burime të shumta, se me gjithë shpërndarjen gjeografike që ka sot dukuria hakmarrje/gjakmarrje, kjo e fundit vazhdon të ruajë një dimension të fortë lokal, zgjodhëm Shkodrën dhe rrethinat e Tiranës si zona ku do të kërkonim të dhënat cilësore. Me ndërmjetësimin e disa grave dhe burrave fisnikë, që punojnë për lehtësimin e situatës së familjeve në situatë gjakmarrjeje, arritëm të intervistonim drejtpërsëdrejti 12 gra dhe vajza prej tyre, dhe të dëgjonim histori jete të tyre, të fëmijëve dhe të familjarëve të tjerë.

Intervistat u konceptuan gjysmë të strukturuara, për të na lejuar fleksibilitet në lidhje me rrethanat konkrete të secilit prej rasteve. U hartuan pyetje të thjeshta dhe bëmë shumë kujdes për të ruajtur hapësirat e secilës prej grave që intervistuam, për të mos cënuar asnjë parim etik, për hir të përftimit të sa më shumë të dhënave.

Page 8: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 8 -

Një grup tjetër që targetuam për intervista, ishin personat kyç të informuar për këtë dukuri, drejtues institucionesh në nivel kombëtar dhe vendor dhe ekspertë të sektorit publik e të shoqërisë civile.

Kërkimi tregoi se ndryshe nga si perceptohet (edhe të dhënat sasiore ndikojnë në këtë perceptim. Ato përveçse kontradiktore, janë edhe, sipas një termi të huazuar nga literatura feministe, “gender blinded”) gratë janë drejtpërsëdrejti në ndikimin e gjakmarrjes: përjetojnë dhe vuajnë dhimbjen për humbjen e babait, bashkëshortit, djalit, vëllait e më tej; i tremben zinxhirit vrastar dhe jetojnë me frikën se cili nga të afërmit do të jetë viktima e radhës; kur familja është në izolim (ngujim apo vetëngujim) gratë janë nën presionin e dhunës mashkullore, jo vetëm psikologjike, por edhe fizike e seksuale, të cilën në më të shumtën e rasteve, as nuk e konsiderojnë dhe as e denoncojnë, madje ka raste që edhe e justifikojnë për shkak të situatës që përjetojnë bashkëshortët apo djemtë; kur këta të fundit janë vrarë, ngujuar apo qëndrojnë të fshehur, gratë mbajnë peshën e përballimit të jetesës ditë pas dite të të gjithë familjes; përveç roleve tradicionale absolutisht të pandryshuara, grave u “delegohet” edhe roli i gjetjes dhe siguruesit të vetëm të të ardhurave - realisht kryejnë rolin e kryefamiljares; ato kanë shqetësimin amtar të jetës, por edhe të së ardhmes së fëmijëve. Fëmijët e tyre janë të privuar nga një fëmijëri normale dhe rriten me frymën e hakmarrjes e të urrejtjes si dhe me frikën se mund të bëhen shënjestër e hak/gjakmarrësve; gratë ndihen të margjinalizuara dhe të harruara nga të afërmit, komuniteti dhe shteti; janë nën presionin psikologjik edhe të paragjykimit se mund të perceptohen nga të tjerë si familje kriminelësh; ka raste (sado të pakta) që edhe gratë apo vajzat janë vrarë apo përfshirë në vrasje.

Përveç rolit të tyre primar në mbajtjen e familjes, gratë ende e konsiderojnë veten në një pozicion varësie, edhe në rastet kur burrat nuk janë të pranishëm në jetët e tyre. Ato marrin rolin e kryefamiljares përkohësisht deri sa një nga fëmijët djem të rritet. Gjithashtu e konsiderojnë veten tepër të pafuqishme në procesin e pajtimit duke gjykuar se kjo është një çështje burrash.

Megjithëse jo objekt i studimit, është evidentuar progresi, për sa i përket legjislacionit, veçanërisht atij penal, ngritjes së strukturave të reja në përbërje të policisë së shtetit, në strukturat e pushtetit vendor etj. Janë paraqitur përpjekjet për ta trajtuar çështjen në nivel politikash, të paktën pjesërisht apo në koordinim me përpjekje të tjera siç është lufta kundër dhunës në familje, por zbatimi mbetet i kufizuar. Ka disa politika lehtësuese, sidomos për arsimimin e fëmijëve të ngujuar dhe trajtimin e tyre, apo për llogaritjen e ndihmës ekonomike (NE).

Mbështetur në të gjitha këto, kemi konkluduar se institucionet shtetërore, edhe nën presionin e organizatave civile kombëtare dhe ndërkombëtare, kanë shfaqur vullnet për ligje dhe politika lidhur me gjakmarrjen. Por ato u adresohen kryesisht pasojave dhe kanë rezultate të pjesshme në menaxhimin e tyre.

Page 9: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 9 -

Përcaktimi i grave në familjet në situatë konflikti (gjakmarrje) si kategori të veçanta në grupet e përfituesve për mbështetje institucionale mbetet ende i pazhvilluar.

Të vetmit aktorë që duket se janë të përfshirë drejtpërdrejt janë organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e besimit fetar, të cilat sigurojnë kontribute humanitare dhe shërbime sociale specifike për familjet në gjakmarrje, edhe pse të kufizuara në kapacitetin e tyre për t’i ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe tërësore.

Të paadresuara si duhet mbeten efektet sociale dhe ekonomike të gjakmarrjes. Pavarësisht se duket se në shënjestrën e zjarrit janë kryesisht burrat, gjakmarrja bën që të gjithë anëtarët e familjeve të përfshira të vihen në rrezik dhe të vuajnë pasojat. Veç kërcënimit për jetën, nga gjakmarrja burojnë edhe probleme të tjera sociale, psikologjike dhe ekonomike.

Situata konfliktuale i ka varfëruar këto familje dhe i ka detyruar ato të migrojnë nga fshati, komuniteti apo qyteti. Ato manifestojnë probleme të shumëfishta sociale dhe shëndetësore dhe kanë pak ose aspak kontakt me botën jashtë.

Përfshirja e komunitetit është e ulët, edhe për shkak të frikës nga reaksioni që vjen pas. Duket sikur në përgjithësi gjendja pranohet si një çështje e rrezikshme dhe private e familjeve të përfshira në gjakmarrje, ku nuk duhet të ndërhyjë askush.

Nga intervistat na rezultoi se faktorët socialë dhe kulturorë kanë ndikim më të madh mbi gjakmarrjen krahasuar me faktorët institucionalë dhe qeverisës.

E drejta zakonore, shpesh e keqpërdorur ose edhe e rishpikur, vazhdon të ndikojë te brezi i ri, shkaktuar edhe nga një boshllëk gati absolut i vlerave të reja kulturore. E theksojmë këtë, se ndonëse Kanuni si perceptim i gjymtuar është i pranishëm (ne ju referuam atij për hir të kontekstit të konceptit të gjakmarrjes), nuk na rezulton domosdoshmërisht si një variabël në korrelacion shkakësor me vrasjet.

Gjakmarrja kërkon një adaptim të ri të sjelljes dhe aktivitetit të gjithë niveleve të shoqërisë shqiptare. Institucionet shtetërore në nivel qendror dhe lokal, organizatat e shoqërisë civile dhe media duhet të koordinojnë përpjekjet e tyre për të ofruar mbështetje të përshtatshme për këto familje dhe të fuqizojnë veçanërisht gratë, që vetë ato të luajnë rol aktiv për të dalë nga kjo situatë.

Për një përgjigje efektive ndaj gjakmarrjes del si domosdoshmëri qasja holistike, e orientuar nga veprimi, që të synojë komunitetet dhe individët, gratë dhe burrat. Fjalët kyçe të kësaj qasjeje janë ligj, drejtësi, informim, parandalim, përfshirje e grave në proces pajtimi dhe edukim, punësim, arsimim, shërbime, plan zhvillimi.

Page 10: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 10 -

1. HYRJE

Rezoluta 1325 e OKB-së mbi sigurinë (2000) pohon se konflikti prek gratë dhe vajzat ndryshe nga burrat dhe djemtë dhe se gratë duhet të jenë pjesë e zgjidhjes dhe e proceseve të arritjes të paqes (UN Women 2012). Konflikti në këtë rezolutë dhe programet e mëtejshme në mbështetje të zbatimit të saj kuptohet si konflikt i armatosur. Ne besojmë, edhe pse në shkallë relativisht të vogël, se mund të aplikojmë të njëjtat parime për rastet e gjakmarrjes, sepse janë të paktën dy familje të mëdha në armiqësi të hapur, ka atje kërcënim për hapje zjarri dhe vrasje të meshkujve nga një familje në tjetrën. Edhe pse gratë dhe vajzat nuk janë objektiv i drejtpërdrejtë i këtyre vrasjeve, ato preken drejtpërdrejt nga ky proces. Raporti ofron dëshmi mbi faktin se gjakmarrja prek fort jetët e grave dhe vajzave dhe e bën këtë në një mënyrë të ndryshme nga ajo e burrave dhe djemve.

Axhenda për gratë, paqen dhe sigurinë ka dy komponentë kryesorë: parandalimin dhe mbrojtjen. Në trajtimin e një fenomeni të veçantë është e domosdoshme të mendosh për mbrojtjen e atyre që janë aktualisht në rrezik, por në të njëjtën kohë të ndërtosh një strategji që do të parandalonte rritjen e numrit të personave të prekur prej tij në të tashmen dhe të ardhmen. Që kjo të arrihet, çdo ndërhyrje duhet të fillojë me një studim të thelluar që do të çonte më pas në një përgjigje të bazuar te rrethanat konkrete. Në shqyrtimin që i kemi bërë literaturës, nuk kemi gjetur një studim tjetër me këndvështrim gjinor. Gratë janë përmendur ose në mënyrë sporadike, ose për të nënvizuar faktin që ato janë të përjashtuara nga gjakmarrja. Ne besojmë se mënyra më e drejtë për të lexuar këtë pretendim është se ato janë të përjashtuara (jo gjithmonë) nga lista e objektivave të drejtpërdrejtë, por jo nga gjakmarrja. Gratë përjetojnë një përvojë të drejtpërdrejtë të gjakmarrjes nga humbja e një prej të dashurve të tyre, nga frika për jetën e secilit prej burrave dhe fëmijëve meshkuj në familje, nga përballimi të vetme i barrës së mbajtjes së familjes, kur burrat u vriten ose ngujohen apo fshihen dhe të gjitha problemet që rrjedhin nga/ ose lidhen me të, duke përfshirë edhe frikën për sigurinë e vetë atyre. Të dhënat tregojnë gjithashtu se edhe pretendimi i mësipërm - se janë të përjashtuara si objektiva - nuk duket të jetë më i vërtetë, pasi disa gra janë vrarë si gjatë shkëmbimit të zjarrit, po edhe si objektiva të veçanta. Prandaj përjashtimi i grave nuk është më i justifikueshëm. Në trajtimin e problemit të gjakmarrjes, është e nevojshme të kuptohet se si preken gratë prej saj brenda kontekstit se si preken familjet në këtë situatë, gjë që synon të trajtojë ky studim.

2. METODOLOGJIA

Analiza e ndikimeve që ka gjakmarrja te gratë në Shqipëri dhe se si mund të kontribuojnë ato në trajtimin e këtij problemi është mbështetur në hulumtimin e

Page 11: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 11 -

literaturës ekzistuese dhe në grumbullimin e të dhënave empirike. Duke qenë se qëllimi kryesor i studimit është të kuptohet situata dhe roli i grave në rrethanat e gjakmarrjes, janë përdorur metoda të ndryshme për arritjen e tij. Kështu, janë mbledhur të dhëna nga literatura, dokumentet ligjore, raportet dhe studimet e mëparshme, librat dhe artikujt e medias mbi gjakmarrjen dhe vrasjet për hakmarrje në Shqipëri, me një përqendrim të veçantë në periudhën nga fillimi i tranzicionit (vitet ‘90-‘91) deri në ditët e sotme. Duke e konsideruar gjakmarrjen edhe si një çështje të sigurisë, është konsultuar edhe literatura mbi Rezolutën 1325 të Kombeve të Bashkuara, si edhe studime të tjera lidhur me gratë në situatë rreziku, konflikti dhe pas konflikti, ose me gratë në kushtet e varfërisë ekstreme, sepse këto përkojnë pjesërisht me gjendjen e grave, familjet e të cilave janë në gjak.

Përveç konsultimit me dokumentet, raportet dhe artikujt ekzistues, studimi bazohet mbi të dhëna të mbledhura përmes metodash cilësore, siç janë intervistat me specialistë, intervistat me gratë, vëzhgimet dhe shënimet nga puna në terren. Metodologjia cilësore1 e zgjedhur bazohet në qasjen etnografike. Qasja etnografike është e vlefshme kur studiohen çështje komplekse, raste me ndjeshmëri të lartë dhe një popullsi që është e vështirë të identifikohet (Tinker 1990), siç është rasti i këtij studimi. Një karakteristikë e qasjes etnografike është vëzhgimi i sjelljes, i kushteve dhe i këndvështrimeve lidhur me mjedisin ku ato ndodhin (Nurani 2008). Ky studim konsiston në analizën e perceptimeve, sjelljeve dhe kushteve të grave në situatë gjakmarrjeje, gjë që kërkon një marrëdhënie të ngushtë midis studiuesit dhe kampionit të popullatës që merret në shqyrtim. Duke zgjedhur një qasje etnografike, të bazuar në metodat cilësore të hulumtimit, ne mund të analizojmë në detaje realitetin, përvojat dhe këndvështrimet e grave që kanë një përvojë të drejtpërdrejtë me dukurinë.

Një grup intervistash gjysmë të strukturuara janë zhvilluar me përfaqësues të institucioneve shtetërore në nivel qendror, që kanë pasur apo që kanë të bëjnë direkt ose indirekt me fenomenin e gjakmarrjes dhe/ose vrasjet për hakmarrje, si Ministria e Drejtësisë; Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta; Ministria e Brendshme; Gjykata e Krimeve të Rënda; Avokati i Popullit, si dhe me ato në nivel vendor, si Bashkia e Shkodrës, Drejtoria Arsimore Rajonale, organizata të shoqërisë civile që veprojnë në këtë fushë dhe përfaqësues të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar. Në të njëjtën kohë, janë zhvilluar edhe 12 intervista me gra, familjet e të cilave janë në gjakmarrje. Këto intervista shërbyen për të kuptuar më thellë problemin nga këndvështrimi i institucioneve përkatëse përmes dëshmive të ekspertëve të intervistuar, si dhe për të reflektuar mbi mundësitë e ndërhyrjes me

1 Një hulumtim cilësor ka si qëllim të paraqesë realitetin ashtu siç e shohin dhe e perceptojnë njerëzit; Hulumtimi cilësor i jep studiuesit mundësinë të zbulojë dhe të kuptojë përvojat jetësore të njerëzve dhe të interpretojë fenomenin në studim (në këtë rast, gjakmarrjen) duke përdorur fjalët dhe zërin e njerëzve që e kanë përjetuar atë (në këtë rast, gratë) (Corbin and Strauss 2008).

Page 12: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 12 -

qëllim fuqizimin e grave në këto kushte, si një qasje e re kundër fenomenit. Hulumtimi cilësor/qasja etnografike është edhe një mënyrë e efektshme për të zbuluar ndikimet komplekse që kanë te gratë, gjakmarrja dhe vrasjet e tjera për arsye të ngjashme. Për shkak të kushteve delikate ku e gjejnë veten, shpesh nën kërcënimin e jetës, gratë e intervistuara janë identifikuar me ndihmën e ndërmjetësve në terren, si mësues, punonjës social apo persona të tjerë që kanë kontakte me këto familje.

Një zgjedhje e tillë u bë kryesisht, sepse familjet e përfshira në gjak janë shumë dyshuese ndaj të huajve, dhe ne mund të na pranonin në shtëpi vetëm me ndërmjetësimin e njerëzve të njohur prej tyre. Kontakti me këta të fundit ishte e vetmja mënyrë për të arritur objektivat e studimit. Rreziqet ishin të shumta. Në fillim, na duhej të fitonim besimin e tyre nëpërmjet ndërmjetësimit të personave tanë të kontaktit, të cilët kishin marrëdhënie të drejtpërdrejta me komunitetin dhe në veçanti me këto familje. Kështu që ne arritëm të shkojmë në shtëpitë e disa prej këtyre grave dhe të dëshmojmë për kushtet dhe mënyrën e tyre të jetesës. Por kjo jo gjithmonë u bë e mundur. Vumë re se kur burrat ishin të ngujuar në shtëpi, ishte e pamundur të hyje brenda dhe të bëje një intervistë. Në mënyrë kategorike ua kishin ndaluar grave këtë gjë. Në disa raste arritëm t´i takonim gratë jashtë shtëpisë, në mjediset e një organizate jo fitimprurëse ose të një shkolle, por kur u kërkonim të shkonim për vizitë në shtëpi, na thoshin se kishin ardhur të na takonin pa dijeninë dhe lejen e burrave, sepse ata do t’i kishin ndaluar rreptësisht. Arsyet që na paraqisnin ishin: rezistenca për ta bërë publike gjendjen në të cilën ndodhej familja, me qëllim që të shmangej turpi dhe gjykimi për familjen me të cilën ishin në gjak. Madje, në një rast, ndërmjetësin tonë e kërcënuan dhe i kërkuan të mos i afrohej më shtëpisë. Gjithashtu vumë re që për shkak të perceptimit se media e paraqiste fenomenin si sensacion dhe për shkak të frikës nga ekspozimi, disa nga të intervistuarat refuzuan të regjistroheshin gjatë bashkëbisedimit.

Gjithashtu, gjatë intervistave dhe kërkimit në terren, u kryen një sërë vëzhgimesh nga studiuesit. Vëzhgimet konsiderohen si nga metodat më të rëndësishme për mbledhjen e të dhënave në një studim etnografik. Në rastin tonë, vëzhgimi qe i formës më të thjeshtë, vëzhgim vetëm gjatë intervistës dhe kohës së kufizuar që kaluam me familjet e përzgjedhura për shkak të natyrës shumë të ndjeshme të studimit dhe vështirësisë për të hyrë në familjet e gjakmarrjes apo ndonjëherë edhe vështirësisë për t’i gjetur ato. Koha e kaluar me këto familje shpesh ishte e kufizuar dhe zgjaste vetëm për aq sa zgjaste intervista. Shumicën e rasteve ajo zhvillohej në prani të ndërmjetësve (edhe pse jo gjithmonë), të cilët ndërhynin në bisedë, duke na kufizuar në procesin e intervistimit. Veç kësaj, menjëherë pas intervistave janë mbajtur shënime të rregullta etnografike në formën e një ditari për mënyrën e zhvillimit të tyre, për mendimet, përshtypjet e çdo dite, vizitat në familje, sjelljet e grave dhe fëmijëve gjatë intervistës. Gjatë punës në terren, këto shënime në formë ditari na ndihmuan në përcaktimin e çështjeve, pyetjeve shtesë që mund të

Page 13: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 13 -

bëheshin gjatë intervistave dhe në vendimin për numrin e intervistave që do të zhvilloheshin. Më pas, gjatë fazës së analizës, shënimet etnografike janë përdorur për të pasuruar rezultatet dhe për të plotësuar të dhënat e grumbulluara.

Intervistat, vëzhgimet dhe shënimet etnografike na jepnin mundësinë për të njohur situatën nga këndvështrimi i këtyre grave, duke iu kërkuar të reflektonin për kushtet ku ndodheshin, si kishin përfunduar aty, ç’mund të bëhej dhe si, për të dalë nga kjo situatë ose me forcat e tyre, ose përmes institucioneve shtetërore ose palëve të treta, që mund të kishin ndikim në ndryshimin e gjendjes së tyre. Studimi etnografik na ndihmoi për të plotësuar raportin me histori nga bota reale. Kështu, përveç 12 intervistave, kemi përfshirë edhe historinë e katër fëmijëve, dy vajza dhe dy djem, të prekur drejtpërdrejtë nga gjakmarrja ose ngujimi. Të tjera histori jete na u dëshmuan nga eksperte të fushës, që kishin apo kanë kontakte të drejtpërdrejta me këtë kategori vulnerabile krejt të veçantë të shoqërisë sonë.

Nga dymbëdhjetë gra të intervistuara, njëmbëdhjetë ishin gra familjet e të cilave kishin qenë të ngujuara ose vazhdonin të ishin të ngujuara, ndërsa njëra ishte nga një familje që synonte të merrte gjak/hak. Këto të fundit, duke pasur parasysh rrezikun dhe natyrën e paligjshme të qëllimeve të tyre, ishte shumë e vështirë të identifikoheshin dhe të intervistoheshin. Por, kushtet e tyre, edhe pse delikate, nga pikëpamja sociale dhe ekonomike janë më pak të rënda se sa gjendja në të cilën e gjejnë veten familjet kur ngujohen. Me fjalë të tjera, ky studim pasqyron më së shumti kushtet në të cilat jetojnë gratë dhe familjet e ngujuara.

Çështjet etike

Gjatë studimeve etnografike dalin shumë çështje etike që duhet të merren parasysh, për shkak se hulumtuesi krijon një marrëdhënie të ngushtë me kampionin e popullsisë që studiohet. Përpara se të kryheshin intervistat, gjatë kohës së kaluar në terren, gjatë analizimit të të dhënave dhe raportimit të tyre, janë pasur parasysh çështjet etike. Kështu, para intervistave, jemi siguruar që gratë të ishin të mirëinformuara për studimin, për qëllimin e tij dhe për publikimin e rezultateve. Para çdo interviste siguronim të intervistuarat se informacioni që do të na jepnin do të përdorej vetëm për qëllim të këtij studimi. I garantonim se të dhënat e mbledhura prej tyre do të përdoreshin në mirëbesim të plotë dhe se ato do të mbeteshin anonime. Për të ruajtur anonimatin e tyre, çdo personi/rasti i referohemi me numër dhe kemi shmangur përmendjen e informacioneve të caktuara për jetën e tyre, që do të bënin të mundur identifikimin e personit ose rastit. Gjithashtu, pasi kemi marrë lejen dhe miratimin e tyre me gojë, i kemi informuar se kishin të drejtë të ndërprisnin intervistën në se nuk dëshironin të vazhdonin më tej.

Page 14: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 14 -

Studimi trajton çështjet e mëposhtme:

• Si ndikon gjakmarrja te gratë?

• Si mund të kontribuojnë ato në trajtimin e këtij problemi, zvogëlimin dhe mundësisht eliminimin e tij?

• Si të kuptohet më mirë fenomeni i gjakmarrjes në Shqipëri?

Konkluzionet janë përpunuar përmes metodës së analizës tematike, ku çdo çështje që ka dalë nga të dhënat e intervistave është interpretuar dhe analizuar për t’iu përgjigjur pyetjeve të mësipërme. Të dhënat e mbledhura janë organizuar në dy grupe kryesore: analiza cilësore me gratë dhe analiza cilësore me ekspertët. Duke u mbështetur në qasjen etnografike, çështjet kryesore nuk janë përcaktuar përpara fillimit të studimit, por janë zhvilluar gjatë hulumtimit në terren dhe më pas gjatë analizës tematike. Sipas Corbin dhe Strauss, analiza cilësore mund të konsiderohet si një proces i shqyrtimit dhe interpretimit të të dhënave për të nxjerrë kuptimin e tyre dhe për të nxjerrë prova empirike mbi popullsinë dhe fenomenin që studiohet (2008: 1).

Analiza e të dhënave gjatë këtij studimi ka filluar njëkohësisht me zhvillimin e punës në terren. Disa tema dhe koncepte të rëndësishme zunë të përcaktohen me fillimin e intervistave cilësore, vëzhgimeve dhe shënimeve etnografike. Këto tema dhe koncepte u përforcuan gjithnjë e më shumë nga një intervistë në tjetrën. Edhe shënimet etnografike në formën e ditarit, të cilat janë mbajtur sistematikisht, kanë ndihmuar shumë gjatë analizës. Intervistat e regjistruara janë dëgjuar disa herë dhe si rezultat u bë i mundur përcaktimi i pikave kryesore pas çdo interviste. Pas dëgjimit të intervistave janë mbajtur shënime të detajuara dhe pastaj konceptet dhe çështjet kryesore janë zhvilluar më tej gjatë shkrimit të raportit. Gjatë procesit të analizës është ndjekur një qasje induktive, e cila gjithashtu ka mundësuar krijimin e hipotezave dhe rekomandimeve teorike.

Pas përgatitjes si draft të këtij raporti, më 29 prill 2013 u organizua tryeza e rrumbullakët me pjesëmarrjen e aktorëve që kanë rol në ndryshimin e situatës si dhe me studiues dhe ekspertët e intervistuar. Grupi i studimit paraqiti gjetjet kryesore dhe rekomandimet dhe mirëpriti sugjerimet dhe konsideratat e pjesëmarrësve, gjë që kontribuoi në cilësinë e studimit duke i dhënë atij formën në të cilën po paraqitet.

Page 15: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 15 -

3. VËSHTRIM NË LITERATURË

3.1 Gratë dhe konflikti

Rezoluta 1325 (2000) e Kombeve të Bashkuara trajton drejtpërdrejtë çështjen e sigurisë dhe paqes nga një perspektivë gjinore. Ndër paragrafët e saj mund të referojmë:

Duke shprehur shqetësimin se civilët, veçanërisht gratë dhe fëmijët, konsiderohen si shumica dërrmuese e të prekurve nga konflikti i armatosur, përfshirë këtu si refugjatët ashtu edhe të shpërngulurit brenda vendit,; dhe faktin që gjithnjë e më tepër ata janë nën shënjestrën e luftëtarëve dhe të elementëve të armatosur, si dhe duke marrë parasysh pasojën e këtij ndikimi për një paqe të qëndrueshme dhe për pajtim,

dhe

Duke ripohuar rolin e rëndësishëm të grave në parandalimin, zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes, si dhe duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre të barabartë dhe përfshirjen e plotë në të gjitha përpjekjet për ruajtjen dhe çuarjen përpara të paqes dhe të sigurisë, si dhe nevojën për të rritur rolin e tyre në proceset vendimmarrëse, lidhur me parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, duke ripohuar gjithashtu nevojën për të zbatuar plotësisht ligjet ndërkombëtare humanitare dhe ato të të drejtave të njeriut, të cilat mbrojnë të drejtat e grave dhe të vajzave gjatë dhe pas konflikteve,

Rezoluta 1325 (2000) nxit dhe kërkon përfshirjen e një perspektive gjinore në vendosjen dhe ruajtjen e paqes, si dhe pjesëmarrjen dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të grave në këtë proces.

Analiza e grave dhe e gjakmarrjes është në përputhje me konsideratat e kësaj rezolute, sepse pavarësisht faktit që konflikti nuk është midis dy komunitetesh ose grupe më të mëdha njerëzish, ajo është një situatë e konfliktit me armë midis të paktën dy familjesh (zakonisht të mëdha), që prek jetën e grave duke kërcënuar ato dhe fëmijët e tyre, i detyron të mbyllen brenda si pasojë e kërcënimit të perceptuar dhe përkeqëson kushtet ekonomike dhe sociale të jetesës. Për shkak të këtyre ngjashmërive kemi konsultuar literaturën mbi gratë në konflikt që na ndihmoi të krijonim kuadrin konceptual për të kuptuar situatën dhe për të bërë analizën tonë. Kështu, duke u mbështetur në literaturën mbi gratë në konflikt dhe pas-konfliktit, vëmë re se në situatë konflikti dallimet ekzistuese në fuqi dhe aksesi ndaj burimeve, theksohen edhe më shumë, gjë që e dobëson më tej pozitën e atyre që ndërkohë janë të pafuqishëm, pavarësisht nëse janë burra, gra apo fëmijë (El Bushra 2007: 136).

Page 16: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 16 -

Gjithashtu konfliktet i hapin rrugën dhunës seksuale si formë e hakmarrjes dhe poshtërimit të kundërshtarit.

Literatura sugjeron se situata të njëjta ose të ngjashme përsëriten edhe në periudhat pas konfliktit. Konfliktet që pasojnë është e vështirë të marrin fund, edhe kur paqja është shpallur, sepse dhuna vazhdon duke e mbajtur shtetin dhe popullin e tij në një gjendje të ndërmjetme, që nuk është as luftë as paqe, por që zakonisht quhet tranzicion (Willett 2010: 146).

Tranzicioni, si rezultat i luftës apo i ndryshimit të një sistemi politik, ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e atyre që përfshihen. Ndër pasojat, me rastin tonë lidhen më shumë siguria (ose mungesa e saj), gjendja sociale dhe varfëria. Marrëdhënia midis tyre është komplekse, sepse gjendja shoqërore dhe varfëria mund të mos jenë vetëm rezultat i konfliktit, por edhe i faktorëve të tjerë që kanë çuar në shpërthimin e tij. Për më tepër, tranzicioni i bën të pafuqishmit akoma më të cënueshëm se më parë, duke rritur kështu shanset e tyre për pasiguri dhe varfërim të mëtejshëm. Ndërsa burrat si grup shoqëror e rrisin sistematikisht pushtetin e tyre social, ndikimet te gratë kanë qenë më pak të favorshme: gratë përbëjnë grupin më të madh të të papunëve, përfaqësimi i tyre në politikë është shumë i ulët dhe më i paktë se në regjimin e mëparshëm (pavarësisht kapacitetit përfaqësues real të diskutueshëm), ekziston një tendencë në rritje e feminizimit të varfërisë, standardet e shëndetit riprodhues kanë rënë, dhuna ndaj grave është rritur (Willett 2010: 145).

Në rastin e Shqipërisë, periudha e tranzicionit nga sistemi totalitar me një ekonomi të centralizuar, në modelin liberal të demokracisë, me një ekonomi kapitaliste të tregut, ishte e pasur në ndryshime, të cilat kanë pasur pasoja sociale të diskutueshme. Nga njëra anë, ka pasur një shtim të lirive politike, të nxitjes për rritje ekonomike, të privatizimeve dhe ristrukturimit të shtetit. Nga ana tjetër, kostot sociale dhe ekonomike të këtij ristrukturimi nuk mund të injorohen. Efektet kanë qenë veçanërisht të ndryshme kur është fjalë për gjinitë, sepse gratë dhe burrat kanë pasur përvoja të ndryshme dhe të pabarabarta. Gjatë këtyre më se 20 viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparim. Raporti i Zhvillimit Njerëzor për vitin 2012 e vendos atë në pozicionin e 70-të nga 186 vende dhe në pozicionin e 41-të lidhur me indeksin e pabarazisë gjinore (UN 2013: 17). Por, duke marrë parasysh dhunën ndaj grave, Komiteti i Eliminimit të Diskriminimit ndaj Grave, në vërejtjet e tij përmbyllëse për Shqipërinë, thekson se ai (Komiteti) mbetet i shqetësuar për përhapjen e vazhdueshme dhe të lartë të dhunës ndaj grave në Shqipëri (UNIFEM 2010: 15). Ky po bëhet një shqetësim social, pasi nuk konsiderohet më si një çështje e “derës së mbyllur”.

Page 17: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 17 -

3.2 Roli i grave në vendosjen dhe ruajtjen e paqes

Edhe roli që luajnë gratë në konflikte është kompleks. Nganjëherë ato janë objektiv i tyre, por mund të jenë dhe kanë qenë gjithashtu të përfshira në to si pjesëmarrëse. Trajtimi i tyre si viktima është vetëm njëra anë e historisë, sepse edhe pse tërhiqet vëmendja për masa mbrojtëse aktive, në të njëjtën kohë ato lihen mënjanë, duke i anashkaluar më tej dhe duke i përjashtuar nga procesi i arritjes ose ruajtjes së paqes. Kështu, gratë idealizohen në rolin e tyre si viktima që kanë nevojë për mbrojtje dhe nënvlerësohen për fuqinë dhe kontributin e tyre (Willett 2010: 143-4).

Literatura sugjeron konsiderimin e tyre si aktore, që pavarësisht kushteve personale, duhet të përfshihen drejtpërdrejt në procesin e vendosjes dhe ruajtjes së paqes si agjentë të pazëvendësueshëm socialë (Pratt dhe Richter-Devroe 2011: 4990). I njëjti parim pasqyrohet në Rezolutën 1325 të Kombeve të Bashkuara, që kërkon qartë mbrojtjen e të drejtave të grave gjatë dhe pas konfliktit, si edhe përfshirjen e tyre në procesin e vendosjes dhe ruajtjes së paqes.

Megjithatë, pavarësisht votës unanime në vitin 2006, zbatimi i rezolutës mbetet akoma i kufizuar. Sipas literaturës, ndërtimi i paqes, sidomos nga organizmat ndërkombëtare, ka qenë më shumë i përqendruar në ndërtimin e strukturave dhe institucioneve formale, duke lënë mënjanë fuqizimin e komunitetit, veçanërisht grupet e margjinalizuara si gratë. Në disa raste, ato edhe janë prekur negativisht, siç tregon shembulli i Kosovës. Chinkin dhe Charlesworth citojnë reagimin e rrjetit të grave ndaj ndërtimit të paqes në shkallë ndërkombëtare: “Komuniteti ndërkombëtar na ka margjinalizuar ne grave si kurrë më parë. Kurrë nuk jemi ndjerë kaq të lëna mënjanë sa ndjehemi tani” (2006: 942).

Mungesa e një qasjeje gjinore shpesh justifikohet me karakteristikat kulturore të vendeve ku veprojnë këto organizata ndërkombëtare. Shpesh mbas konfliktit gratë lihen mënjanë, pavarësisht kontributit të tyre në zgjidhjen e tij. Ka edhe raste kur një stereotip i tillë gjinor është përdorur nga organizatat lokale në favorin e tyre, siç shpjegon Elisa Helms kur flet për rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ku gratë aktiviste kanë përdorur stereotipat e organizatave ndërkombëtare të grave si paqebërëse dhe pacifiste për të rritur praninë e tyre në procesin e ndërtimit të paqes (Simié 2010: 190).

Pavarësisht rasteve individuale, rreziku i një vështrimi esencialist të rolit gjinor dhe portretizimi i grave si objekte të mbrojtjes gjatë ose pas konfliktit janë të qarta: nëse gratë nuk janë të pranishme dhe të përfshira në mënyrë aktive gjatë procesit të ndërtimit të paqes, shanset që ato të përjashtohen nga rendi i ri janë të mëdha. Për më tepër, nëse gratë përjashtohen nga sistemi gjatë procesit, atëherë sistemi i ri nuk ndryshon nga i vjetri kur është fjala për ata që ishin ndërkohë pa pushtet dhe të

Page 18: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 18 -

margjinalizuar, siç janë gratë. Ndryshimi qëndron në faktin se sistemi që po ndërtohet e shpall veten se është i ri, dhe prandaj është e vështirë të kundërshtohet dhe të ndryshojë në të ardhmen e afërt, gjë që mund t’i kthejë masat e përkohshme të margjinalizimit të grave për arsye sigurie në masa të përhershme, duke krijuar kështu një sistem të dominimit mashkullor shumë të ngjashëm, në mos të njëjtë, me atë përpara tij.

Prandaj periudha pas konfliktit është vendimtare për vendosjen e një sistemi të ri, i cili do të ishte jo vetëm i përgjithshëm, por dhe do të ndreqte ndryshimet, diskriminimin dhe përjashtimin. Një qëllim i tillë mund të arrihet nëse të gjitha grupet sociale fuqizohen duke ndërtuar kapacitetet e tyre dhe duke siguruar akses dhe përfshirje mbi bazën e të drejtave të barabarta në procesin e vendimmarrjes.

3.3 Çfarë është gjakmarrja: një përkufizim

Gjakmarrja është një formë e hakmarrjes. Historikisht ky fenomen është hasur që në Mesjetë e ndoshta më tej, kryesisht ndër popujt e Mesdheut e sidomos te banorët e territoreve shqiptare, Italisë jugore, Korsikës si dhe pjesës evropiane të Turqisë së sotme (Valentini 2005: 666-667, 670-672). E veçanta e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri është se konsiderohet nga palët që marrin pjesë në të si e ligjshme dhe çdo veprim i tyre (siç është vrasja për të marrë gjak) bazohet në Kanun. Në gjuhën e përditshme, Kanuni përdoret për t’iu referuar të drejtës zakonore shqiptare, ligji i pashkruar që është transmetuar nga një brez në tjetrin. Në një situatë ku shteti mungonte, organizimi dhe vetëqeverisja bazohej mbi këtë kod zakonor dhe ndihej nevoja për masa shtrënguese që të mundësonin zbatimin e tij. Prandaj dhe u përpunuan ato si të tilla. (Historia e Shtetit dhe e së Drejtës në Shqipëri 1997, kreu, E drejta zakonore shqiptare). Është e rëndësishme të theksohet se kanuni nuk është një dokument i vetëm, por një grup rregullash i vërejtur në një komunitet të veçantë dhe relativisht të vogël dhe i diktuar nga këshilli i pleqve, që do të thotë se komunitete dhe zona të ndryshme, dhe nganjëherë fshatra në Shqipëri, kishin secili Kanunin e tyre. Ndodhte që një kanun të kishte një zonë më të gjerë influence, siç ishte Kanuni i Lekë Dukagjinit në pjesën verilindore të vendit. Është e rëndësishme të dihet se kanë ekzistuar disa kanune, që do të thotë se për sa kohë që nuk kishte një kod ligjor të njësuar, përdorimet e tyre në praktikë kanë qenë të ndryshme qysh nga fillimet e tyre, kur ishin rregullatorët e sjelljes shoqërore të kohës. Kjo shpjegon pjesërisht edhe interpretimet e ndryshme që gjejmë sot për probleme si gjakmarrja.

Në fakt, ka disa (keq)kuptime mbi gjakmarrjen, sidomos për atë se çfarë është dhe çfarë detyron. Fillimisht, gjakmarrja ishte një sanksion, por kuptimi i saj është zgjeruar dhe aktualisht konsiderohet si një nga përcaktimet e mëposhtme ose si një kombinim i tyre: një ligj shoqëror ose fetar, si pjesë e zakoneve tradicionale, si një ligj

Page 19: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 19 -

i pashkruar apo si një hakmarrje e thjeshtë (Mile 2007: 7). Kuptimet e ndryshme kanë çuar në konfuzion si edhe në abuzime në emër të fenomenit.

3.4 Gjakmarrja si një praktikë zakonore

Gjakmarrja është justifikuar si e bazuar mbi normat e Kanunit. Deri në shpalljen e monarkisë, në fillim të vitit 1928, Shqipëria qeverisej nga ligjet zakonore, pavarësisht përpjekjeve për vendosjen dhe zbatimin e ligjeve të shtetit (Semi 2012). Gjakmarrjet vazhduan gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet e para të regjimit komunist. Të dhëna nga Gjykata e Diktimit tregojnë se nga 767 vrasje të kryera gjatë viteve 1939-1944 dhe 153 gjatë viteve 1944-1950, 291 ishin vrasje për gjakmarrje (Elezi 2000: 54-55). Gjatë periudhës komuniste (1944-1990) ku ligjet e shtetit zbatoheshin, pati një pakësim të ndjeshëm të rasteve të gjakmarrjes, por sidomos sepse Kodi Penal e dënonte vrasjen për gjakmarrje si një formë të veçantë të vrasjes me paramendim (Elezi 2000). Megjithatë, regjimi komunist nuk kishte objektiv vetëm gjakmarrjen. Qëndrimi zyrtar ishte për çrrënjosjen e të drejtës zakonore dhe rolin e saj në historinë e vendit. Kështu, dokumente të rëndësishme të kësaj lloj tradite ligjore nuk botoheshin dhe as viheshin në dispozicion të lexuesit të gjerë. Dokumente të tilla si Kanuni i Lekë Dukagjinit mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi, Kanuni anonim i 1868, ose Kanuni i përgatitur nga Nopçsa, të cilët mbaheshin në arkivat Françeskane dhe Jezuite, si edhe dorëshkrime të tjera si Kanuni i Skënderbeut (mbledhur dhe koduar nga Dom Frano Illia), Kanuni i Pukës (mbledhur dhe koduar nga Xhemal Meçi), Kanuni i Labërisë (mbledhur nga etnografi Rrok Zojzi) dhe kanune të tjerë ishin bllokuar në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë Shqiptare të Shkencave (Plasari 2000). Literatura sugjeron se përjashtimi i qëllimshëm ka drejtpërdrejtë mbi interpretimin ose mungesën e interpretimit se si funksiononin kanunet dhe pse, gjë që shpjegon keqinterpretimet dhe zbatimet e ndryshme në Shqipërinë e sotme, sidomos kur është fjala për një praktikë delikate dhe jetëmarrëse si gjakmarrja.

Në Kanun thuhet se "gjaku gjithmonë merret me gjak" dhe parashikohen rregulla specifike për raste të veçanta të gjakmarrjes (Durham 2000). Duke u bazuar në këtë kod social, një person është i “detyruar” (nga shoqëria) të vrasë një person tjetër me qëllim që të shpëtojë nderin nga një vrasje e mëparshme ose nga një ofendim publik që mund t’i ketë ndodhur një pjesëtari të familjes. Pikërisht kjo praktikë njihet dhe si gjakmarrje (Gëllçi 2005). Gjakmarrja, e cila në Kanunin e Lekë Dukagjinit konsiderohet si një dënim kapital, është marrja e jetës së atij individi apo të pjesëtarëve të familjes së atij individi që ka kryer një vepër të rëndë ndaj jetës, familjes, pronës, nderit dhe dinjitetit të dikujt (Vickers and Pettifer 2000). Në këtë kanun të veçantë janë 150 norma dedikuar “gjakut” dhe “gjakmarrjes”. Sipas Plasarit, “gjaku” ose vrasja sipas këtij ligji është veprimi ku jeta e dikujt merr fund. Ndërsa “gjakmarrja” është vrasja e dytë që bëhet për të “rimarrë [hakmarrë] gjakun” e

Page 20: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 20 -

personit të parë që ishte vrarë. Për këtë arsye, vrasja e dytë është një dënim për vrasjen e parë. E dyta vjen pas të parës bazuar në parimin “gjak për gjak”. Parimi nënkupton që vrasja dënohet me vrasje dhe/ose që vrasja është e njëjtë me vrasjen, por në të njëjtën kohë nuk mund të vrasësh dy ose më shumë njerëz për të marrë hakun e një vrasjeje të vetme. Në qoftë se nga familja e të vrarit vritet më shumë se një person, kjo nuk është më “gjakmarrje dhe sjell më pas një tjetër vrasje, këtë herë kundër atij që ka kryer më shumë se një vrasje” (Plasari 2000).

Kanuni i Lekë Dukagjinit njeh këto sanksione penale: dënimin me vdekje, gjakmarrjen dhe dëbimin nga bashkësia. Dënimet i cakton gjyqi i pleqve, kuvendi i vëllazërisë apo ai i fisit. Me ekzekutimin e tyre ngarkohej pala e dëmtuar, e cila është e detyruar ose të falë ose të marrë hak. Pala fajtore është e detyruar të ngujohet sipas rregullit kanunor dhe afateve të përcaktuara në Kanun. Me ngujimin e palës fajtore lind e drejta e negocimit për pajtim, që mund të bëhet me falje ose me kompensim. Kanuni sugjeron pajtimin me falje, duke e konsideruar faljen si një nivel të lartë morali dhe trimërie.

Vendosja e rregullit dhe ligjit në veri të Shqipërisë, që ka qenë gjithmonë një detyrë e vështirë, u kontrollua më shumë gjatë regjimit komunist, por u bë më e vështirë me vendosjen e demokracisë në vend (Gjuraj 2000). Si rezultat i keqpërdorimit të qëllimshëm të kanunit, vrasjet që janë kryer vitet e fundit në vendin tonë, duke u bazuar në ligjet kanunore, u kanë marrë jetën qindra shqiptarëve dhe kanë ngujuar shumë të tjerë, kryesisht fëmijë dhe gra (Mile 2007).

3.5 Gratë në Kanun

Edhe pse në Kanun thuhet se “frymë për frymë, të gjithë janë të barabartë para Zotit”, Kanuni zbatonte diskriminimin gjinor dhe gratë kishin dukshëm më pak të drejta se burrat. Gruaja nuk mund të trashëgonte, ndërkohë që konsiderohej si pronë e të shoqit, edhe pse ai nuk kishte të drejtë mbi jetën e saj. Përjashtim bënte kapja në flagrancë për tradhti bashkëshortore; përndryshe, nëse burri e vriste gruan pa lejen e familjes së saj, ai hynte në gjak me këtë familje, e cila ishte e vetmja që kishte të drejtë mbi jetën e gruas. Detyrimet e gruas qëndronin brenda kategorisë së roleve të bashkëshortes, nënës dhe vajzës, dhe ajo nuk kishte detyra të tjera shoqërore. Gjithsesi, Kanuni e mbronte atë duke i garantuar të drejtën për martesë, mbrojtjen nga detyrimi për të hyrë me forcë në një lidhje jashtë martese dhe duke dënuar rrëmbimin e një gruaje. Kanuni ndalonte edhe përdorimin e armëve nga gratë, por nga gojëdhënat dhe tregimet gojore ka pasur raste në histori ku gratë kanë mbajtur armë, edhe pse nuk ka raportime për dënim apo ndonjë lloj sanksioni ndaj tyre.

Të vetmet raste kur gruaja lejohej të merrte një pozitë sociale ishin nëse familja e saj nuk kishte meshkuj dhe kishte nevojë për një burrë. Në këto raste gruaja,

Page 21: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 21 -

zakonisht një vajzë e re dhe e pamartuar, nëpërmjet një ceremonie kthehej në të ashtuquajturën burrneshë, që do të thoshte se mund të luante të gjitha funksionet sociale të burrit, me kusht që të hiqte dorë nga të qënit grua (duke u betuar edhe për të mbetur e virgjër). Në këtë rast ajo lejohej të merrte gjak (Gëllçi 2005: 22-4). Po kështu, Elezi na shpjegon se “autoriteti i ndërmjetësit, që sipas kanuneve mund të ishte burrë a grua, djalë a vajzë, apo edhe një prift a hoxhë, pavarësisht nga mosha ose seksi2, ishte sanksionuar në kanune. Kërkesë primare për ndërmjetësin, pavarësisht se kush e merrte përsipër këtë mision, ishte ndershmëria, paanësia e tij në zgjidhjen e konflikteve.” (Elezi 2000: 29), që do të thotë se praktika kanunore ia njihte gruas të drejtën për të qenë pjesë e procesit të ndërmjetësimit për pajtim. Ky interpretim mbështetet nga dëshmi të shumta të zbatimit të fushatave për pajtim në Kosovë në vitet 1990-1991, kur grupe studentësh vajza dhe djem trokisnin në çdo derë dhe ndërmjetësonin pajtimin midis familjeve në gjak në të gjithë vendin, përfshirë edhe zonat më të thella e më patriarkale. Roli i nënave dhe bashkëshorteve për të kuptuar rëndësinë e faljes së gjakut të të dashurve të tyre është theksuar edhe në këtë rast (Çetta 1999).

4. GJAKMARRJA NË DITËT E SOTME

Gjakmarrja ka mbetur pjesë e psikologjisë shqiptare, pjesë të cilën nuk arriti ta zhdukte as regjimi komunist me gjithë bllokimin që i bëri për një gjysmë shekulli. Gjakmarrja vjen si fenomen historik i vjetër dhe funksionon sipas një mekanizmi të njohur që të gjithë e marrin të mirëqenë, por po ashtu përplaset dhe me një pandjeshmëri sociale dhe publike (Ballauri 2012). Në ditët e sotme situata në Shqipëri, sidomos ajo e lidhur me drejtësinë dhe krimet, komplikohet dhe më tej nga gjakmarrjet/hakmarrjet të ndërmarra jo vetëm në veri dhe në zonat rurale, por edhe në ato urbane e kudo në vend (Voell 2003). Raportimet tregojnë se rastet e gjakmarrjes, akoma tipike në pjesën veriore të Shqipërisë, janë zhvendosur edhe në pjesë të tjera të vendit, si edhe në kryeqytet. Të dhënat tregojnë se një përqindje e lartë mbetet në pjesën veriore kryesisht rurale; gjithsesi, fenomeni nuk është më i izoluar gjeografikisht.

Si një traditë e trashëguar nga drejtësia primitive, fenomeni i gjakmarrjes në dy dekadat e fundit ka dëshmuar rast pas rasti e në tërësi edhe defekte të luftës kundër kriminalitetit dhe mosbesimin që ka komuniteti ndaj policisë dhe drejtësisë (Mile 2007). Njihen mjaft raste vrasjesh për gjakmarrje, të cilat janë vënë në jetë pas vendimeve gjyqësore ku dënimet e dhëna kanë qenë minimale dhe të “padrejta” sipas familjarëve të viktimës ose dhe raste kur persona të pa arrestuar nga drejtësia janë gjetur dhe ekzekutuar nga familja e viktimës (e.m/Balkanweb 2012). Në emër të

2 Italiket të shtuara.

Page 22: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 22 -

Kanunit në njëzet vite janë kryer krime të cilësuara për gjakmarrje, por të pabazuara në zgjidhjen e të drejtës kanunore, si rasti i një gruaje të vrarë për një krim të kryer nga i biri, ekzekutimi i fëmijëve për gjakmarrje, vrasja e një kleriku, apo futja në gjakmarrje pa lejen e këshillit të pleqve (ODA 2011). Të gjitha rastet e sipërpërmendura nga njohësit dhe studiuesit e kanunit konsiderohen si thyerje të rënda (shih, për shembull, Elezi 2000 apo Gëllçi 2005).

Situata paraqitet qartë nga producentja e dokumentarit “Life on hold – Jetë pezull”, dedikuar temës së gjakmarrjes, që thotë “…jo vetëm që fenomeni ekziston në të gjithë vendin, por unë mendoj se ai nuk është në vetvete vetëm gjakmarrje. Në se do ta shohim këtë fenomen përmes Kanunit, Kanuni nuk ekziston më. E vetmja gjë që ka mbetur nga Kanuni është ngujimi. Asgjë tjetër nuk i lidh vrasjet e sotme me Kanunin si të tillë (Mustafaj 2007).

4.1 Gjakmarrje apo vrasje për hakmarrje

Që një vrasje të konsiderohet rast për gjakmarrje, ajo duhet të plotësojë një sërë kushtesh. Mes tyre janë arsyet e kërkesës për gjakmarrje dhe mënyra e veprimit për ta realizuar. Sipas autorëve Elezi (2000), Gëllçi (2005) dhe Mile (2007), rasteve të ditëve të sotme u mungon legjitimiteti i praktikës së lashtë. Vrasjet shpesh kryhen për motive të dobëta, pa respektuar rregullat si: respektimi i ndërmjetësit, respektimi i afateve, dhënia e besës për fëmijët nën 15 vjeç, respektimi i kufomës, mosprekja e grave dhe fëmijëve. Në raste të veçanta, as gjaku nuk e shlyen gjakun, duke bërë që vrasjet të vijojnë derisa të shuhet etja për hakmarrje.

Siç thotë Elezi: “Vrasja për gjakmarrje kryhet për të marrë gjakun për një vrasje të mëparshme, apo për tentativë për vrasje apo plagosje të rëndë apo të lehtë, kurse vrasja për hakmarrje bëhet si shpagim për rrahje, grindje, fyerje, dhunë, veprime të padrejta të mëparshme. Këto nocione nuk mund të njësohen” (2000: 7).

Dallimi midis hakmarrjes dhe gjakmarrjes është mjaft i rëndësishëm, sepse na ndihmon të kuptojmë rrethanat e vrasjes së parë dhe asaj që pason ose kërcënimit për vrasje. Siç është përmendur shumë vrasje sot nuk justifikohen me Kanunin. Megjithatë, pavarësisht mungesës së bazës kanonike, në shumicën e rasteve familjet fshihen ose ngujohen, dërgojnë ndërmjetës që të bisedojnë për falje, duke e futur kështu veten në gjakmarrje. Në këto kushte, pavarësisht se qëllimi për të kryer vrasjen e dytë ka karakter hakmarrës, palët e fusin veten në një situatë gjakmarrjeje, gjë që e bën fenomenin e ditëve të sotme një hibrid shumë më kompleks se ai i dikurshmi. Elezi e shpjegon shndërrimin e hakmarrjes në gjakmarrje si pasojë e mungesës së ndërhyrjes juridike: “në rast se vrasësit nuk vihen përpara përgjegjësisë ligjore, atëherë vepron gjakmarrja, domethënë hakmarrja personale, kështu që vrasja e mëparshme për motive të ndryshme kthehet nga pasojë në shkak për vrasjen për gjakmarrje”

Page 23: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 23 -

(2000: 76). Kjo tregon një përshkallëzim të fenomenit, ku as zbatimi i ligjit nuk mjafton për ta parandaluar atë.

4.2 Të dhëna mbi gjakmarrjen

Nuk ka të dhëna të sakta mbi rastet e gjakmarrjes dhe mbi numrin e të ngujuarve. Madje të dhënat janë shpesh kontradiktore, kjo në varësi të burimit. Kështu, nga njëra anë, mediat raportojnë qindra e mijëra vrasje për shkak të gjakmarrjes si dhe mijëra fëmijë të ngujuar, nga ana tjetër, sipas statistikave zyrtare, vrasjet për gjakmarrje kanë pësuar ulje të ndjeshme, nga 45 në vitin 1998 në vetëm 1 në vitin 2009 (UN Human Rights Council 2010). Po sipas këtyre statistikave numri i fëmijëve të izoluar varion nga 36 në 57 në të gjithë vendin, prej të cilëve 29-45 fëmijë të izoluar vetëm në Shkodër. Sipas përllogaritjeve familje të ngujuara mendohet të jenë 124 - 133 në të gjithë vendin (po aty, f.4).

Avokati i Popullit deklaron në një raport të fundit (2013) se për periudhën 1990-2000 kanë qenë 8229 familje në gjakmarrje, ndërsa për periudhën 2001-2012 numri i përgjithshëm 1559, që është disa herë më i vogël se sa dhjetë vitet e kaluara, por prapë mbetet një numër i konsiderueshëm familjesh. Këto shifra raportohen edhe si të dhëna zyrtare.

Të dhënat dhe shifrat ndryshojnë edhe kur burimet janë nga shoqëria civile apo OJF të ndryshme. Sipas një organizate me shumë aktivitet në terren ka vetëm 350 familje dhe rreth 100 fëmijë të izoluar. Ndërkohë një tjetër organizatë e njohur jep shifra të tjera, rreth 10.000 vrasje për gjakmarrje që nga viti 1991 si dhe rreth 1500 familje dhe 800 fëmijë të ngujuar (US Department of State 2010). Gjithsesi, në tërësi pranohet se vitet nëntëdhjetë, duke qenë dhe vite me kriminalitet të lartë, u shoqëruan me një numër të madh vrasjesh në emër të vetëgjyqësisë dhe anarkisë (ODA 2011). Sipas Raportit të Zhvillimit Njerëzor (1998), rreth 73% e vrasjeve dhe vdekjeve të dhunshme në Shqipërinë e vitit 1997 janë klasifikuar si vrasje për gjakmarrje apo për hakmarrje. Sipas ODA (2011), për shkak të lëvizjeve qytetare, ndërgjegjësimit social, forcimit të rendit dhe sigurisë në vend, në vitet 2004 – 2007 ky lloj krimi pati një rënie sipas statistikave zyrtare. Por në vitin 2009 numri i krimeve dhe çështjeve penale të gjykuara për gjakmarrje ka pësuar rritje, ndërsa raportimet mbi numrin e rasteve gjatë 2010-ës dhe 2011-ës tregojnë se ka pasur një rritje të vazhdueshme në numrin e vrasjeve për gjakmarrje (ODA 2011).

Në 2012, për herë të parë Ministria e Brendshme ka dhënë disa shifra zyrtare për gjakmarrjen. Janë kryer 225 vrasje për gjakmarrje që nga viti 1998 deri më 2012 dhe janë të ngujuara 67 familje në të gjithë Shqipërinë. Në shkallë vendi janë 33 fëmijë të ngujuar që nuk frekuentojnë shkollën, 23 vetëm në Qarkun e Shkodrës. Sipas policisë së shtetit numri i vrasjeve për gjakmarrje në vitet 1998-2012 përbëjnë 7.9 % e

Page 24: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 24 -

numrit të përgjithshëm të vrasjeve. Ndërsa për tre vitet e fundit, numri i vrasjeve për gjakmarrje, si edhe numri i të gjitha vrasjeve raportuar nga Policia e Shtetit, është si më poshtë:

2010 – 118 vrasje gjithsej, 5 për gjakmarrje

2011 - 124 vrasje gjithsej, 5 për gjakmarrje

2012 - 125 vrasje gjithsej, 8 për gjakmarrje3

Sipas policisë së shtetit, shpërndarja e 67 familjeve të ngujuara sipas qarqeve është : Qarku Shkodër, 48 familje, Qarku Kukës, 13 familje, Qarku Lezhë, 4 familje, Qarku Tiranë, 1 familje dhe Qarku Durrës, 1 familje.

Ndërsa numri i personave të ngujuar, po sipas policisë së shtetit, është 153 në rang vendi. Numri i personave të ngujuar në qarqe të ndryshme të vendit është:

Në Qarkun Shkodër, 93 burra, 21 fëmijë, 2 studentë

Në Qarkun Lezhë, 4 burra

Në Qarkun Kukës, 16 burra, 6 gra dhe 7 fëmijë

Në Qarkun Durrës, 1 burrë, 1 grua, 3 fëmijë

Në Qarkun Tiranë, 1 burrë

Shifrat e dhëna nga Ministria e Brendshme janë kontestuar nga OJF të ndryshme, pasi mendohet që nuk janë reale, ndërkohë që mendohet të janë shumë më të larta se të dhënat zyrtare.

Një studim i kryer nga Forumi Për Mendimin e Lirë tregon se vetëm në Qarkun e Shkodrës ka 112 familje të ngujuara, ose 323 persona të ngujuar, mes të cilëve 104 fëmijë, 77 prej të cilëve në moshën e arsimit të detyruar (Top Channel 12 shkurt 2011). Në lançimin e studimit të Forumit, Përfaqësuesi i Policisë së Shtetit deklaroi se ishte pozitive që të dhënat e shoqërisë civile ishin të përafërta me ato të Policisë. Në të njëjtën kohë ai theksoi se është e rëndësishme të mos zmadhohen shifrat, gjë që është e kuptueshme sepse të dhënat më sipër qartazi janë të ndryshme. Policia deklaron se në rang vendi janë 153 të ngujuar, ndërkohë që Forumi për Mendimin e Lirë deklaron 323 vetëm në Qarkun e Shkodrës. Po kështu, të dhënat zyrtare pretendojnë se në Qarkun e Tiranës ka vetëm një të ngujuar, por gjatë këtij studimi ne intervistuam 5 familje, burrat e të cilave ose fshiheshin ose ishin të ngujuar. Gjithashtu na u tha se

3 Informacion mbi gjakmarrjen i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, dhënë AIPA-s për këtë studim, me dokumentin zyrtar nr. 456/1, datë 19.02.2013, në përgjigje të kërkesës për intervistë të drejtpërdrejtë.

Page 25: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 25 -

vetëm në zonën e Bathores janë rreth 30 familje në gjakmarrje, shumica e të cilave jetojnë të ngujuara.

Dallimet mes të dhënave janë evidentuar edhe më parë nga Reporteri Special i Kombeve të Bashkuara dhe nga raporte të tjera ndërkombëtare. Për këtë ka dy arsye. Arsyeja e parë është njësia e matjes. Burime të ndryshme raportojnë gjëra të ndryshme: një burim raporton vrasje në total të vëna pranë vrasjeve për gjakmarrje, një burim tjetër rendit numrin e familjeve të ngujuara, herë të shpërndara sipas qarqeve, herë sipas grup moshave, ndërsa herë të tjera jep numrin e fëmijëve. Dallimi në mënyrën e mbledhjes dhe paraqitjes së të dhënave i bën ato të vështira për t’u krahasuar. Arsyeja e dytë shpjegohet shpesh në termat e axhendave individuale të palëve të përfshira. Agjencitë qeveritare raportojnë histori suksesi ndaj krimit dhe veprimtarisë së paligjshme, prandaj ato akuzojnë organizatat e shoqërisë civile se manipulojnë të dhënat për të justifikuar fondet që marrin dhe duan të vazhdojnë të marrin nga donatorët e huaj. Nga ana tjetër, organizatat e shoqërisë civile akuzojnë agjencitë qeveritare për fshehje të së vërtetës, duke paraqitur një histori suksesi të mediatizuar në kurriz të asaj pjese të shoqërisë që vuan pasojat e gjakmarrjes, sepse qeveria kërkon të fitojë votën elektorale dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Të dhënat e pretenduara nga agjencitë qeveritare e bëjnë të vështirë të kuptohet shkalla e sotme e fenomenit dhe në të njëjtën kohë vështirësojnë krijimin dhe zbatimin e strategjive të duhura për parandalimin dhe zhdukjen e tij.

Ajo çka duket gjithashtu qartë në këto të dhëna të raportuara nga agjencitë shtetërore dhe jo shtetërore është mungesa e variablit gjinor. Është e vështirë të dallosh në se ka gra mes vrasësve dhe viktimave dhe sa prej tyre. Të dhënat për gratë zakonisht jepen në total, si p.sh. 27 gra të vrara vetëm në vitin 2012, por nuk mund të themi nëse si justifikim për ekzekutimin e tyre është përdorur gjakmarrja apo praktika të tjera kanunore. Nga intervistat tona dhe/ose nga media del se ka pasur raste të grave vrasëse ose të vrara për gjakmarrje, por nuk ka të dhëna zyrtare që e saktësojnë këtë gjë. Mungesa e të dhënave mbi bazë gjinore e bën të vështirë matjen e shkallës së përfshirjes së grave dhe vajzave në gjakmarrje. Po kështu, të dhënat dhe burimet e ndryshme që kemi konsultuar përqendrohen kryesisht te numri i vrasjeve, personave të akuzuar dhe i të rriturve apo fëmijëve të ngujuar. Variablet e tjera përqendrohen në shpërndarjen gjeografike dhe sipas grup moshave të fenomenit, por të dhënat mbi ndikimet shoqërore dhe ekonomike të gjakmarrjes mungojnë plotësisht. Duke menduar se gratë zakonisht ndikohen ekonomikisht dhe nga ana shoqërore, ato janë gjithashtu të përjashtuara nga të dhënat.

Page 26: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 26 -

4.3 Shkaqet dhe pasojat e gjakmarrjes

Shkaqet kryesore të vrasjeve janë mosmarrëveshjet për pronën, rrahjet, zënkat, grindjet dhe fyerjet (Elezi 2000: 76), por edhe armatosja e popullsisë në 1997 e ka përshkallëzuar fenomenin duke e bërë më të lehtë vrasjen. Më qartë, faktorët që mundësuan rishfaqjen e dukurisë së gjakmarrjes (ose vrasjeve për hakmarrje) i shpjegon Xhavit Shala (2003). Të parët janë faktorët ekonomikë, si kriza ekonomike e shoqëruar me zaptimin e pronave, përfshi këtu dhe tokën, apo dhe vetë ligji për ndarjen e tokës, i cili ishte i diskutueshëm dhe çoi në konflikte. Faktorët politikë kanë luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm. Një pjesë e vrasjeve janë kryer për motive politike, të shtyra nga një politikë agresive, e cila ka pasur disa pika të nxehta, më kulmorja ajo e destabilitetit politik të vitit 1997, që çoi dhe në armatosjen e popullsisë e për rrjedhojë rritjen e kërcënimeve për jetën e njerëzve dhe numrit të vrasjeve. Faktorët demografikë bënë që një pjesë e banorëve nga zonat e thella të zhvendosen kryesisht pranë qyteteve, edhe pse shpesh në zona informale, ku rënia në krim ishte më e mundshme. Po kështu niveli i drejtësisë, në sensin e ekzistencës ose jo të legjislacionit, korrupsionit në agjencitë e zbatimit të ligjit dhe, sipas Shalës, heqja e parakohshme e dënimit me vdekje kanë bërë që një pjesë e popullsisë të humbasë besimin tek institucionet dhe të kërkojë vetëgjyqësi, nganjëherë edhe ndaj i punonjësve të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit. Faktori i fundit është krimi i organizuar, i cili, në luftën e vet për territor dhe pushtet, ka kryer mjaft vrasje (Shala 2003: 73-6). Siç thamë dhe më lart, një pjesë e këtyre vrasjeve nuk kanë asnjë ngjashmëri me gjakmarrjen, por ato janë cilësuar si të tilla, sidomos nga media, e cila për të shtuar efektin mbi audiencën nuk ka ngurruar të përdorë termin gjakmarrje.

Pasojat e gjakmarrjes janë po aq të shumta sa edhe shkaqet e saj. Së pari, jeta e njerëzve është e kërcënuar drejtpërdrejtë, dhe kur fshihen ose ngujohen ata privohen edhe nga shumica e të drejtave të tyre. Së dyti, gjakmarrja i ka bërë shumë familje të mos kenë besim se institucionet shtetërore do të bëjnë punën e tyre që të mbizotërojë drejtësia. Për pasojë, ato i janë kthyer vetëgjyqësisë, e cila ka çuar në një sërë krimesh, përfshirë vrasjen, duke përkeqësuar kështu një situatë tashmë të keqe. Së treti, familjet në gjakmarrje vuajnë ekonomikisht. Shumica e tyre pasi hyjnë në gjak migrojnë, fshihen ose ngujohen brenda shtëpive të tyre, që do të thotë se burrat nuk mund të fitojnë më bukën e gojës, ata humbin punën, nuk mund të kontribuojnë në punët e bujqësisë ose biznese të tjera që mund të ketë familja dhe sa më shumë të zgjasë kjo gjendje, aq më shumë varfërohen. Varfëria dhe izolimi kanë ndikuar negativisht në arsimimin, shëndetin e tyre dhe në shërbimet e tjera sociale. Mungesa e gjithë këtyre ka shkaktuar shumë probleme sociale dhe shëndetësore, siç janë dhuna dhe abuzimi me gratë e fëmijët, problemet e shëndetit fizik dhe mendor, alkoolizmi etj. Këto familje jetojnë vazhdimisht të kërcënuara me jetën teksa bien në nivelin e varfërisë ekstreme, shëndetit të dobët, injorancës dhe mungesës së kulturës qytetare.

Page 27: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 27 -

4.4 Gjakmarrja dhe gratë

Gjakmarrja është një plagë e hidhur e së kaluarës, por edhe e të sotmes së shqiptarëve. Gjakmarrja shoqërohet dhe me shumë pasoja të rënda për shoqërinë. Një nga pasojat më të rëndësishme që ka ndikuar shumë zona e shumë familje është dhe izolimi i familjeve nga frika e vrasjeve për shkak të gjakmarrjes. Një problem tjetër është se këto familje e pranojnë si legjitime vrasjen e mundshme për gjakmarrje, megjithëse mund të jenë tërësisht të pafajshme (UN Human Rights Council Report, 2010).

Për më tepër, rikthimi i fenomenit të gjakmarrjes pas vitit ‘90 u shoqërua edhe me shumë thyerje të rregullave themelore të kanunit. Siç u vërejt dhe më sipër ka mjaft rregulla që nuk zbatohen, si moscënimi i fëmijëve meshkuj deri në moshën 15 vjeç apo i femrave. Duket se i vetmi rregull që ruhet është marrja e gjakut, e cila është bërë jo vetëm nga burrat, por edhe nga gratë e fëmijët. Sipas Elezit (2002) në vitet 1997-98 ka pasur 5 raste kur gratë kanë vrarë për gjakmarrje. Por ai është marrë dhe duke vrarë gra e fëmijë. Së fundmi ka pasur mjaft raste kur gra dhe vajza kanë qenë viktima të drejtpërdrejta të gjakmarrjes (Llojdia 2011), herë në mënyrë të qëllimshme, herë jo. Rastet e vrasjeve të grave për hakmarrje janë, gjithsesi, disa herë më të larta (Marku 2012).

Edhe pse krahasuar me burrat vrasjet e grave nuk janë aq të shumta, fenomeni i gjakmarrjes i prek ato drejtpërsëdrejti. Duke qenë se nuk duket të jenë viktima të drejtpërdrejta të zjarrit të gjakmarrjes, gratë kanë peshën e madhe të fitimit të bukës për familjen e tyre. Ka shume familje të ngujuara brenda katër mureve të shtëpisë, fëmijë që nuk shkojnë në shkollë dhe nuk dalin nga shtëpitë, ndërkohë që shpesh gruas i bie barra e rëndë e mbajtjes së familjes dhe fitimit të bukës së gojës. Përveç peshës së mbajtjes së familjes, gratë vuajnë edhe pasoja të tjera si kërcënimi i sigurisë për të dhe fëmijët, qoftë nga burri i ngujuar, qoftë nga të huaj, duke u bërë shënjestër e dhunës, trafikimit, abuzimit e shfrytëzimit.

5. ROLI I INSTITUCIONEVE DHE I SHOQËRISË CIVILE

5.1 Legjislacioni dhe mekanizmat institucionalë

Në Shqipëri “e drejta për jetën” është një e drejtë kushtetuese. Kushtetuta përcakton në nenin 21 se “Jeta e personit mbrohet me ligj.”4 Ajo garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale dhe ndalon çdo lloj diskriminimi. Kushtetuta gjithashtu siguron mbrojtje të veçantë për familjen, fëmijët dhe të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja.

4 Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Tiranë, 1998.

Page 28: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 28 -

Ligji “Për Barazinë Gjinore”, miratuar në vitin 2008, krijoi kuadrin ligjor për krijimin e një strukture të plotë të barazisë gjinore dhe përcakton përgjegjësitë respektive të çdo institucioni. Ligji “Mbi masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare” (2006, ndryshuar në 2010), duke trajtuar një problem të madh social, midis të tjerave parashikon ngritjen dhe forcimin e një sërë strukturash dhe shërbimesh sociale për parandalimin, mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje.

Legjislacioni shqiptar për barazinë gjinore bazohet në një tërësi konventash të Kombeve të Bashkuara si Karta Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore etj, si edhe mbi një sërë traktatesh të Këshillit të Evropës që lidhen drejtpërdrejtë me barazinë gjinore. Këto instrumente globale dhe rajonale janë ratifikuar nga Qeveria shqiptare dhe përmbajnë detyrime për shtetin që të plotësojë standardet që ofrojnë mbrojtje të mirë për gratë dhe vajzat, përmirësimin de fakto të gjendjes së tyre.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka ndryshuar disa herë pas vitit 1991 (në 1995, 2001, 2003, 2007, 2012 dhe 2013) dhe sot ai përfshin gjakmarrjen dhe hakmarrjen, bashkë me një sërë krimesh që nuk i përfshinte më parë. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë me ndryshimet e vitit 2012 kish tre nene që mbulojnë rastet penale lidhur me gjakmarrjen: si “Vrasja me paramendim për gjakmarrje”, “Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje” dhe “Nxitja për gjakmarrje”. Neni i fundit trajton çështje si procedimi i anëtarëve të familjes, të afërmve e të tjerë që nxisin gjakmarrjen, si dhe të atyre që i detyrojnë familjet të ngujohen.

Ndërkohë që ky raport ishte duke u përgatitur, Ministri i Drejtësisë paraqiti disa ndryshime në paketën e të drejtës penale (mars 2013), midis të cilëve propozohej një dënim prej jo më pak se 38 vjet burg deri në burgim të përjetshëm për vrasjen e grave brenda familjes dhe vrasjeve për hakmarrje ose gjakmarrje. “Përgjigjja për të gjithë ata që me mendjen e tyre kriminale kanë si qëllim të vrasin për hakmarrje do të jetë e qartë se dënimi që i pret nuk do të jetë më pak se 38 vjet burg, dënimi i pritshëm do të jetë burgim i përjetshëm” deklaroi ministri.5

Në maj të 2013 Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal. Lidhur me gjakmarrjen u shtua Neni 78/a6, që parashikon dënimin me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm, për vrasjen me dashje për gjakmarrje.

Shteti ka treguar vullnetin e mirë në hartimin dhe miratimin e ligjeve që lidhen drejtpërdrejtë ose tërthorazi me fenomenin e gjakmarrjes. Por hapat e mëtejshëm janë ose shumë të ngadalshëm ose nuk tregojnë asnjë përparim. Një shembull tipik është ligji Nr. 9389 “Mbi krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues për Luftën 5 Deklaratë për shtyp e Ministrit të Drejtësisë, Gazeta “Shqip” , dt. 11.03.2013 6 Ligji nr. 144/2013, datë 02.05.2013, neni 78/a “Vrasja për gjakmarrje”.

Page 29: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 29 -

kundër gjakmarrjes”, miratuar në datën 04.05.2005. Ligji është në fuqi edhe sot, por nuk është marrë asnjë nga masat që parashikon ai. Këshilli i Ministrave detyrohet me ligj të nxjerrë vendime për zbatimin e tij, por Këshilli Koordinues është mbledhur vetëm një herë në 2008 dhe vendimet e tij priten akoma.7

Kështu në Nenin 3, pika (a) të këtij ligji parashikohet se Këshilli Koordinues “cakton detyrat dhe masat konkrete për organet ekzekutive si edhe për qeverisjen lokale8.” Por Këshilli Koordinues nuk ka bërë ndonjë mbledhje tjetër pas mbledhjes së parë, gjë që do të thotë se ai nuk ka vepruar fare, duke ndikuar kështu negativisht në zbatimin e ligjit dhe për pasojë në kundërveprimin institucional efikas ndaj gjakmarrjes.

5.2 Rendi dhe drejtësia

Hulumtimi në terren dhe burime të tjera informacioni tregojnë se shteti dhe strukturat e tij deri më sot kanë trajtuar kryesisht pasojat e gjakmarrjes dhe kanë pasur rezultate të pjesshme në menaxhimin e këtyre pasojave.

Një nga strukturat administrative që ka rol të rëndësishëm në parandalimin e këtij fenomeni është Policia e Shtetit. Ajo është agjencia e parë që përballet me pasojat e fenomenit: ajo njoftohet e para për vrasjen, drejton hetimet dhe merr masat parandaluese ndaj pasojave të mëtejshme të veprës penale të kryer tashmë.

Na u referua se Policia e Shtetit nisur nga situata e gjakmarrjes në vend, ka miratuar Planin Operacional “Mbi parandalimin, gjurmimin dhe luftimin e veprave penale të vrasjes për gjakmarrje”.9 Duke e vlerësuar pozitivisht këtë masë, na lind e drejta të bëjmë objeksionin tonë, për vonesën në kohë të miratimit të këtij plani, në fundin e vitit 2012(!).

Në këto vite të fundit janë krijuar struktura të posaçme10 të luftës kundër gjakmarrjes, të emërtuara Seksione kundër krimeve të hapura pranë Komisariateve të Policisë në Drejtoritë e Qarqeve. Detyra e tyre është parandalimi i vrasjeve në tërësi dhe vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje në veçanti. Policia ka forcuar bashkëpunimin me organet e prokurorisë, për hetim të menjëhershëm të veprave penale dhe për kapjen e vrasësve sa më shpejt të jetë e mundur.

7 Gjatë intervistës me Avokatin e Popullit, mësuam se nga ushtrimi i pushtetit të institucionit që ai përfaqëson, këto ditë (shkurt 2013), 8 vjet nga dalja e ligjit të lartpërmendur, është hartuar nga Ministri i Drejtësisë Urdhri që shënon fillimin e procesit të zbatimit të tij. 8 Kuvendi i Shqipërisë, Fletorja Zyrtare, nr. 44 datë 14.06.2005. 9 Plani i Veprimit, nr. 1277, datë 2012/10/24, sipas dokumentit zyrtar nr. 456/1, datë 19/02/2013 10 Po aty.

Page 30: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 30 -

Por duket se me gjithë legjislacionin e përparuar dhe punën e policisë për kapjen e vrasësve siç nënvizon Avokati i Popullit, shteti nuk është në gjendje të mbrojë dhe garantojë jetën e atyre që përfshihen në gjakmarrje, se jetën e tyre për fat të keq “e mbron ngujimi.”11

Policia duhet të ndjekë edhe rastet e kanosjes ose të detyrimit për ngujim. Por ndonëse denoncimet për këto raste janë të rralla, edhe kur ka denoncime të kësaj natyre, policia nuk e ndjek rastin. Të dhëna nga të intervistuarit dhe nga raporti i Avokatit të Popullit për rastin e Pukës12, ku policia nuk ndoqi procedurat e duhura pas njoftimit për kanosje, na bëjnë të mendojmë se policia ka qenë eficiente kur vrasjet kanë ndodhur, por jo aq sa duhet, në parandalimin e tyre (Raportohet se mbi 90% e vrasjeve janë zbuluar dhe autorët janë ndaluar).

Për më tepër vetë situata e grave nuk është në vëmendjen që kërkohet prej policisë, ndonëse institucionet e tjera qendrore dhe vendore kanë marrë një tërësi masash të rëndësishme që lidhen me dhunën kundër grave në familje, përfshi dhe ndryshimet e këtij viti (2013) në Kodin Penal. Masat e kohëve të fundit janë të lidhura me reagimin dhe ndërgjegjësimin në rritje të gjithë aktorëve të shoqërisë shqiptare ndaj numrit të lartë të vrasjeve të grave në këtë periudhë të fundit. Por për fat të keq, ky numër i lartë viktimash gra është një tjetër dëshmi se policia ndërhyn pasi krimi ndodh.

Statistikat13 e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë japin këtë pamje të vrasjeve të grave apo vajzave në tre vitet e fundit:

2010 - 18 vrasje

2011 - 22 vrasje

2012 - 27 vrasje

Ndërsa për gjakmarrje policia për 2012 raporton vetëm një rast të një vajze të vrarë.14 Pa asnjë mëdyshje, shumica e bashkëbiseduesve tanë kanë pikëpamjen që krimet e gjakmarrjes zakonisht rriten kur shteti nuk është i pranishëm dhe kur ligji nuk zbatohet. Kjo pikëpamje i referohej sidomos rasteve kur individët që kryejnë vrasje për hakmarrje kanë marrë dënime të buta dhe qytetarët nuk janë të bindur se drejtësia është vënë në vend. 11 Projekt-raporti special i Avokatit të Popullit mbi fenomenin e hakmarrjes, dërguar AIPA-s me shkresën nr. 28, datë 23.01.2013, për qëllim të këtij studimi. 12 Rast i evidentuar nga institucioni i Avokatit të Popullit. (Mos)Trajtimi jo profesional i policisë i një denoncimi në komisariatin e rrethit të Pukës, rezultoi në dy të vrarë, dy të plagosur dhe familje të kërcënuara. Ngjarë më 29.06.2012, fshati Qelës. 13 Dokumenti zyrtar nr. 456/1, datë 19/02/2013, i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. 14 Vajza 17 vjeçare Marie Quku, në Malësinë e Dukagjinit, që u vra së bashku me gjyshin nga fqinjët e saj, në hakmarrje për një vrasje të kryer më parë nga i vëllai. Gazeta Tema, 15.06.2012.

Page 31: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 31 -

Mungesa e besimit te drejtësia shfaqet në të gjitha rajonet e Shqipërisë, por sidomos në këto zona ku gjakmarrja është më e pranishme, ajo është edhe më e shprehur.

“Gjithçka e ka origjinën te sistemi i drejtësisë”, thotë një nga të intervistuarit.

Sipas të dhënave të raportuara nga ODA (2011), në vitet 2004-2009 ka pasur gjithsej 117 vendime gjyqësore për rastet lidhur me gjakmarrjen dhe 94 dënime. Nga viti 2004 deri në 2009 kanë qenë 106 raste të gjykuara për gjakmarrje, nga të cilat janë dhënë 83 dënime. 2004 është viti ku numri më i madh i veprave penale për hakmarrje raportohet 28 raste. Viti me numrin më të madh të dënimeve për gjakmarrje është viti 2006 me 22 dënime. Veprat penale për gjakmarrje kanë rënë nga 2004 në 2008, ndjekur nga një rritje në 2009, por që nuk do të thotë domosdoshmërisht se është pakësuar edhe gjakmarrja.

ODA raporton gjithashtu një rritje të procedimeve të njerëzve që kanë bërë kërcënime për gjakmarrje ose njerëzve përgjegjës për detyrimin me forcë të familjeve që të ngujohen. Në 6 vitet (2004-2009) ka pasur dhjetë vepra penale të trajtuara sipas nenit 83/a “Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje”15.

Një tjetër vepër penale që konsiderohet si e lidhur me gjakmarrjen është edhe ajo e argumentuar në nenin 83/b të Kodit Penal “Nxitja për gjakmarrje”. Pothuajse çdo vrasje ose kërcënim i bërë në emër të gjakmarrjes në kontekstin social ka dhe bashkëpunëtorë, njerëz që nxisin hakmarrjen për të vrarë autorin e një krimi apo një të afërm të tij. Një vepër e tillë është evidente në kontekstin social dhe është pasqyruar në media, por jo në procedurat e hetimeve të vrasjeve për gjakmarrje. Në fakt, neni 83/b është zbatuar vetëm një herë vitet e fundit, edhe pse numri i njerëzve që nxisin hakmarrjen ndaj një krimi është shumë i lartë.

Por, me gjithë perceptimin përgjithësisht negativ për sistemin e drejtësisë, kjo nuk do të thotë se nuk janë bërë përpjekje për ta trajtuar çështjen dhe rishikuar herë pas here politikat apo krijuar struktura lehtësuese.

Një shembull është Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike një institucion në varësi të Ministrisë e Drejtësisë, i krijuar për të ofruar ndihmë juridike për grupet e njerëzve vulnerabël dhe në nevojë. Ndihma mund të jetë në formën e këshillave ligjore ose përfaqësimit ligjor në gjykatë për çështje civile, administrative ose penale. Përparësi kanë grupet vulnerabël, si fëmijët, gratë e dhunuara dhe/ose të trafikuara, familjet në gjakmarrje etj. Por siç pohon përfaqësuesi i kësaj ministrie, “...edhe pse familjet dhe individët e përfshirë në një situatë gjakmarrjeje mund ta përfitojnë këtë lloj ndihme, deri tani nuk ka pasur asnjë kërkesë nga kjo kategori”.

15 Amendime që iu bënë Kodit Penal, me ligjin nr. 8733, datë 24.01.2001.

Page 32: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 32 -

Sipas ekspertit që intervistuam, mungesa e interesit të këtyre familjeve mund të vijë nga që ato nuk marrin informacion dhe prandaj nuk e dinë që ekziston një ndihmë e tillë nga shteti, edhe pse, ky institucion i ka shpërndarë popullatës broshura informative. Por ndoshta vijon ai, meqenëse këta njerëz jetojnë të izoluar dhe kanë pak kontakte jashtë familjes së tyre, e kanë të vështirë t’i marrin broshurat dhe informacionin....”. Duket se qëndrimi vazhdon të mbetet në nivel konstatimi.

Komisioni ofronte gjithashtu për të ndihmuar në pajtimin e familjeve të përfshira në gjakmarrje përmes arbitrimit ligjor. Kjo lloj ndihme mund të sigurohet përmes avokatëve të licencuar. Deri më sot familjet e përfshira në një situatë gjakmarrjeje, dinë se ndërmjetësimi për pajtim mund të organizohet vetëm nga njerëz të veçantë, që zakonisht njihen dhe respektohen nga familja e viktimës. Asnjëra prej grave në situatë gjakmarrjeje që ne kontaktuam, nuk kishte dijeni se edhe shteti mund të ndihmojë për pajtim në mënyrë ligjore. Në se pajtimi organizohet dhe arrihet nga një arbitrim ligjor i kryer nga një avokat i licencuar, ky akt është juridikisht i vlefshëm dhe mund të respektohet më shumë nga familjet e përfshira.

Për më tepër, ky institucion mund të ofrojë ndihmë përmes dhënies së këshillave si veprohet dhe çfarë hapash ligjorë duhen marrë kur këto familje e gjejnë veten përballë situatash të vështira dhe të ndërlikuara, si në rastet kur marrin kërcënime verbale ose sulmohen fizikisht.

Sipas ekspertit, fenomeni i gjakmarrjes në Shqipëri nuk duhet të ekzistojë për sa kohë që ekziston një sistem ligjor funksional dhe personit që ka kryer krimin i është dhënë dënimi i drejtë. Drejtësia është një e drejtë institucionale dhe mund të jepet vetëm nga instancat e duhura qeveritare dhe asnjë lloj tjetër vetëgjyqësie nuk mund të pranohet. Gjakmarrja nuk është zgjidhja.

Intervistat me zyrtarë të informuar për dukurinë e gjakmarrjes zbulojnë edhe një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm. Shumica e tyre dinë fare pak apo aspak për situatën e gruas të përfshirë në gjakmarrje. Nisur nga premisa se kjo dukuri është “mashkullore”, sepse janë burrat dhe djemtë mbi 14-15 vjeç, që shndërrohen në hallka të një zinxhiri absurd vrasjesh, për këta zyrtarë, ndonëse e pohojnë dukurinë si një problem të mprehtë që kërkon zgjidhje, gratë janë thjesht nënat, bashkëshortet, bijat, motrat, gjyshet apo mbesat e burrave të përfshirë në gjakmarrje. Dhe vetëm kaq. Ato janë gati të padukshme. Për fat të keq, duket se bëhen të dukshme vetëm kur ndodh që vriten dhe atëherë krimi konsiderohet si i rastit.

Një qëndrim ndryshe ishte ai i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

“Ne nuk e mohojmë ekzistencën e tyre, - na thanë gjatë intervistës me specialistet e disa prej sektorëve të kësaj ministrie - por në strategjitë tona sektoriale nuk i kemi shënjuar në mënyrë specifike gratë në gjakmarrje si një grup të veçantë.

Page 33: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 33 -

Ato trajtohen nga qeverisja lokale si pjesë e kategorisë së grave në nevojë, kur plotësojnë kushtet. Disa nisma afatshkurtra në ndihmë të tyre, nuk zgjatën, sepse nuk ishin të organizuar mirë dhe jo të financuara siç duhej...”

5.3 Shërbimet Sociale dhe Qeverisja Vendore

Referuar intervistës me një zyrtare të lartë në MPÇSSHB, duket se aktualisht ka një shkallë ndërgjegjësimi më të lartë nga ana e qeverisë lidhur me dhunën ndaj grave, madje edhe për ato gra që janë në situata konflikti16. Institucionet qendrore duket se e kanë tejkaluar mendësinë se “gjakmarrja është një dukuri që na turpëron dhe nuk duhet pranuar hapur” gjë që kufizonte dhe veprimin aktiv për eliminimin e saj.

Një ndryshim pozitiv është edhe shtesa që i është bërë ligjit “Për ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore”, në vitin 2011. 17 Ai ligjëron si kategori të reja përfituese të ndihmës ekonomike (NE), “Viktimat e trafikimit” dhe “Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare”. Ndërsa gratë në situatë gjakmarrje nuk janë të përfshira ende si kategori e veçantë përfituese, por ndryshimi i bërë në nenin 19, pika e, që përjashton nga llogaritja e të ardhurave “familjet e mbyllura në shtëpi si pasojë e gjakmarrjes” është një masë e pjesshme që duhet vlerësuar.

Intervistat me përfaqësuesit e qeverisjes vendore tregojnë se angazhimi i saj ndaj kësaj kategorie është kryesisht në formën e ndihmës ekonomike, po vetëm nëse familja përmbush kushtet e përcaktuara nga ligji. Pra vetëm shkalla e varfërisë, apo niveli i të ardhurave i kualifikon këto familje në skemat e bashkisë apo komunës. Çdo praktikë tjetër e ndryshme nga kjo do të ishte shkelje e ligjit. Në qytetin e Shkodrës rezulton se 45 familje në situatë gjakmarrjeje janë përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike të bashkisë. Kjo ndodh për shkak se ka një korrelacion të lartë midis varfërisë dhe familjeve në situatë gjakmarrjeje, sidomos atyre të ngujuara, brenda të cilave hapësirat e veprimtarive kufizohen pothuajse për të gjithë pjesëtarët e rritur të saj. Ndërkohë, një pjesë e mirë e familjeve që janë zhvendosur nga zonat rurale, nuk janë të regjistruar në bashkitë ku janë ngujuar apo banojnë të fshehur. Kjo i privon ato nga përfitimi i ndihmës ekonomike, edhe pse mund të kenë shumë nevojë për të.

Specialistja e sektorit të shërbimit social në bashkinë e Shkodrës pohon se: “Angazhimi ynë ndaj gjakmarrjes është minimal, krahasuar me problemet e tjera. Ne merremi më shumë me dhunën në familje, dhunën ndaj grave, të moshuarve etj. Kur në këto familje ka të moshuar me probleme, gra që denoncojnë dhunën, ne ofrojmë shërbime ashtu si për familjet e tjera.”

16 Intervistë me zëvendësministren e MPÇSSHB, mars 2013. 17 Ligji nr. 10399, datë 17.3.2011, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9355, datë 10.03.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore””.

Page 34: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 34 -

Është e qartë se zyrat e qeverisjes vendore kanë një interpretim të kufizuar për dhunën, përderisa gratë, fëmijët dhe të moshuarit që jetojnë në ngujim për shkak të kërcënimit të sigurisë së tyre nga gjakmarrja nuk konsiderohen se kanë nevojë për mbrojtje dhe/ose shërbime sociale.

Në nivelin e qeverisjes vendore, strukturat përkatëse që ofrojnë shërbime për gratë e dhunuara janë krijuar vite më parë. Në të ardhmen e afërt pritet të ofrohet për këto gra edhe shërbimi juridik pa pagesë.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit institucional dhe shoqëror për dhunën me bazë gjinore, kategoria e grave të familjeve të ngujuara, në kushtet kur ka humbur apo ka në rrezik jetën e njerëzve shumë të afërt të saj, nuk është as e ndërgjegjësuar për dhunën brenda familjes, nuk e konsideron rrezik të dorës së parë për vete apo për fëmijët dhe për rrjedhojë as nuk e denoncon atë.

“Ne (pushteti vendor) nuk ofrojmë shërbime në shtëpi, – na tha i intervistuari tjetër, – individi ose familja përfitojnë nga ky apo ai shërbim vetëm në se e kërkojnë dhe nëse janë të gatshëm të dalin dhe ta marrin atë shërbim. Nuk ka punonjës ose struktura të veçanta që mund të merren me këtë problem”.

Ndryshe nga qasja ndaj grave të familjeve të ngujuara, ndaj fëmijëve të rrezikuar janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishme ligjore dhe institucionalë. Pas miratimit të Ligjit “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” në fund të vitit 2010, u krijua dhe filloi nga puna Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. Është miratuar dhe ka filluar të zbatohet Plani i Veprimit për Fëmijë 2012-2015. Është parashikuar krijimi i njësive për mbrojtjen e fëmijëve në të gjitha nivelet e qeverisjes vendore. Gjatë kryerjes së këtij studimi, këto struktura ishin krijuar në mbi 100 komuna dhe bashki.18 Por edhe pse janë ofruar shërbime të ndryshme dhe në Raportin e monitorimit, janë përmendur rastet e fëmijëve të rrezikuar që janë menaxhuar me sukses, vetëm dy prej këtyre fëmijëve vinin nga familje të ngujuara.

Po nga intervistat në terren, asnjë nga fëmijët e familjeve të ngujuara nuk rezultoi të ishte në kujdesin e këtyre njësive. Sidoqoftë numri i fëmijëve të studimit tonë është i pakët, për të na lejuar të nxjerrim një përfundim më të bazuar.

Në përgjithësi zyrat sociale të bashkive bashkëpunojnë rregullisht me organizatat jofitimprurëse dhe qendrat komunitare për t’u ofruar ndihmë sociale të gjithë atyre që janë në nevojë. Edhe Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë për të lehtësuar gjendjen e fëmijëve në këto familje. Programi “Shansi i dytë” i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili ofronte mësimin

18 Intervistë me Kryetaren e ASHMDF, mars 2013.

Page 35: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 35 -

në shtëpi për ata fëmijë që nuk mund të shkonin në shkollë, është një tjetër aspekt i ndihmës, nga e cila kanë përfituar edhe fëmijët e familjeve të ngujuara.

Në Raportin Vjetor mbi Monitorimin e Ligjit “Për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve” është raportuar se në vitin akademik 2008-2009 ishin 86 fëmijë të ngujuar, ndërsa në vitin akademik 2011-2012 numri i tyre ishte 35. Për këta fëmijë ishte siguruar mësimi në shtëpi sipas nivelit të shkollimit përkatës” (ASHMDF 2012: 23). Megjithatë, burime shtesë sugjerojnë se numri i fëmijëve të ngujuar, që janë në moshë shkollore, është më i madh.

Në Bashkinë e Shkodrës, mësimi në shtëpi është ofruar për 28 fëmijë të ngujuar, dhe nga këta fëmijë 18 janë vajza. Edhe Bashkia e Koplikut në Malësinë e Madhe, apo ajo e Kamzës informojnë se ofrojnë ndihmë ekonomike për disa nga familjet e ngujuara si dhe shërbim me mësues dhe psikologë për të ndihmuar veçanërisht fëmijët.

5.4. Shoqëria civile Qasja e shoqërisë civile, organizatave joqeveritare, institucioneve fetare apo fondacioneve bamirëse është përpjekja për lehtësimin e pasojave të gjakmarrjes mbi individët e përfshirë dhe familjet e tyre.

Gjatë kryerjes së këtij studimi, intervistuam disa përfaqësues të shoqërisë civile, në Shkodër dhe Tiranë, të cilët ishin aktivistë shoqërorë, mësues dhe punonjës social. Disa prej organizatave ku ata punonin kanë në qendër të veprimtarisë ofrimin e shërbimeve të drejtpërdrejta për familjet, të tjera merren me fëmijët, gratë dhe të rinjtë, por gjatë punës së tyre u duhet shpesh të merren edhe me familjet e ngujuara. Në varësi të fokusit të organizatës, ata deklaruan se kanë pasur numër të ndryshëm rastesh, që luhaten nga 2 në 60 raste gjatë përvojës në punën e tyre.

Sipas këndvështrimit të tyre, në zonat ku kanë punuar, fenomeni i gjakmarrjes është rritur, edhe pse asnjëri nuk mundi të na jepte të dhëna të sigurta që mbështesin këtë këndvështrim.

Aktorët e shoqërisë civile gjithashtu deklarojnë se është e vështirë të ketë të dhëna të sakta kryesisht për dy arsye: së pari, nuk ka një institucion përgjegjës, publik ose jopublik, që mund të dokumentojë të gjitha rastet dhe, së dyti, disa nga viktimat e gjakmarrjes (familje ose individë) qëndrojnë të fshehur për shkak të frikës nga hakmarrja.

Sipas disa prej të intervistuarve tanë, ka raste kur gjakmarrja është edhe pasojë e dhunës në familje. Rritja e dhunës në familje ka ndikimin e vet te gjakmarrja dhe në këndvështrimin e tyre e bën këtë të fundit edhe më të ngulët. “Sipas mendimit tim, fenomeni i gjakmarrjes është derivat i dhunës dhe shpesh kemi pasur raste dhune

Page 36: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 36 -

brenda familjes, sidomos në gjashtë muajt e fundit. Mosmarrëveshjet që përfundojnë në krime brenda familjes, kanë çuar shpesh në armiqësi midis familjes së një bashkëshorti me atë të gruas së tij. Gjatë punës tonë me fëmijë të mbetur pa mbështetje, kemi hasur katër raste të krimit në familje, që kanë përfunduar në armiqësi midis familjesh që dikur kanë qenë të lidhura përmes martesës. Këtë e shohim si një fenomen në rritje (Punonjës social në Fshatin e Fëmijëve SOS në Shqipëri).

Të gjithë ekspertët e intervistuar deklaronin se shumica e familjeve në gjakmarrje ishin nga Shqipëria e veriut (Tropoja, Kukësi, Malësia e Shkodrës, Mirdita, Lezha etj.) Rastet e paraqitura ishin kryesisht nga zonat rurale, njerëz që jetonin në fshatrat pranë qyteteve kryesore ose që kishin migruar për në zonat informale të Shkodrës dhe Tiranës. Jetesa në këto zona, ku ndikimi i shtetit apo i institucioneve të tjera është i vagët, i shumëfishon problemet e tyre dhe i bën më të mprehta. Për më tepër, përqendrimi i këtyre familjeve në këto zona ndikon në ngulmimin e mentalitetit të hakmarrjes, në mos e krijon këtë mentalitet. Këtë na e ilustron me një shembull nga përvoja e saj, e intervistuara në zonën e Bathores, “...një tjetër rast i veçantë për t’u përmendur është një familje e ngujuar, rezultat ky i nxitjes që i bënë djalit të tyre, që të merrte hak ndaj djalit të një personi, që vite më parë i kishte prerë atij veshin. Sipas meje, shkak i gjakmarrjes është edhe mjedisi shoqëror dhe familjar, i cili e nxit këtë fenomen në vend që të përpiqet ta lehtësojë atë. Mentaliteti i familjes gradualisht bëhet mentalitet i komunitetit dhe ndikon jo pak në jetën e të gjithë anëtarëve të tij. “Ata kanë krijuar komunitetet e tyre, që funksionojnë sipas rregullave që u imponojnë të tjerëve. Për shembull, në një lagje, në Kiras, ku ka shumë familje të ngujuara, ka probleme dhe shqetësime që u janë krijuar familjeve dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit, sepse të parat kontrollojnë gjithçka, çdo lëvizje, makinat, njerëzit që vijnë e ikin. Ne jemi përballur me raste kur nuk jemi lejuar të hyjmë me makinë për të vajtur te një familje me të cilën punonim, por na kanë urdhëruar të zbresim nga makina dhe të shkojmë në këmbë (SOS- Fshati i Fëmijëve në Shqipëri).

Duke marrë parasysh rastet e paraqitura nga ekspertët dhe rastet e grave në studim, në shumicën e tyre shkaku i krimit të parë është shpesh banal/ordiner, që mbështet edhe një herë idenë e mentalitetit si një faktor me ndikim.

Të gjithë pjesëmarrësit në studim, pajtohen se gratë vuajnë pasoja të shumëfishta nga fenomeni i gjakmarrjes dhe, siç thonë disa prej tyre “…ato janë viktimat e vërteta”. Në të njëjtën kohë, gratë mbajnë edhe barrën ekonomike dhe atë psikologjike. I gjithë sistemi i familjes ndryshon: ndryshon marrëdhënia midis anëtarëve të familjes dhe botës jashtë. Çdo gjë merr tjetër formë.

Varfëria është një nga problemet kryesore me të cilën ndeshen këto familje. Dhe ky problem përkeqësohet nga fakti se për shumë nga këto gra punësimi është tejet i vështirë. Arsyet kryesore që pengojnë punësimin e tyre janë se : (1) shumica

Page 37: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 37 -

janë të keq arsimuara, kanë vetëm arsim fillor e rrallë disa vite shkollimi më shumë, ; (2) nuk kanë një profesion; (3) jetojnë në zona informale, ku ka më pak mundësi punësimi, (4) jetojnë mes komunitetesh ku mbizotëron mentaliteti se gratë duhet të qëndrojnë në shtëpi. Secili nga këta faktorë më vete apo të kombinuar me njëri tjetrin e bëjnë shumë të vështirë punësimin e tyre.

Shumë nga pjesëmarrësit deklaronin se gratë vuajnë shumë edhe nga dhuna në familje, për shkak të xhelozisë dhe abuzimit me alkolin nga bashkëshortët e tyre. “Ne ndeshemi shpesh me raste të ndërthurjes së të gjitha formave të dhunës. Ato rrihen e goditen prej bashkëshortëve të alkoolizuar, apo edhe të traumatizuar nga qëndrimi i tyre i gjatë e vanitoz brenda mureve të ngujimit.”- dëshmojnë specialistet

Por pavarësisht vështirësive, gratë bëjnë më të mirën për të përballuar varfërinë dhe për të plotësuar nevojat e familjeve të tyre. “...megjithatë, ata duan të jetojnë dhe të ushqehen, - na tregon mësuesja që punon me këto familje - dhe gratë marrin përsipër përgjegjësinë dhe rrezikun. ‘Le të më vrasin’- më thotë një prej tyre – ‘por nuk do t’i lë fëmijët e mi pa bukë, edhe sikur të bie19, e di që bie për fëmijën tim’. Kjo është deklarata e tyre tipike”.

Disa prej tyre punojnë në industrinë e këpucëve dhe veshjeve; disa të tjera punojnë në shërbim shtëpiak, ndërsa shumica përpiqen të lidhen me organizata bamirëse dhe/ose institucionet fetare për të përfituar ushqime, veshje, shërbime shëndetësore dhe rrallë herë përfitime financiare. Në fakt shumica e organizatave i kanë kontaktuar këto familje nëpërmjet grave; sepse gratë janë e vetmja “derë e hapur”.

Përveç papunësisë dhe varfërisë gratë vuajnë edhe gjendjen e vështirë në të cilën jetojnë fëmijët e tyre. Psikoza e frikës shoqëron jetën e tyre të përditshme. Fëmijët e familjeve të zhvendosura ndihen të diskriminuar midis shokëve në shkollën e re. Ndërsa brenda komunitetit të tyre ata ndihen më mirë, madje e shohin gjendjen e gjakmarrjes si diçka heroike dhe trashëgojnë të njëjtin model jetese. Ky është mjedisi ku rriten fëmijët. Sidomos djemtë, të cilët konsiderohen si shënjestra të mundshme të gjakmarrjes, jetojnë me idenë e vdekjes. Ka më shumë mundësi që ata të mos e ndjekin shkollën dhe të izolohen nga jeta e komunitetit. Në familjen e viktimës, djemtë rriten me përgjegjësinë që të marrin hak/gjak për anëtarët e vrarë të familjes. “Në komunitetet e tyre pothuajse nuk flitet kurrë për falje. Në bisedat familjare vetëm flasin keq për familjen me të cilën janë në armiqësi” (Intervistë me mësues në komunën Ana e Malit).

Ndërkohë, vajzat duket se janë disi më të lira për të ndjekur shkollat. Por disa nga të intervistuarat deklaronin se shpesh edhe ato (vajzat) duhet të mbanin një pjesë të barrës ekonomike të familjes dhe nganjëherë e lënë shkollën që të punojnë. “Ato 19 Të vritem - shënimi ynë.

Page 38: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 38 -

përpiqen të ndihmojnë nënat e tyre dhe hezitojnë të flasin për problemet e veta. Janë gati të lënë shkollën, e tregojnë trishtimin duke qarë, madje dhunohen shumë psikologjikisht nga prindërit e tyre” (SOS, Fshati i Fëmijëve në Shqipëri).

Ka disa raste, në Tiranë dhe në Shkodër, kur edhe gratë ngujohen me familjen nga frika e rrëmbimit, edhe pse nuk na paraqitën ndonjë rast të veçantë nga njohjet e tyre, që të tregonte se vajzat kanë qenë viktima të drejtpërdrejta të gjakmarrjes.

“Ka vajza që nuk shkojnë në shkollë, sepse kanë frikë. Edhe shkollën 9 vjeçare e kanë ndërprerë nga frika e rrëmbimit. Nuk ka pasur raste të ngacmimit të vajzave, por frika ekziston. “Vajzat izolohen nga frika” (Intervistë me mësues në rrethinat e Tiranës dhe punonjës të organizatës The Door).

Ndërsa shumica e atyre që ndjekin shkollën shoqërohen nga nënat. Në shumë raste mësuesit bashkëpunojnë me familjen për t’i mbajtur fëmijët në klasë deri sa nëna ose një anëtar i familjes shkon t’i marrë për në shtëpi. Sipas një informatori kyç që punon në Babrru, pranë Tiranës fëmijët ndryshojnë shkollën herë pas here, që të humbasin gjurmët nga familja që kërkon gjak.

Në Shkodër na u tha se në disa raste mësuesit shkojnë në shtëpitë e fëmijëve për t’u dhënë mësim, por në Tiranë nuk na u raportuan raste të tilla.

Shumica e organizatave ofronin ndihmë të drejtpërdrejtë për të siguruar nevojat e jetës së përditshme, si veshje, ushqime dhe nganjëherë para, të tjera organizata ofronin shërbime për gratë dhe fëmijët që jetonin në këto familje, duke u marrë me dhunën ndaj grave ose rrezikun e braktisjes së fëmijëve, këshillime për gratë ose fëmijët, në qendër ose në shkollë, ndërmjetësime me shërbime ose organizata të tjera, shërbime shëndetësore, mësimdhënie në shtëpi etj. Dy prej tyre ishin angazhuar edhe tërthorazi në lehtësimin e bisedimeve për falje, nëpërmjet diskutimeve me familjet. Veçanërisht në Shkodër u vu re se organizatat fetare ishin shumë aktive në lehtësimin e familjeve në situatë gjakmarrjeje. Në shumë raste ishin ato që referonin rastet në nevojë tek organizatat e specializuara për forma të caktuara ndërhyrjeje. Kjo sepse edhe vetë gratë e familjeve të ngujuara drejtohen dhe kanë më shumë besim tek organizatat fetare. Përfaqësuesja e një organizate në Shkodër, që ka një ekspertizë të njohur në trajtimin e familjeve me probleme, përmendi ndër të tjera një shembull të tillë bashkëpunimi, që kish lehtësuar jetën e një familjeje të ngujuar, por që na njeh njëkohësisht edhe më nga afër me problemet e shumta që ato kanë. “Me ndihmën e një organizate fetare punësuam gruan në një biznes social. Siguruam barna mjekësore për të gjithë pjesëtarët e familjes, sepse secili prej tyre kishte probleme shëndetësore. Vajzën e madhe e shoqëruam për vizitë dhe ndihmë mjekësore në një klinikë private te mjeku psikiatër. Bashkëshortin e futëm në terapi për rehabilitim nga alkoolizimi. Pajisëm me tekste fëmijët që ndiqnin shkollën. Regjistruam vajzën e vogël në kopësht ditor. Të rriturit e familjes u futën në kurs për integrimin social...Kërkuam ndihmën e

Page 39: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 39 -

policisë për të mbikëqyrur e ruajtur bashkëshortin, gjatë kohës së shtrimit në spital, për shkak të frikës që kishin nga gjakmarrja për një krim që e kish kryer i vëllai i tij vite më parë...”.20

Organizatat jofitimprurëse punojnë kryesisht me familjet e ngujuara, së pari, sepse problemet në këto familje janë shumë të rënda dhe, së dyti, sepse familjet e viktimave janë shumë të rezervuara dhe shumë prej tyre nuk preferojnë të bashkëpunojnë me organizatat teksa “përgatiten për krimin e pritshëm”.

Pjesa më e madhe e organizatave operojnë në qytetet kryesore, Tiranë ose Shkodër, dhe i ofrojnë shërbimet e tyre në komunitet nëpërmjet vizitave periodike. Në fakt, kjo e bën të dobët ndikimin e tyre. Nga ana tjetër, shumica ndihet e pafuqishme në përpjekjen për të ndryshuar mentalitetin në mënyrë që të parandalohet hakmarrja apo gjakmarrja. Ato e shohin rolin e tyre si lehtësues të pasojave, por ndjehen të dobëta të merren me ndryshimin e situatës.

Të punosh me familjet e ngujuara nuk është punë e lehtë. Të gjithë ekspertët vënë deri jetën e tyre në rrezik për të ndihmuar këto familje. Jo pak prej tyre janë kërcënuar apo u dërgohet fjalë për t’u tërhequr. Shumë përballen edhe me vështirësi financiare për të mbështetur familjet. Nga ana tjetër, ata punojnë vetëm. Vetëm në një rast është raportuar se kanë bashkëpunuar me OJF të tjera lokale, edhe pse shumë prej tyre deklaronin se bashkëpunimi i të gjithë aktorëve është domosdoshmëri për trajtimin e situatës së gjakmarrjes në Shqipëri.

Megjithatë, siç u theksua, organizatat dhe shoqatat e ndryshme, punojnë kryesisht në shërbimet praktike për të plotësuar nevojat e përditshme të këtyre familjeve, por e gjejnë shumë të vështirë të përfshihen në procesin e negociatave dhe thonë se në këtë çështje shteti me mekanizmat e tij mund të luajë një rol vendimtar.

6. ANALIZA NGA PERSPEKTIVA E GRAVE TË PËRFSHIRA NË SITUATË GJAKMARRJEJE

6.1 Profili i familjeve të përfshira në gjakmarrje

Gratë që intervistuam jetonin ose si kurorë më vete, ose në familje të mëdha me dy apo tre kurora dhe fëmijët e tyre në të njëjtën banesë, ose pranë njëra tjetrës, por që e konsideronin veten si një familje. Në dhjetë nga dymbëdhjetë raste, familjet ishin të ngujuara në shtëpitë e tyre apo të fshehura diku tjetër. Në një rast gruaja ishte zhvendosur në Tiranë, bashkë me dy fëmijët e saj, pas vrasjes së burrit për gjakmarrje, ndërsa në një rast tjetër gruaja ishte nga familja e gjakësit. Periudha e ngujimit të këtyre familjeve ishte nga 6 muaj deri në 18 vjet. Familjet ishin kryesisht nga veriu, 20 Sipas dëshmisë së marrë më 29 prill 2013, nga L.A përfaqësuese e organizatës “Hapa të Lehtë”, Shkodër.

Page 40: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 40 -

nga malësia dhe qyteti i Shkodrës, Lura, Tropoja, Dibra dhe fshatrat e Tiranës. Vetëm një nga të intervistuarat ishte nga Vlora (në jug), por e martuar në Shkodër. Aktualisht shumica e familjeve jetojnë në rrethinat e Shkodrës dhe në Tiranë e zonën rreth saj. Një pjesë e mirë e familjeve kanë emigruar nga zonat e thella të veriut, ndërsa u një rast kishte lënë qytetin dhe ishte rivendosur në një fshat.

Në 5 raste, gratë qenë kryefamiljare, 3 nga bashkëshortët kishin vdekur, një kishte vrarë veten dhe një ishte vrarë për gjakmarrje. Në tre raste burrat jetonin të ngujuar me familjet e tyre.

Disa nga familjet e anketuara ishte futur në gjakmarrje jo për shkak të veprimeve të një mashkulli nga familja e tyre e afërt, por për shkak të një kushëriri që nuk jetonte me ta. Ky fakt mbështet argumentin se edhe pse të etiketuara si gjakmarrje, disa raste janë vrasje për hakmarrje fshehur nën maskën e gjakmarrjes, gjë që i bën ato raste hibride. Dukuria e kohëve të sotme i ngjan asaj të lashtës në dy elemente: hakmarrjes gjak me gjak dhe ngujimit si masë mbrojtëse. Të gjitha rregullat e tjera mbeten të paqarta dhe fluide. Në disa raste gratë e intervistuara e shpjegonin gjendjen e tyre si pasojë të një vrasjeje për hakmarrje. Për më tepër, fakti që edhe fëmijët, disa herë edhe vajzat, mbaheshin në shtëpi është një tregues se rregullat e vjetra nuk respektohen më.

Të gjitha gratë e intervistuara ishin nëna, kishin nga një deri në pesë fëmijë. Fëmijët ishin të moshave të ndryshme dhe më i vogli ishte 6 muajsh. Ai ishte fëmija i parë i një nëne që kishte pritur dhjetë vjet burrin të plotësonte dënimin e gjykatës. Në këtë rast të veçantë, edhe pse burri e kishte kryer dënimin për vrasjen që kishte bërë, prapë duhej të ngujohej. Kishte shumë fëmijë të tjerë që kishin lindur në ngujim. Vlen të përmendet rasti i nënës me 5 fëmijë, prej të cilëve 4 kishin lindur në ngujim.

Disa nga fëmijët shkonin në shkollë rregullisht, disa herë pas here, ndërsa disa të tjerë ose e kishin lënë shkollën ose nuk e kishin filluar kurrë. Shumica e fëmijëve që shkonin në shkollë shoqëroheshin çdo ditë nga gratë (nënat e tyre).

Gratë dhe vajzat kishin tetë vjet shkollë ose më pak, me përjashtim të njërës prej tyre që kishte mbaruar shkollën e lartë. Mosha e grave shkonte nga 19 deri në 60 vjeç.

6.2 Kushtet ekonomike dhe sociale

Gjendja ekonomike e familjeve të intervistuara ishte shumë e vështirë. Një pjesë kishin qenë të varfra që më parë, duke jetuar në zonat informale dhe me të ardhura sporadike. Gjendja e re, e krijuar nga gjakmarrja, kishte përkeqësuar jetën e të gjithëve në këto familje, vetëm një rast bënte përjashtim. Familjet që dikur kishin pasur biznese (të vogla), i kishin ato.

Page 41: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 41 -

Të gjitha familjet, mbaheshin me punët e bujqësisë kur jetonin në fshat ose punë të rastit kur ishin në qytet. Ndihma nga familjarë e shoqatat jofitimprurëse ishte burim i dytë të ardhurash vetëm për pak prej tyre. Ato kishin mangësi të theksuara për të gjitha shërbimet e tjera, përfshi ato shëndetësore. Ekonomia e dobët bënte që, edhe kur ishte e mundur t’i dërgonin fëmijët në shkollë, varfëria t’i pengonte dhe vajzat ishin të detyruara të ndihmonin nënat e tyre. Kështu, kushtet në të cilat gjendeshin këto familje i kishin detyruar gratë të ktheheshin në fitueset e vetme të bukës së gojës. Pjesa më e madhe e tyre ishin në nivel mbijetese dhe jo në standard normal. Familjet që kishin një kohë të gjatë në gjakmarrje kishin shkëputur lidhjet me pjesën tjetër të fisit, duke u bërë kështu edhe më të pambrojtura.

6.3 Ndikimi i gjakmarrjes në jetën e grave

Kur kërcënimi i gjakmarrjes bëhet i pranishëm, shumë familje fshihen ose mbyllen në shtëpi. Ngujimi bëhet një mënyrë për vetëmbrojtje, ndoshta mënyra më efikase. Shumica e familjeve ngujohen edhe si një masë parandaluese, sepse nganjëherë nuk e dinë në duhet të mbrohen apo jo. Gjithsesi, padituria ushqen frikën. Kur i pyetëm, shumica e grave na thanë se nuk e dinin, por nuk guxonin të dilnin e të bënin një jetë normale. Institucionet nuk e garantojnë sigurinë e tyre, prandaj ato janë të detyruara të bëjnë një jetë paralele, që nuk mbulohej nga ligji dhe shteti.

Për më tepër, situata e gjakmarrjes ka thelluar më tej fenomene sociale tashmë të pranishme si varësia e burrave nga alkooli, si edhe probleme të shëndetit fizik dhe mendor (depresion, paaftësi për të komunikuar dhe bashkëvepruar në komunitet, trauma, probleme me dhëmbët, me shikimin etj.). Është bërë shumë e vështirë, në mos e pamundur, të gjejnë një zgjidhje për problemet sociale apo të sigurojnë barnat dhe mjekimet për fëmijët dhe veten e tyre.

Jeta e grave kishte ndryshuar tërësisht prej gjakmarrjes. Trauma e vrasjes i kishte lënë shumë prej tyre në gjendje tronditjeje. Rastet më të vjetra dukej se ishin mësuar me idenë, duke e pranuar atë si një fatalitet. Në fakt, shumica e pranonin situatën e tyre si të pashmangshme. Deklarata e një gruaje 39 vjeçare në Shkodër, e cila ka gjashtë fëmijë dhe jeton aktualisht e ngujuar për shkak të gjakmarrjes: “Unë jam thjesht një hije… jetoj vetëm për fëmijët e mi” tregon se ato e quajnë jetën e tyre krejt të pa vlerë.21

Rasti 8 i studimit, për shembull, ishte nëna e dy djemve, që ishin fshehur pas vrasjes së kryer nga një kushëri i babait të tyre. Ata s’kishin asnjë lidhje me atë që ishte vrarë, por sipas gruas, nëse një nga familja e tyre kishte vrarë, atëherë ishte e drejtë të konsiderohej se ishin të gjithë në gjak dhe të ndiqeshin procedurat që

21 Ky është një pohim jo direkt dhënë studiueses nga rasti 4.

Page 42: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 42 -

diktonte Kanuni (të fshehurit ose ngujimi, dërgimi i ndërmjetësve për marrjen e besës për fëmijët dhe të tjera si këto). I njëjti qëndrim vihej re edhe në raste të tjera, kur gratë justifikonin jo vetëm situatën, por edhe këdo që donte të merrte gjakun e dikujt dhe synimin për ta kryer krimin në çfarëdo kohe, shpejt a vonë.

Gjakmarrja i kishte vënë edhe gratë në rrezik jete. Të ndikuara nga rastet tragjike të pasqyruara në media, ato pretendonin se nuk kishin siguri as për veten dhe fëmijët22. Nuk besonin se kishin siguri për jetën, pavarësisht se sipas Kanunit gratë dhe fëmijët nuk mund të prekeshin.

Megjithatë, edhe pse me këtë barrë frike, të detyruara të siguronin ushqimin për familjen, ato kryenin çdo funksion dhe detyrë familjare jashtë shtëpisë. Për gratë në fshat dhe në zonat informale gjetja e një pune me pagesë kishte qenë dhe vazhdonte të mbetej shumë e vështirë. Ato punonin tokën, mblidhnin produkte bujqësore dhe mbanin ndonjë lopë a bagëti të imët për të mbajtur familjen. Ndonjë nga gratë e moshuara kishte edhe pensionin nga puna në kooperativën e dikurshme, që ndonëse të pakët, ishte një kontribut i drejtpërdrejtë për mbajtjen e familjes. Për shkak të vendbanimit në fshat dhe rrjedhimisht zotërimit të ndonjë ngastre toke, këto familje nuk përfitonin ndihmë ekonomike, duke mos pasur kështu asnjë lloj mbështetje sociale institucionale. Nganjëherë, sidomos kur familja ishte zhvendosur në Tiranë, gratë punonin “në të zezë” , si rasti në Tiranë, e cila punonte me kohë të pjesshme si punëtore në një familje (familja e saj, e përbërë nga 4 persona, mbijetonte vetëm me të ardhurën e saj). Mes tyre kishte familje që kishin migruar në qytet menjëherë pas gjakmarrjes dhe nuk kishin arritur të çregjistroheshin ligjërisht nga vendi ku kishin qenë, apo të regjistroheshin në bashkinë e vendbanimit të ri, duke humbur rastin të përfitonin ndonjë ndihmë ekonomike.

6.4 Situata e fëmijëve

Fëmijët e këtyre familjeve po rriten në kushte privimesh të jashtëzakonshme. Rastet më ekstreme ishin ato të fëmijëve, që siç u përmend, jetonin të ngujuar që prej ditës që kishin lindur. Për rrjedhojë, atyre u ka munguar shkollimi, moshatarët, lojërat jashtë me ta, ndërveprimi social, ose thënë ndryshe vetë fëmijëria. Në dy-tri raste, kur fëmijët kishin qenë të pranishëm në vrasjen e kryer apo në momentet e para pas ngjarjes së rëndë, ata ende vazhdonin të vuanin pasojat e traumës (vajzat e rastit 5/6 dhe djali i rastit 2).

Kështu, për shembull, djali i rastit 2 kish qenë vetëm 3 vjeç kur ndodhi ngjarja. Por ai mbante mend me detaje se çfarë kish ndodhur. Mbante mend kur kishte ardhur 22 Pavarësisht faktit se janë të rrallë, referenca është për raste si ai i vajzës 17 vjeçare vrarë para disa muajve si dhe vrasja e një djali të mitur teksa ndiqte shkollën në Bushat të Shkodrës, para disa vjetësh.

Page 43: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 43 -

gjyshi (autori i vrasjes) në shtëpi i gjakosur, gratë duke bërtitur, policinë në shtëpi, arrestimin e gjyshit, nënën duke qarë, babanë që u mbyll në shtëpi, shpërnguljen në Fushë-Krujë. Ai kishte kaluar pas kësaj një periudhë të vështirë depresioni. Nëna e tij na tha se djali kishte kaluar 2 vjet në gjendje shumë të vështirë, shprehte ankth, shihte ëndrra të frikshme, zgjohej natën. I ishte dashur shumë kohë dhe përpjekje që të qetësohej.

Përpos problemeve me shëndetin mendor, më pas djali kishte pasur dhe probleme të tjera. Ai kishte ndërruar disa herë shkollën. Fillimisht e kishin dërguar shumë larg për të qenë më i sigurt, por në atë shkollë kishin qenë disa kushërinj të gjakësit, të cilët e kishin rrahur disa herë. Sipas nënës së tij kjo nuk kishte lidhje me gjakmarrjen, ishin thjesht çështje fëmijësh, por sipas djalit kishte të bënte pikërisht me atë problem. Më pas kishte vajtur në një shkollë tjetër, por dhe nga aty e kishin hequr pasi kishin filluar të shkonin dhe fëmijë nga familja e gjakësit. Tani ishte në një shkollë tjetër dhe e çonte dhe e merrte e ëma. Të gjithë kishin shumë frikë për të, pasi ai ishte dhe fëmija më i madh dhe ishte djalë. Ndërkohë që personi që ishte vrarë kishte një djalë në të njëjtën moshë. Fëmija e perceptonte frikën, por çuditërisht dukej shumë i qetë, tamam i rritur dhe i ambientuar me këtë problematikë. Ai fliste për familjen e të vrarit, dukej që dinte shumë detaje dhe mbahej në korrent mbi çdo gjë. Ishte e qartë që diskutimet në familje bëheshin dhe në sytë e fëmijëve, pasi ata rrinin aty edhe gjatë intervistës sonë dhe ndërhynin herë pas here në bisedë, sidomos djali.

Në rastin 7, gjakmarrja kishte pasur pasoja shumë të rënda te vajzat. Vajza e madhe kishte qenë vetëm 5 muajsh kur kish ndodhur ngjarja dhe sot është 19 vjeç. Ajo kishte qenë e fshehur në mal ashtu si e gjithë familja, dhe më pas ishte mbyllur në shtëpi gjithë kohën. Dukej jo e socializuar. Edhe pse e pranishme gjatë intervistës, ajo nuk ishte në gjendje të shprehte ndonjë mendim të vetin në lidhje me situatën në të cilën ndodhej. I kishte kaluar vitet e saj e izoluar. Për herë të parë do të shkonte tek tezja në Tiranë gjatë javës së intervistës. I vetmi person që ishte marrë me të ishte motra e saj më e vogël, e cila ishte viktima më e madhe e situatës ku gjendej familja e saj. Ishte vrarë në mënyrë tragjike para pak kohësh, në rrethana shumë të veçanta. Ishte vetëm 13 vjeç, kur e morri i ati me vete t’i shërbente në mal dhe pas disa muajsh e kishte vrarë, duke vrarë dhe veten. Pasojat e gjakmarrjes në këtë familje ishin të shumëfishta. Djali më i madh i familjes shfaqte zemërim dhe synonte të merrte gjakun e të motrës, për të cilën fajësonte xhaxhallarët e vet (vëllezërit e të atit), që nuk kishin bërë asgjë për të parandaluar tragjedinë. Ky rast tregon se periudhat e gjata në ngujim dhe varfëri e amplifikojnë fenomenin, edhe pse jo sipas normave të Kanunit. Në këtë rast specifik, një djalë 11 vjeç, lindur dhe rritur në një situatë të tillë, mendon të marrë gjak ndaj xhaxhallarëve që nuk kishin ndërhyrë për t’i shpëtuar motrën.

Page 44: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 44 -

Nga të gjitha intervistat duket se fëmijët e rritur në këto kushte këtë situatë e trajtonin si normale. Ndër gratë ekziston frika se kur fëmijët të rriten do të ndjekin të njëjtat modele sjelljeje (rasti 2 dhe 7).

6.5 Perceptimi i rolit të shtetit

Nga intervistat me gratë del qartë se shteti është jashtë jetës së tyre. Shumica e grave (përveç rastit 4 dhe 11) nuk kanë fare besim në një ndërhyrje efektive të tij. Edhe kur u nxitën të mendojnë se si mund të ndërhyjë shteti, përgjigjja ishte ‘e çfarë mund të bëjë shteti?!’ Ato nuk kishin besim te sistemi i drejtësisë, i cili shpesh i kishte zhgënjyer. Një nga gratë na tregoi se kishte harxhuar shuma të mëdha me avokatë apo persona që i kishin premtuar zgjidhje imediate. Po kështu, për sa kohë rrinin të vetë-izoluara, edhe policia si instrument mbrojtës i shtetit në funksion të qytetarit nuk konsiderohej si e aksesueshme. Me përjashtim të gruas në rastin 7, të tjerat nuk merrnin asnjë ndihmë financiare nga shteti.

Besimi se shteti mund të ishte aktor kryesor në zgjidhjen e situatës ishte minimal, në mos inekzistent.

Përjashtim bënin institucionet arsimore. Gratë kishin besim te mësuesit dhe shkolla. Drejtoria e shkollave i kishin udhëzuar mësuesit që fëmijët që vinin nga familjet në situatë gjakmarrjeje t’ua dorëzonin nënave apo një familjari të tyre në fund të ditës së mësimit. Hulumtuesit dëshmuan se gjatë një interviste mësuesja i telefonoi nënës për ta vënë në dijeni se atë ditë mësimi kishte mbaruar më herët dhe ajo po e mbante fëmijën deri sa të shkonte ta merrte e ëma. Në përgjithësi gratë e perceptonin këtë lloj ndihme si shumë të rëndësishme që i bënte ato të ishin të qeta në atë pjesë të ditës.

Një tjetër mënyrë ndihme ishte dërgimi i mësuesve në shtëpitë e familjeve të ngujuara, një praktikë e institucionalizuar nëpërmjet programit “Shansi i dytë”, një program i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili ofronte mësimdhënie në shtëpi për fëmijët që nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë apo ishin disi më të rritur. Në rajonin e Shkodrës, ky shërbim është ofruar edhe për fëmijët e ngujuar.

Vumë re se zgjidhjet e synuara nga gratë ishin nëpërmjet mekanizmave privatë si për shembull, me pjesëtarë të familjeve të përfshira në gjakmarrje, ndërmjetës të njohur si të tillë, apo klerikë (priftërinj, pastorë, imamë) dhe jo atyre publikë si policia, pushteti vendor, gjykatat etj. Të intervistuarat ishin më të predispozuara të thoshin se prisnin ndihmë nga institucionet fetare (kjo në rastet e familjeve në Shkodër, sidomos në fshat) dhe shpesh nga “Zoti”, që tregon se tashmë ato e kanë humbur besimin tek institucionet dhe presin që situata të ndryshojë vetëm nga ndonjë ndërhyrje e papritur.

Page 45: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 45 -

Kjo humbje e besimit tek organizimi shtetëror i shoqërisë, tek institucionet publike dhe përfaqësuesit e tyre, e bën vetëgjyqësinë, gjakmarrjen apo vrasjet për hakmarrje si formën më ekstreme të saj, simptomë të një të keqeje më të thellë dhe serioze. Këto gra jetojnë në margjinat e shoqërisë shqiptare dhe ndjehen (dhe duket se janë vërtetë) të braktisura dhe jashtë rrezes së vëmendjes së institucioneve. Kanuni, si zgjidhje alternative rendi dhe drejtësie, u ofrua në një kontekst ku institucionet e perandorisë osmane të kohës nuk arrin ta shtrinin krahun e veprimit të tyre deri te zonat e thella, kryesisht malore. Është fakt historik se Kanuni dhe pleqësia zbatuese vepronte si zëvendësues i shtetit, kur ky mungonte ose nuk kishte fuqi/pushtet, duke marrë përsipër të drejtën e dhunës legjitime. Duket se në shoqërinë e sotme shqiptare, dhuna legjitime nuk është ekskluzivitet i shtetit dhe institucioneve të tij, gjë që e ka dobësuar fuqinë e shtetit në sytë e këtyre qytetareve të tij, të cilat, për saqë nuk u garantohet jeta dhe siguria, nuk mund t’i besojnë shtetit për asgjë tjetër.

6.6 Perceptimi i rolit të aktorëve të tjerë: media, shoqëria civile, institucionet fetare

Reagimi i të intervistuarave ndaj mediave ishte shumë i prerë: ato s’donin të kishin të bënin fare me to. Pjesa më e madhe e shihnin me dyshim ndërhyrjen e mediave, ndiheshin të shfrytëzuara dhe të ekspozuara prej tyre. Për më tepër, disa prej tyre e konsideronin median edhe si faktor negativ, i cili mund t’i ekspozonte ndaj hasmit, duke iu rrezikuar jetën e familjes.

Në një rast na u tha se, kur procedurat e “pajtimit” pothuajse ishin mbyllur, media e ekspozoi këtë rast, duke bërë që pala tjetër të tërhiqet dhe gjakmarrja të vazhdojë. Përveç frikës, media shihej edhe si mekanizëm i diskreditimit publik, i cili do ta rëndonte edhe më shumë situatën e tyre në komunitet. Me sa u kuptua nga intervistat, reputacioni (ose thënë ndryshe ‘nderi’) ishte një faktor vendimtar në sjelljen e tyre, duke kërkuar të ruhej maksimalisht privatësia e tyre. Vetëm në një rast (3), gruaja tregonte interes ndaj medias, veçanërisht medias investigative. Ajo nuk kishte besim te sistemi gjyqësor dhe e perceptonte vendimin e gjykatës si të padrejtë dhe të korruptuar. E bindur se djali i saj ishte i pafajshëm dhe nuk e kishte kryer krimin, ajo kërkonte vëmendjen e medias për të treguar historinë e “vërtetë”, me qëllim që të tërhiqte vëmendjen e familjes së viktimës si dhe të sistemit gjyqësor.

Në lidhje me shoqërinë civile, ose më saktë organizatat jofitimprurëse, u vunë re dy qëndrime të dallueshme. Një pjesë e familjeve ishin shumë mirënjohëse, pasi OJF-të kishin qenë të vetmet që i kishin ndihmuar me ndihma konkrete dhe mbështetje në shërbime si arsimi, shëndetësia dhe përfshirja e fëmijëve në aktivitete argëtuese e sociale. Madje në disa raste, këto organizata kishin ndikuar te familjet me elemente emancipuese, si për shembull marrjen e djalit dhe vajzës në kamp veror, dhe

Page 46: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 46 -

këmbënguljen për ta marrë vajzën përkundër refuzimit të familjes dhe mentalitetit të tyre të diferencimit gjinor. Për më tepër, OJF-të ofronin aktivitete shoqërore edhe për gratë, që nga kurset e trajnimit deri tek takimet shoqërore me gra të tjera.

Në raste të tjera, familjet ndiheshin të përdorura nga organizatat për qëllimet e tyre dhe të braktisura sapo përfundonin projektet. Disa prej tyre pretendonin ndihma materiale dhe i konsideronin format e tjera të bashkëpunimit si studimet, përfshi edhe këtë studim, si shfrytëzim që i bëhej problemit të tyre. Në tri prej intervistave, gratë refuzuan në mënyrë kategorike të regjistroheshin (madje kërkuan të mbylleshin dhe telefonat celularë), përpiqeshin t’i shmangeshin disa pyetjeve dhe ishin shumë dyshuese për qëllimet e intervistës. Siç u përmend dhe në shpjegimin e metodologjisë, ne ramë dakord me gjithë të intervistuarat të ruajmë privatësinë e tyre, duke mos publikuar emrat dhe duke mos i nxjerrë regjistrimet e intervistave jashtë grupit të punës.

Institucionet fetare dhe organizatat e tjera të bamirësisë të asociuara me to duket se gëzonin një shkallë respekti dhe mirëbesimi te gratë e Shkodrës, sidomos në zonat rurale. Ato e konsideronin mbështetjen e tyre si pozitive, edhe pse pranonin kufizimet e kësaj ndërhyrjeje. Në rastin 5/6 pastori ishte përpjekur të ndërhynte në pajtimin e dy familjeve, por familja tjetër e kishte shpërfillur përpjekjen e tij, duke mos i kthyer përgjigje. Gjatë intervistës me rastin 4, gjithashtu na u tha se familjet myslimane dhe ato të besimit ungjillor ishin më të predispozuara të falnin se ato katolike. Gjatë këtij studimi nuk gjetëm të dhëna të tjera të mjaftueshme për ta mbështetur këtë pohim.

Pra, vumë re se besimi tek aktorët e tjerë shoqërorë është më i madh sa ai ndaj shtetit, sidomos kur është fjala për zgjidhjen e konfliktit, por për sa i përket ndihmës materiale, kujdesit shëndetësor e të tjera si këto pritshmëria nga shteti është më e lartë. Mosbesimi i përgjithshëm, edhe pse jo gjithmonë i justifikuar, i ka çuar këto familje një izolim gjithmonë edhe më të madh.

6.7 Roli i grave në faljen e gjakut

Shumica e grave nuk kishin asnjë shpresë konkrete që gjaku do t’iu falej dhe ato do të jetonin një ditë të lira. Disa prisnin ndihmë vetëm prej pleqësisë apo të afërmve që mund të ndërmjetësonin ndonjë pajtim. Të tjera mendonin se largimi përfundimtar nga Shqipëria do t’i bënte më në fund të lira. Megjithatë, kishte edhe nga ato (rasti 6), që pohonin se edhe largimi nuk ishte zgjidhje, sepse dinin shembuj ku gjakmarrja kishte emigruar bashkë me familjet.

Një tjetër problem që shoqëron fenomenin është paqartësia mbi të ashtuquajturat rregulla. Kur disa nga familjet kanë dërguar lajmës, këta të fundit janë përzënë, madje dhe kërcënuar. Në raste të tjera, kur ndërmjetësit kanë shkuar të

Page 47: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 47 -

takojnë familjen tjetër, kanë hasur në heshtje dhe si përfundim nuk kanë kuptuar nëse familja në fjalë do të merrte hakun apo jo. Kjo pasiguri, e cila përsëritet edhe kur kërkohet besa për fëmijët, i ka shtyrë frikërat e këtyre familjeve në paranojë e për rrjedhojë në ngujim, i cili nga ana e vet ka ndikuar negativisht jo vetëm në gjendjen ekonomike, por edhe atë psikologjike e sociale të këtyre familjeve.

Falja e gjakut sipas Kanunit realizohet nëpërmjet ndërmjetësimit të një personi a grupi njerëzish, që gëzon respektin e të dyja familjeve. Elezi (2000), studiues i njohur i të drejtës zakonore, shpjegon se këtë rol mund ta luajnë si burrat ashtu dhe gratë. Megjithatë nga intervistat tona dalluam një situatë shumë më komplekse. Pjesa më e madhe e diskutimeve mbi faljen e gjakut nuk kryheshin në praninë e grave dhe ato ndjeheshin të pafuqishme për të bërë ndonjë gjë, që mund të ndryshonte fatin e tyre. Por pafuqia e tyre ishte e kombinuar me një pranim të faktit se kjo gjë nuk u përkiste grave. Edhe rasti 4, ku gruaja ishte me shkollë të lartë dhe e angazhuar shoqërisht, nuk e shikon gruan si aktore në faljen e gjakut. Ajo shprehimisht deklaroi se kjo gjë u përket burrave. Kështu, sipas shumicës së të intervistuarave, ndërmjetësimi ishte detyrë e burrit:

“Falja e gjakut është diçka që mund ta bëjnë vetëm burrat e moshuar... gratë nuk mund të marrin pjesë” (Rasti 7).

Ose rasti kur vetë gruaja kishte menduar të bënte një hap pajtimi,

“Djemtë më thanë mos shko, kjo është punë e burrit dhe jo e gruas... Dhe djemtë kanë të drejtë; kjo është punë e burrit dhe gruaja nuk mund të shkojë e të flasë me familjen në gjak për gjëra të tilla” (Rasti 8).

Përjashtim bëjnë nënat, sidomos ato më të moshuara, të cilat kanë bërë një farë përpjekje duke u bërë apel nënave të palës tjetër. Vihet re se edhe kjo lloj ndërhyrjeje është pak më e guximshme dhe konkrete, kur në familje mungon burri (nga që ka vdekur, është burgosur apo ka emigruar). Në këto raste, tagri i nënës dhe i kryefamiljares ndërthuren duke i shtyrë gratë ta kërkojnë vetë zgjidhjen përfundimtare nëpërmjet kërkimit të faljes. Nga rastet e intervistuara nga ne, ato nuk kishin qenë të suksesshme, dhe ndiheshin konfuze mbi atë se çfarë mund të bënin tjetër për të gjetur një zgjidhje.

“Një herë kërkova të flas me kushëririn e burrit tim, i cili është i moshuar dhe ka qenë edhe vet në gjakmarrje, por përgjigjja e tij ishte… “Mos fol me njeri, kjo mund t’i përkeqësonte gjërat, lere të shuhet vetë dalëngadalë”. Edhe kur unë ngula këmbë se dikush duhet të flasë me dikë, ai m’u përgjigj se këtë nuk duhet ta bësh ti, sepse ata do mendojnë se ti interesohesh vetëm për hallin tënd dhe jo për ata” (Rasti 5).

Por nga intervistat dolën edhe raste kur gratë merrnin iniciativën të ndërhynin duke kontaktuar njerëz të tjerë, duke i nxitur ose duke u premtuar shpërblim financiar që të bisedonin me familjen tjetër për faljen e gjakut. Në një rast (numër 3) gruaja ka

Page 48: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 48 -

telefonuar drejtpërdrejtë nënën e viktimës. Ia vlen të përmendim se këto iniciativa ishin marrë në familjet ku gratë ishin kryefamiljare.

Nga ana tjetër, kur u pyetën nëse do të ishin vetë në gjendje të falnin gjakun, shumica thanë “po”, por shtuan se vendimi do të ishte shumë më i vështirë nëse viktima do të ishte fëmija i tyre. Gruaja në rastin 7, na tha se nëse i shoqi nuk do të kishte vrarë veten ajo nuk do ta kishte falur për vrasjen e vajzës së tyre. Shumica e grave e konsideronin faljen si një akt sublim dhe shtonin se vetëm një qenie njerëzore superiore “më e fortë” mund të falë. Një thënie e tillë na bëri të mendojmë se pavarësisht vlerësimit të një akti të tillë, ato mendonin se ishte shumë e vështirë të zbatohej në jetën reale.

6.8 Barra e shumëfishtë e grave

Në familjet e ngujuara dy janë problemet kryesore të grave: e para është të vazhdojnë në çdo mënyrë të mundshme të kujdesen për mirëqenien e familjes duke marrë përsipër rolin e burrit dhe e dyta, të bëjnë një përpjekje, sado e pjesshme, të ndërmjetësojnë për zgjidhjen e gjakmarrjes përmes faljes.

Gratë i kanë gjetur mënyrat e mbijetesës duke punuar tokën, duke siguruar punë sezonale, duke kërkuar ndihmë nga familjet e tyre të origjinës, duke krijuar lidhje me OJF, duke ndjekur shërbesat fetare, duke i dalë zot familjes, sepse, siç është përmendur, shumica e burrave ose kanë vdekur, janë burgosur, kanë emigruar, ose sepse thjeshtë për shkak të ngujimit ata nuk mund të kujdesen më për familjet e tyre.

Shumica e grave të intervistuara thonë se ndjehen të braktisura nga të gjithë, duke filluar nga anëtarët më të afërt të familjes, tek anëtarët e komunitetit ku jetojnë, dhe përfaqësuesit institucionalë në përgjithësi. Ky përfundim ka dalë nga pohime të tilla si:

“Tre nga vëllezërit e mi nuk më flasin, sepse kanë frikë për jetën e tyre...” (Rasti 1).

Ose

“Përderisa nuk kam asnjë vëlla, kush tjetër do të më ndihmojë, të gjithë më largohen” (Rasti 2).

Ose

“5 vjet ngujim sjellin shumë vështirësi. Ime bijë është divorcuar për këtë arsye... Vajzën e saj e kanë çuar në kopësht vetëm tani, ndërsa ish burri i saj është martuar përsëri ...” (Rasti 3).

Page 49: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 49 -

“Do të desha që shteti të më siguronte një të ardhme më të mirë për fëmijët. E shoh me sytë e mi se si po rriten. Kur ti bie, gjithkush përpiqet të ta bëjë jetën edhe më të vështirë” (Rasti 7).

“Nuk kemi marrë asnjë lek, as edhe një dhjetëshe që të mund t’i bënim atij një vizitë në burg. Po dorën s’ia shtrij askujt” (Rasti 6).

Një qëndrim i tillë i ka bërë të kërkojnë zgjidhje të tjera për mbrojtjen dhe mirëqenien e familjeve të tyre...

“Vajza e madhe më kërkon të largohemi nga Shqipëria përgjithmonë, sepse nuk kemi asnjë më mundësi, por unë nuk kam guxim ta bëj këtë. Shteti duhej të kujdesej, por askush nuk do t’ia dijë. Nuk më pëlqen të flas për gjërat, do të doja… Jeta e këtyre fëmijëve nuk është në Shqipëri. Ata duhet të largohen e të vendosen diku tjetër, kanë parë shumë, kanë dëgjuar shumë, kanë nevojë të jetojnë në një vend ku mund të harrojnë ato që kanë parë e dëgjuar. Po t’ju tregoja disa nga ato që kanë parë e dëgjuar, ju ndoshta do të mendonit se po e teproj... nuk do ta besonit dot...” (Rasti 7)23.

Pavarësisht elementit të viktimizimit dhe pafuqisë që ndihej në fjalën e tyre, që në disa raste tregonte moralisht dorëzim, ato prapë kërkojnë forcë të përballen me situatën. Gruaja në rastin 4 na tha se ishte ajo që kryente të gjitha punët jashtë shtëpisë, kur i shoqi ishte i detyruar të rrinte mbyllur në shtëpi. Ajo e kishte mbështetur kur ai kishte vendosur të sfidonte gjakmarrjen, të dilnin nga ngujimi dhe të vazhdonin jetën normale. Dhe kur ky vendim i kishte kushtuar atij jetën, ajo kishte vazhduar punën e saj, kish ngritur një shoqatë, në mbështetje të shtresave vulnerabile, sidomos për familjet në gjakmarrje.

6.9 A janë gratë vendimmarrëse në familjet e ngujuara?

Nga intervistat duket se izolimi i burrave kishte çuar në dy skenarë. Në të parin është gruaja, burri i të cilës ishte i detyruar të jetonte i ngujuar, e ngarkuar me të gjitha detyrimet që nga ana kulturore mendohet se i takojnë burrit. Por kjo nuk kishte çuar në rritjen e pushtetit të saj vendimmarrës në familje. Këto gra duhej të merrnin leje për çdo gjë te burrat e tyre, madje dhe për intervistat për këtë raport. Në tri raste, gratë na takuan në një mjedis jashtë familjes, pa kërkuar leje nga burrat. Ato shprehën hapur frikën nga pasojat me të cilat mund të përballeshin nëse burrat merrnin vesh për intervistat. Në dy raste të tjera, takimet e organizuara nga ndërmjetësja jonë në komunitetin e Bathores u anuluan kur e morën vesh burrat dhe ata kërcënuan jo vetëm gratë e tyre, por edhe ndërmjetësen tonë. Këto lloj grash jetonin në presion të 23 Kryefamiljare, me kohën më të gjatë të ngujimit (18 vjet).

Page 50: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 50 -

vazhdueshëm psikologjik dhe, edhe pse nuk qemë në gjendje ta vërtetojmë, ne mendojmë se ishin nën kërcënimin e dhunës fizike. Ndërkohë, nga të dhënat e mbledhura nga aktorët kryesorë, duket se gjendja e grave përkeqësohet më tej nga xhelozia e burrave, alkoolizmi dhe në një rast dy familje të lidhura nga martesa ishin në gjak, sepse burri kishte vrarë gruan e tij.

Gruaja në rastin 7 na pohoi se ‘ato që kishin hequr ajo dhe të bijat s’rrëfehen me gojë’, duke lënë të kuptojë dhunën e vazhdueshme të të shoqit, përfshirë edhe vrasjen e vajzës së vet.

Nga ana tjetër, ishin tre gra që sfiduan autoritetin e burrave të tyre duke ardhur fshehurazi në takimin tonë. Ato kanë gjetur një mënyrë alternative, ku burrit i lihet përshtypja e pushtetit vendimmarrës, ndërsa ato e ushtronin pushtetin e tyre në rrugë të tërthorta. Nuk duam të sugjerojmë këtu që kjo është një zgjidhje, sidomos duke pasur parasysh se çfarë mund të ndodhë nëse burri e merr vesh këtë sjellje, por shohim që mentaliteti i nënshtrimit ndaj vullnetit të mashkullit është lëkundur te këto gra, edhe pse ende jo aq të guximshme sa ta sfidojnë hapur atë.

Skenari i dytë i referohet grave, burrat e të cilave ose kanë vdekur, ose kanë emigruar apo janë shkëputur nga familja. Në këto raste gratë janë edhe vendimmarrëse edhe janë vetë ato që i zbatojnë vendimet e tyre. Këto gra jo vetëm përpiqen të sigurojnë jetesën e familjes, por edhe të gjejnë mënyrën më të mirë për ta bërë këtë. Në këto raste, vumë re se gratë konsultohen për problemet e familjes edhe me pjesëtarët e tjerë të saj si fëmijët, prindërit, vëllezërit apo të afërm të tjerë më të moshuar, edhe pse kjo nganjëherë mund të çojë në një mendësi seksiste, duke i rritur djemtë ende të vegjël me idenë e “burrit të shtëpisë”, duke pranuar kështu pushtetin e tyre të përkohshëm dhe se ai do të kalojë te djemtë e tyre sapo ata të rriten.

Pushteti vendimmarrës, sidomos në aspektin e gjakmarrjes, mendohet dhe ushtrohet si një detyrë e burrit, madje edhe në ato raste kur bashkëshorti ose babai nuk jetonte. (Rastet 7 dhe 8).

Jeta në vështirësi, pa arsimim të mjaftueshëm, në varfëri, në mungesë të ndërveprimit shoqëror (sidomos për djemtë) ka pasoja të ashpra për rritjen dhe të ardhmen e tyre. Pyetja që bëjmë është: cilat janë perspektivat e jetës së secilës e secilit prej pjesëtarëve të këtyre familjeve? Dhe duke marrë në konsideratë edhe rastin optimal kur më në fund gjaku është falur, a do të kenë ato/ata mundësi të bëjnë pas kësaj një jetë normale, të krijojnë familje dhe të jetojnë si gjithë të tjerët?

PËRFUNDIME

Gjakmarrja në Shqipërinë e sotme është një formë hibride e vrasjes për hakmarrje, e justifikuar normat e praktikës primitive, por që i ngjan të parës kryesisht në synimin

Page 51: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 51 -

për të vrarë personin që ka kryer krimin ose një anëtar tjetër të familjes së tij dhe në faktin që familjet ngujohen për të mbrojtur jetën e tyre. Faktorët socialë dhe kulturorë kanë ndikim më të madh mbi gjakmarrjen krahasuar me faktorët institucionalë dhe qeverisës. E drejta zakonore, shpesh e keqpërdorur ose edhe e rishpikur, vazhdon të ndikojë te brezi i ri, shkaktuar edhe nga një boshllëk gati absolut vlerash të reja kulturore.

Ka pasur përpjekje për të vlerësuar shkallën e problemit, por të dhënat mbeten jo bindëse, sepse thuhet se agjencitë qeveritare tentojnë të ulin numrin e tyre, ndërsa shoqëria civile tenton ta rritë atë. Fenomeni i gjakmarrjes, edhe pse aktualisht i shtrirë në mjaft qarqe, është më i ndjeshëm në malësinë e Shkodrës dhe rrethinat e saj, në Kukës, Pukë, Tropojë, Lezhë, Mirditë dhe Dibër.

Shkaqet kryesore të problemit lidhen me reagimin e pamjaftueshëm të sistemit të drejtësisë dhe rendit publik si edhe të qeverisjes qendrore dhe lokale. Si rezultat, të dhëna sado indirekte, tregojnë se qindra familje janë ende sot të izoluara, një kusht që ka prekur jetën e tyre në mënyrë të konsiderueshme. Zotërimi i jashtëligjshëm i armëve në shkallë të konsiderueshme nga popullata dhe procesi i papërfunduar i çarmatimit është faktor shtesë që ushqen gjakmarrjen.24 Gjatë viteve 1997-1998 ka pasur një lidhje të drejtpërdrejtë të armatosjes së popullsisë me numrin e lartë të viktimave për shkak të gjakmarrjes.25

Deri tani në fokus të kësaj dukurie kanë qenë burrat, bazuar në supozimin se Kanuni i përjashton gratë dhe fëmijët nga gjakmarrja. Rastet e njëzetë viteve të fundit tregojnë se kjo nuk është më e vërtetë, duke bërë që të gjithë anëtarët e familjeve të përfshira të vihen në rrezik dhe të vuajnë pasojat. Veç kërcënimit për jetën, nga gjakmarrja burojnë edhe probleme të tjera sociale, psikologjike dhe ekonomike, që e bëjnë të pasigurt atë.

Në dokumentet strategjike (siç është Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Dhunës në Familje; Strategjia Kombëtare e Përfshirjes Sociale; Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim etj.) gratë e familjeve në gjakmarrje nuk janë pjesë e ndonjë grupi vulnerabël të synuar, për përmirësimin e gjendjes së tyre. Argumenti që jepet se ky grup grash konsiderohet si pjesë e kategorive të: “Gra dhe vajza në nevojë” ose “Gra kryefamiljare” nuk merr parasysh karakteristikat e veçanta të këtij grupi grash dhe si pasojë nuk trajton nevojat e tyre për marrjen e masave të veçanta.

Shqipëria raporton rregullisht në Komitetin e CEDAW për përparimin aktual lidhur me zbatimin e masave paraprake të Konventës. Raporti i parë i Qeverisë 24 99% e vrasjeve për gjakmarrje rezultojnë të jenë bërë nga zotërues armësh të paligjshme. Draft-raport i veçantë i Avokatit të Popullit mbi fenomenin e hakmarrjes, f. 10. 25 Intervistë me Kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Page 52: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 52 -

Shqiptare i vitit 2003 e prek fenomenin e gjakmarrjes, por pa e shoqëruar me ndonjë statistikë, ndërsa raportet që pasojnë nuk e përmendin më këtë fenomen.

Gratë shpesh janë të “detyruara” të bëhen mbajtëset kryesore të familjes, ndërsa konteksti lokal ka mbetur armiqësor, duke i vendosur kështu në situata tejet të vështira që karakterizohen nga një varfëri në rritje, mungesa e sigurisë për veten dhe fëmijët, probleme shëndetësore, probleme sociale, mungesë arsimimi dhe ai i një jete normale.

Ndihma ekonomike (NE) jo vetëm është minimale, por edhe e kufizuar nga probleme strukturore si vendi i banimit ose statusi ligjor që e bën të vështirë kualifikimin e tyre për mbështetje ekonomike të qëndrueshme ose forma të tjera të ndihmës ekonomike. Prandaj, të harruara nga shteti në termat e drejtësisë, mbrojtjes dhe asistencës, këto gra nuk kanë besim te ndërhyrja institucionale. Ato dyshojnë edhe te media dhe nganjëherë edhe tek organizatat e shoqërisë civile. Një shkallë besimi ato kanë ndaj institucioneve fetare, sidomos në zonën e Shkodrës, nga kanë marrë mbështetje të drejtpërdrejtë dhe derë më derë.

Pozicioni i ri u ka dhënë këtyre grave një farë fuqie vendimmarrëse, por ky është kryesisht rasti i familjeve ku burrat e rritur mungojnë. Kur burrat jetojnë të ngujuar me familjet e tyre, gratë gjenden përballë kërcënimeve më të mëdha të dhunës dhe abuzimit nga bashkëshortët, pasojë edhe e qëndrimit të gjatë të tyre në izolim.

Përfshirja e komunitetit është e ulët, edhe për shkak të frikës nga reaksioni që vjen pas. Duket sikur në përgjithësi gjendja pranohet si një çështje e rrezikshme dhe private e familjeve të përfshira në gjakmarrje, ku nuk duhet të ndërhyjë askush. Në përgjithësi komuniteti e percepton ose/dhe e pranon se autori i krimit të gjakmarrjes nuk duhet konsideruar kriminel. Ky perceptim i përgjithshëm ka ndikuar jo vetëm në shtimin e krimeve të gjakmarrjes, por edhe në zbutjen e dënimeve të dhëna nga gjykata për autorët e krimeve të tilla, sidomos në vitet ‘9026, duke krijuar sipas mendimit tonë precedentin.

Informacioni lidhur me llojet e shërbimeve që duhet e mund të marrin gratë e familjeve në gjakmarrje, për të përmirësuar disi gjendjen e tyre, është i pamjaftueshëm. Të mos flasim për informacionin mbi legjislacionin dhe strukturat qeveritare, i cili pothuajse nuk ekziston fare. Mungesa e informacionit që duhet të ketë ky grup vulnerabël mund të konsiderohet edhe si një nga arsyet kryesore të ndikimit të dobët dhe të rolit që kanë gratë në zgjidhjen një situate të gjakmarrjes.

26 Intervistë me Kryetarin e Gjykatës se Krimeve të Rënda

Page 53: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 53 -

REKOMANDIME

Gjakmarrja lidhet me dukuri të tjera ekonomike dhe sociale. Trajtimi me efektivitet i saj, nxjerr nevojën e një qasjeje holistike, që të synojë komunitetet dhe individët. Gjakmarrja kërkon një ndryshim apo adaptim të ri të sjelljes dhe aktivitetit të gjithë niveleve të shoqërisë shqiptare. Institucionet shtetërore në nivel qendror dhe lokal, organizatat e shoqërisë civile dhe media duhet të koordinojnë strategjitë e tyre në mënyrë që të plotësojnë njëri-tjetrin.

Masat afatshkurtra

Është e nevojshme ndërmarrja e një studimi ndërdisiplinor në shkallë vendi, për të siguruar pamjen e plotë dhe specifikat e gjendjes së grave në situatë gjakmarrjeje. Një studim tërësor do të mundësonte një kuptim më të thellë të veçorive të secilit prej rajoneve të vendit.

Aktorët institucionalë duhet t’i japin përparësi projekteve të zhvillimit në zonat me zhvillim të ngadaltë apo të pazhvilluara. Gjakmarrja është më e përhapur në zonat e thella ose informale/periferike, që do të thotë se ka nevojë për plane zhvillimi që do t’i ndihmojnë këto komunitete të përshpejtojnë ritmet e zhvillimit dhe të përmirësojnë kushtet e tyre ekonomike dhe sociale. Projektet e zhvillimit mund të planifikohen si grande të kushtëzuara nga pjesëmarrja dhe kontributi i komunitetit, sipas përvojës së krijuar tashmë.27

Krijimi i qendrave komunitare në të gjitha zonat ku dukuria ka intensitet më të lartë, me qëllim që të sigurohen shërbime më efektive dhe të integruara. Këto qendra ndër të tjera do të mund të koordinohen edhe me KSHNJ për përhapjen dhe dërgimin e informacionit mbi mundësitë ekzistuese për ndihmë juridike dhe përfaqësim ligjor falas të grave dhe familjeve në gjakmarrje.

Gratë dhe familjet në gjakmarrje duhet të ndihmohen dhe fuqizohen përmes ndërmjetësimit dhe pajtimit. Arbitrazhi i kryer nga një avokat i licencuar mund të veprojë si një qasje alternative për të lehtësuar ndërmjetësimin midis familjeve të përfshira në gjakmarrje dhe mund të ndihmojë për pajtimin (ligjor) mes familjeve. Në këtë proces duhet mbajtur parasysh se mund dhe duhet të tërhiqen vetë gratë e këtyre familjeve në gjakmarrje, që të luajnë rol aktiv në zgjidhjen e konfliktit.

Agjencitë shtetërore, sidomos ato të zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë, duhet të bëjnë çmos për të hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar shkelësit e ligjit me drejtësi, me qëllim që të parandalohet nevoja për vetëgjyqësi. Policia e Shtetit që ka sot më shumë se kurrë më parë një efektiv grash dhe vajzash të përgatitura profesionalisht, duhet t’i bëjë ato edhe më shumë, pjesë të procesit, veçanërisht të parandalimit. 27 Për shembull, Projekti i UNDP “Armë në këmbim të zhvillimit”, Gramsh 1999

Page 54: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 54 -

Në rastet e kërcënimit për hakmarrje, duhet të merren masa të tjera më të drejtpërdrejta për të ndihmuar familjet e përfshira të kapërcejnë vështirësitë dhe zemërimin. Në këtë drejtim duhet të ndihmojnë shërbimet sociale dhe zyrtarët e qeverisjes lokale, kryepleqtë, inspektorët e zonave etj., duke mbështetur kështu detyrën e agjencive të ligjit.

Fushatat e ndërgjegjësimit, të ndërmarra nga institucionet publike dhe media, ndihmojnë njëkohësisht në informimin dhe edukimin e publikut të gjerë. Këto fushata kur organizohen si duhet dhe arrijnë tek individi i bëjnë më të efektshme edhe projektet kombëtare apo vendore që synojnë këtë grup vulnerabël. Shteti mund dhe duhet të mbështesë strategjinë informative, por edhe financimin e fushatave të tilla periodike edukative, në funksion dhe me qëllim të sigurisë së jetës së qytetareve të tij.

Masat afatmesme

Mjaft studiues dhe aktorë të rëndësishëm28 kanë theksuar nevojën për të dhëna të sakta. Për të harmonizuar dallimet midis rezultateve, duhet të krijohet një komitet shumë aktorësh, ku agjencitë shtetërore dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të bashkëpunojnë mbledhjen dhe përpunimin me kujdes të të dhënave.

Gratë në situatë gjakmarrjeje duhet të përbëjnë një grup me synim të veçantë në të gjitha strategjitë kombëtare, deri në shuarjen e fenomenit, sidomos në strategjitë që lidhen me sigurinë e jetës, luftën kundër dhunës, zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies, integrimin evropian.

Hartëzimi i detajuar i fenomenit të kthehet në një detyrim ligjor të qeverisjes vendore me qëllim krijimin e një regjistri kombëtar të familjeve (dhe çdo anëtari brenda tyre) që ndodhen në gjakmarrje, për t’iu adresuar specifikisht nevojave. Regjistri do të evidentonte dhe lehtësonte menaxhimin e çdo rasti: familje/individ (grua/vajzë).

Hartimi i plani të veprimit për qëllimin e mësipërm, në çdo njësi vendore, duhet të shoqërohet me tregues të matshëm të zhvillimit dhe fuqizimit gjinor.

Krijimi në të ardhmen i mekanizmit të monitorimit lokal dhe qendror, përgjegjës për vlerësimin e ndryshimeve të situatës së gjakmarrjes, do të ndihmojë në marrjen e masave të përshtatura me ndryshimin e ndodhur.

28 Shih Raporti mbi veprimtarinë gjatë 2012 të institucionit të Avokatit të Popullit. Tiranë, maj 2013; Nga deklarata për shtyp e Philip Alston, raporter special i Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB, pas një misioni faktmbledhës në Shqipëri. Tiranë 23 shkurt 2010; Nga diskutimet e të gjithë pjesëmarrësve në tryezën e rrumbullaktë, organizuar për marrjen e sugjerimeve me qëllim përmirësimin e këtij studimi, 29 prill 2013.

Page 55: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 55 -

Më shumë duhet bërë për edukimin e të drejtave të njeriut, i cili duhet përfshirë në kurrikulën shkollore të gjithë sistemit arsimor si dhe në modulet trajnuese të komunitetit. Gratë, si edukatore tradicionale të vlerave shoqërore, duhet të nxiten të jenë pjesë në këto trajnime. Kështu ato jo vetëm do të familjarizohen me të drejtat e tyre dhe mënyrat efektive për të mbrojtur veten, por do të jenë edhe një “shumëfishues” i rritjes së ndërgjegjes së grave dhe i rolit të tyre për të penguar gjakmarrjen.

Institucionet e shtetit duhet të ofrojnë më shumë mundësi punësimi për gratë e këtyre familjeve. Vetëm fuqizimi ekonomik dhe bashkë me të integrimi social aktiv, do t’i kthejë ato në aktore të dorës së parë për ta luftuar gjakmarrjen.

Page 56: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 56 -

BIBLIOGRAFIA

--- (2010) Human Rights Report: Albania, Bureau of Democracy, Human Rights, and Labor, Country Reports on Human Rights Practices, April 8, 2011 http://www.state.gov/g/drl/rls/hrrpt/2010/eur/154409.htm

---- Dokumenti zyrtar nr. 456/1, datë 19/02/2013, i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

---- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Tiranë, 1998.

---- Kuvendi i Shqipërisë , Fletorja Zyrtare, nr. 44 datë 14.06.2005

Alston, Philip (2010) “Albania can do more to eliminate blood feuds and domestic violence”, raporter special i Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB, Shih http://www.un.org.al/subindex.php?faqe=news&newsid=211

ASHMDF (2012) Raporti Vjetor mbi Monitorimin e Ligjit “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve”, Tiranë.

Ballauri, Elsa (2012) “Si e përkthejmë gjakmarrjen”, Panorama, 3 shtator http://www.panorama.com.al/2012/09/03/si-e-perkthejme-gjakmarrjen/#ixzz2JwIfz78W

Çetta, Anton 1999 (ed.). Pajtimi i gjaqeve 1990–1991. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Charlesworth, Hilary. 2008. ‘Are women peaceful? Reflections on the Role of Women in Peace-Building’. Feminist Legal Studies 16: 347-361.

Chinkin, Christine dhe Hilary Charlesworth (2006) “Building Women into Peace: The International Legal Framework” Third World Quarterly, 27(5): 937-957.

Corbin, Juliet. M., and Strauss, Anselm C. (2008). Basics of qualitative research: Techniques and procedures for developing grounded theory (3rd ed.). Thousand Oaks, CA: Sage.

Durham, M. Edith. (2000) [1909]. High Albania: a victorian traveller’s Balkan odyssey. London: Phoenix Press.

E drejta e jetës – e Drejtë universale. Konferenca Kombëtare “Shteti dhe Shoqëria Civile në Mbrojtje të të Drejtës së Jetës”. Organizuar nga Avokati i Popullit dhe Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe pajtimi i mosmarrëveshjeve”, 11-12 dhjetor 2001. Tiranë: Luarasi, 2002.

El Bushra, Judy (2007) “Feminism, gender and women’s peace activism” Development and Change 38: 131–147.

Elezi, Ismet (2000) Vrasjet për hakmarrje e për gjakmarrje në Shqipëri. Tiranë: Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut.

Elezi, Ismet (2005) Ndërmjetësimi për pajtim në konfliktet penale. Tiranë

Page 57: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 57 -

European Commission (2011) Albania Progress Report 2011, Brussels, 12.10.2011

Gay, L.R and Airasian, P. (1992) Educational Research. New Jersey: Merrill Prentice Hall.

Gellçi, Diana (2005) Gjakmarrja : Albanian highlander's "blood feud" as social obligation, Tirana : AIIS

Gjuraj, Tonin (2000) Gjakmarrja në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe. Shkodër: Qendra "Dretësi dhe Paqe".

Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri, Tiranë 1997, E drejta zakonore shqiptare.

Instituti Albanologjik i Prishtinës (1999) Pajtimi i Gjaqeve 1990-1991. Prishtinë: GME-Prishtinë.

Mile, Klementin (2007), “Blood feud : between kanun and state”, Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare

Mustafaj, Donika (2007) "Jetë pezull", Panorama

Nurani, Marliana L. (2008) “Critical review of ethnographic approach”. Jurnal Sosioteknologi 14(7): 441-447

Olsson, Louise (2000) Mainstreaming gender in multidimensional peacekeeping: A field perspective, International Peacekeeping, 7:3, 1-16

People's Advocate (2013) Annual Report On the activity of the People's Advocate 1st January - 31st December 2012

Pettifer, James and Miranda Vickers (2000) Albania: from anarchy to a Balkan identity, C. Hurst: London

Plasari, Aurel (2000) Gjakmarrja midis realitetit dhe retorikës. (Studim). Shekulli 21-22 shkurt.

Pratt, Nicola & Sophie Richter-Devroe (2011) Critically Examining UNSCR 1325 on Women, Peace and Security, International Feminist Journal of Politics, 13:4, 489–503

Rezoluta 1325 (2000) “Gruaja, Paqja dhe Siguria” e Këshillit të Sigurisë së OKB-së. Shih http://www.mpcs.gov.al/dpshb/images/stories/files/instrumentat_e_okb/3.2.1.13.Rezoluta_1325_Gruaja_Paqja_dhe_Siguria.pdf

Semi, Ita (2012) “Gjakmarrja, një fenomen që vret prej shekujsh” http://www.yllpress.com/56784/gjakmarrja-nje-fenomen-qe-vret-prej-shekujsh.html

Page 58: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 58 -

Shala, Xhavit (2003) Siguria Kombëtare dhe Sfidat e Integrimit. Tiranë: Qendra Shqiptare e Studimeve për Sigurinë Kombëtare.

Simić, Olivera (2010) “Does the Presence of Women Really Matter? Towards Combating Male Sexual Violence in Peacekeeping Operations”. International Peacekeeping 17:2, 188-199.

Strauss, Anselm and Corbin, Juliet (1998) Basics of qualitative research: Techniques and procedures for developing grounded theory (2nd ed.). Thousand Oaks, CA: Sage.

The Telegraph (1 July 2010) Albania's modern-day blood feuds

Tinker, Irene (1990) The Making of a Field: Advocates, Practitioners, and Scholars. Persistent Inequalities: Women and World Development. New York: Oxford.

Top Channel 12 shkurt 2011, Studimi i parë me të dhëna të sakta për familjet e ngujuara në Rajonin e Shkodrës, realizuar nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë & Forumi i Mendimit të Lirë. Marrë nga http://www.youtube.com/watch?v=Bj-3ZYEJbsU [parë për herë të fundit më 10 shkurt 2013].

Tuckman, Bruce W. (1999) Conducting Educational Research. Orlando: Harcourt Brace College.

UN (2013) Human Development Report, Summary.

UN Human Rights Council (20 May 2010) Report of the Special Rapporteur on extrajudicial, summary or arbitrary executions, Addendum : Preliminary note on the mission to Albania http://www.unhcr.org/refworld/pdfid/4c29b1152.pdf

UN National Report On the Status of Women and Gender Equality in Albania, 2011

UN Women (2012) Sourcebook on Women, Peace and Security, October 2012. Shih http://www.unwomen.org/wp-content/uploads/2012/10/01-Overview.pdf

UNIFEM (2010) Vërejtje Përmbyllëse të Komitetit mbi Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave.

US Department of State (2011) 2010 Human Rights Report: Albania.

Valentini, Giuseppe (2005) Mendime paraprake dhe të përgjithshme mbi Kanunin e quejtun të Lekë Dukagjinit f.664 – 705.

Voell, Stéphane (2003) The kanun in the city. Anthropos 98: 85–101.

Willett, Susan (2010) “Introduction: Security Council Resolution 1325: Assessing the Impact on Women, Peace and Security”, International Peacekeeping, 17: 2, 142-158.

Page 59: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 59 -

SHTOJCA

Lista e të intervistuarve

- Intervistat me gratë

12 raste, gra të intervistuara

- Ekspertët e intervistuar

Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda

Avokati i Popullit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë

Zëvendësministre e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

Kryetare e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve

Kryetari i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar

Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë

Drejtuesja e Fondacionit Pro Jetës, Jo Gjakmarrjes, Tiranë

Mësuese dhe ndërlidhëse komuniteti, Bathore, Tiranë

The Door, organizatë jofitimprurëse, Shkodër

Hapat e Lehtë, organizatë jofitimprurëse, Shkodër

SOS-Fshatrat e fëmijëve, Shkodër

Ambasadorët e Paqes, organizatë jofitimprurëse, Shkodër

Mësues, Komuna Ana e Malit

Përgjegjësi i Sektorit të Shërbimeve Sociale, Bashkia Shkodër

Eksperte e

Pyetjet për përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, organizatave dhe ndërmjetësit.

1. Prezantimi i institucionit, ekspertit dhe pozicionit të tij/saj.

2. Sipas mendimit tuaj si është situata e gjakmarrjes në vend?

3. Çfarë roli dhe pozicioni ka institucioni ku punoni në përballjen me gjakmarrjen?

4. Bazuar në përvojën dhe informacionet që keni, mund të na përshkruani mënyrën se si e menaxhojnë situatën familjet që ndodhen në gjakmarrje?

Page 60: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 60 -

5. Cilat janë disa nga format e adaptimit që këto familje përdorin? Migrimi brenda vendit? Emigrimi? Falja? Tjetër?

6. Si mendoni se ka ndikuar dhe ndikon gjakmarrja në gjendjen e grave dhe vajzave të këtyre familjeve?

7. Si mendoni se ka ndikuar dhe ndikon ky fenomen në jetën e fëmijëve të ngujuar, djem dhe vajza?

8. Çfarë masash mund të merren për ndryshimin e këtyre rrethanave? Nga shoqëria civile? Nga shteti? Nga institucionet ndërkombëtare?

9. Çfarë roli luajnë dhe mendoni se mund të luajnë gratë në luftën kundër këtij fenomeni?

10. Çfarë mund të bëhet për fuqizimin e grave dhe vajzave të këtyre familjeve? Çfarë rezultatesh mund të ketë fuqizimi i tyre në trajtimin dhe parandalimin e problemit të gjakmarrjes?

Pyetje për gratë në situatë gjakmarrjeje

A. Pyetje demografike

1. Mosha

2. Vendlindja

3. Vendbanimi

4. Shkollimi

5. Profesioni

6. Punësimi

7. Numri i anëtarëve të familjes/me cilët jetoni

8. Nëse familja ka migruar (brenda vendit)

- e gjithë familja është zhvendosur ?

- nëse Jo, ku jeton pjesa tjetër e familjes?

B. Pyetje përmbajtësore

1. Sa kohë keni në situatë gjakmarrje? Kur dhe kush është ngujuar nga familja juaj? (bashkëshorti/babai/djali/tjetër kush)

2. Si ka ndryshuar jeta juaj pas ngujimit? Po jeta e fëmijëve tuaj?

3. Çfarë bëni gjatë ditës ? Po në kohën tuaj të lirë?

4. Cilat janë burimet e të ardhurave dhe të jetesës? Si i siguroni ato?

Page 61: Efektet e gjakmarrjes mbi gratë e vajzat në Shqipëri

- 61 -

5. Çfarë bëni për të mbajtur/ndihmuar familjen? Çfarë dhe si mund të bëni më shumë? Çfarë ju pengon?

6. Si e furnizoni familjen? Si ia bëni për shërbimet e ndryshme: shkollim, shëndetësi etj?

7. Si i ruani fëmijët?

8. Si ua shpjegoni fëmijëve këtë situatë? Pyesin ata? E kuptojnë ç’po ndodh apo i mbani larg informacioneve?

9. A diskutoni me pjesëtarët e familjes se si të dilni nga kjo gjendje? Çfarë thoni? A diskutoni me të tjerë jashtë familjes mbi këtë situatë? Çfarë thuhet në këto biseda?

10. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo situatë? Çfarë mund të bëni ju vetë për ta zgjidhur këtë situatë? Kush tjetër mund t’ju ndihmojë dhe çfarë duhet/mund të bëjë?

11. Cili mendoni që është fajtori për këtë situatë? Shteti, ligji, familja që jeni në gjak?

12. Çfarë mund të bëjë shteti që t’ju ndihmojë?

13. Mendoni që duhet falur gjaku? Pse jo ose po? Cilat mendoni se janë të mirat dhe të këqijat e faljes së gjakut (apo të vazhdimit të jetës në ngujim).

14. Nëse duhet falur si mendoni se duhet vepruar, kush duhet ta marrë iniciativën? A e keni diskutuar këtë me pjesëtarët e tjerë të familjes? Pse jo?/Pse po? Nëse po si ka qenë reagimi i tyre?

15. A njihni familje të tjera në situatë gjakmarrje? A keni kontakte me ta? A jetojnë ata situata të ngjashme me situatën e familjes tuaj?

16. A njihni familje që e kanë falur gjakun? Si kanë vepruar? Si jetojnë ata tani?

17. Si e mendoni të ardhmen? Cilat janë planet për fëmijët, për veten tuaj?